Këshilli Evropian tha se liderët e Armenisë dhe Azerbajxhanit janë takuar në margjinat e samitit në Pragë dhe kanë rënë dakord për një mision civil të BE-së në kufirin e tyre të përbashkët.
Në përleshjet e muajit të kaluar mes dy vendeve, janë vrarë më shumë se 200 persona – përleshjet më vdekjeprurëse qëkur Armenia dhe Azerbajxhani zhvilluan një luftë gjashtëjavore më 2020 mbi rajonin e shkëputur të Nagorno-Karabakut.
Këshilli tha në një deklaratë, më 7 tetor, se kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinian dhe presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev u takuan në prani të presidentit të Këshillit të BE-së, Charles Michel dhe presidentit francez, Emmanuel Macron në margjinat e mbledhjes së parë të Bashkësisë Politike Evropiane.
Pashinian u pajtua të “lehtësojë një mision civil të BE-së përgjatë kufirit me Azerbajxhanin”, thuhet në deklaratë. Ndërsa Azerbajxhani “ra dakord të bashkëpunojë me këtë mision”.
Misioni civil i BE-së do të fillojë në fund të këtij muaji dhe do të zgjasë maksimumi dy muaj, thuhet në deklaratë. Takimi i ardhshëm i një komisioni për përcaktimin e kufijve do të mbahet në Bruksel deri në fund të këtij muaji.
Në deklaratë thuhet se të dyja palët kanë rikonfirmuar njohjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të njëra-tjetrës.
Armenia dhe Azerbajxhani edhe para shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik kanë luftuar për rajonin e shkëputur të Nagorno-Karabakut. Më 1994, forcat armene etnike morën kontrollin e këtij rajoni, por pas një lufte më 2020, forcat e Azerbajxhanit arritën të largonin forcat etnike arme nga shumica e territorit të rajonit. /REL