Kryetari i PR-së kritika lidershipit të partisë Demokratike për aksionin e munguar opozitar
Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka rezerva për mënyrën se si kryetari i PD-së, Lulzim Basha po e udhëheq opozitën. Në takim më strukturat e PR-së në Shkodër, Mediu kërkoi unifikimin e aksionit opozitar, por të mos e lënë shpresën në dorën e prishjes së pazareve PS-LSI.
“Përballë kësaj situate opozita duhet të unifikohet dhe bashkohet me shqiptarët në rrugën për të ndërtuar shtetin e së drejtës, i cili bazohet në zgjerimin e lirive dhe uljen e taksave, respektimin e pronës private. Bashkepunimi me biznesin, rininë, të përndjekurit dhe pronarët janë rruga e suksesit të opozitës. Qeveria e pazareve PS-LSI apo prishja e pazareve të tyre nuk mund të jenë shpresa e se djathtës”, tha Mediu.
Mediu ka kërkuar angazhimin e forcave politike për reformën zgjedhore ndërsa tha se listat e hapura janë domosdoshmëri për garantimin e zgjedhjeve me standarte. “Reforma zgjedhore dhe vetem reforma zgjedhore, garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është detyra Nr.1 e opozitës, prandaj nuk mund të humbasim asnjë çast për të garantuar votën e lirë nëpërmjet votimit dhe numërimit elektronik si dhe t’i japim të drejtën votuesve të gjykojnë me votë se kush duhet të jetë deputetet në Kuvend”, tha Mediu.