Deputeti i Partisë Demokratik, Klevis Balliu, ka vendosur një pankartë në derën e Kuvendit, teksa sot pritet të mbahet seancë plenare.
“Kur rinia çohet, qeveria rrëzohet”, thuhej në pankartë.
Më pas pankarta u hoq nga Garda, e cila ndërhyri më pas.
Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot në seancën e radhës plenare. Në rend dite është parashikuar zhvillimi i gjashtë interpelancave. Interpelancat e parë nis me Ministrin e Mjedisit Sofjan Jaupaj, e cila është kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
Deputetët demokratë kanë kërkuar interpelancë edhe me Ministrin e Brendshëm Besfort Lamallari lidhur me ngjarjen e ndodhur disa ditë më parë në Lozhan të Maliqit ku humbi jetën në krye të detyrës efektivi Enea Mekolli.
Ndërkohë edhe deputeti Agron Shehaj ka thirrur në interpelancë kryeministrin Edi Rama lidhur me koncesionin “Për projektimin, ndërtmin, operimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e aksit rrugor Thumanë-Vorë-Kashar”. Në interpelancë është thirrur edhe Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj nga demokrati Eno Bozdo. Gjithashtu Agron Shehaj e Erald Kapri kanë kërkuar zhvillimin e një interpelance me ministrin e Financave Petrit Malaj.
Kjo seancë vjen në një klimë të tensionuar politike, ndërsa protestat kundër qeverisë vijojnë prej 12 ditësh radhazi në disa qytete të vendit. Protestuesit kërkojnë largimin e qeverisë dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke shprehur gjithashtu pakënaqësi ndaj klasës politike në tërësi.











