Një ngjarje e rëndë ndodhi dje në Gjirokastër, ku një 15-vjeçar humbi jetën në një pishinë. Pas incidentit, policia ka arrestuar pronarin e kompleksit “Gloë”, Ermal Koko.
Sipas autoriteteve, arrestimi është bërë në kuadër të hetimeve për të sqaruar rrethanat e ngjarjes tragjike.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se Koko akuzohet për “shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë”. Prokuroria po verifikon nëse pishina plotësonte kushtet e sigurisë dhe nëse ishin marrë masat e duhura për raste emergjente.
Mësohet gjithashtu se i arrestuari është bashkëshorti i nënkryetares së Bashkisë Gjirokastër, Artiste Koko.
Sipas burimeve për media, adoleshenti kishte shkuar në pishinë rreth orës 09:30 së bashku me dy shokët e tij. Ndërsa miqtë e tij ishin ulur pranë pishinës, Arbri është futur në ujë.
Burimet bëjnë me dije se vetëm pak sekonda pas hyrjes në pishinë, 15-vjeçari ka shfaqur vështirësi dhe ka kërkuar ndihmë me gjeste. Sipas të njëjtave burime, askush nuk ka ndërhyrë menjëherë për ta nxjerrë nga uji apo për t’i dhënë ndihmën e parë. Alarmi është ngritur nga dy shokët e tij, të cilët kanë njoftuar për ngjarjen, ndërsa më pas në vendngjarje ka mbërritur Policia e Gjirokastrës.
Versioni paraprak i autoriteteve është se i mituri mund të ketë pësuar një atak kardiak pas kontaktit me ujin e ftohtë, megjithatë shkaku i saktë i vdekjes pritet të përcaktohet nga ekspertiza mjeko-ligjore.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar përgjegjësitë e plota për këtë ngjarje.









