Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli është shpallur “Qytetare Nderi” e Bashkisë Klos në qarkun Dibër. Është vlerësuar kontributi i jashtëzakonshëm që ministrja dhe Shtabi i Përgjithshëm kanë dhënë në ndërtimin e një ure ‘bailey’ mbi lumin Mat, ndërtimin e rrugës “Klos-Dars-Xibër”, pastrimin e rrugëve nga inertet, si dhe pastrimin e tuneleve me municione që gjendeshin fare pranë qendrave të banuara në Klos.
Me vendimin nr. 101, datë 24.06.2016 Këshilli Bashkiak kjo bashki vendosi t’i japë titullin ”Qytetare Nderi” e Bashkisë Klos, znj. Mimi Kodheli, Ministre e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë, me motivacion: “Për kontributin e saj dhe të institucionit që ajo drejton në ndihmë të komunitetit të 6 fshatrave të Bashkisë Klos, në ndërtimin e Urës së Pazarit dhe të rrugës Klos-Dars-Xibër”.
Ndërtimi i kësaj ure ishte një domosdoshmëri për banorët e kësaj zone, pasi ura ekzistuese është ndërtuar rreth 36 vjet më parë ishte në gjendje të amortizuar dhe shërbente vetëm për këmbësorë. Ndërtimi i urës prej 42 metrash e gjatë dhe kapacitet mbajtës deri në rreth 18 ton është bërë në një kohë rekord.