Marrëveshjet Shqipëri-Turqi, tregun ynë “pushtohet” nga mallrat turke

0
105

Vendi ynë dhe Turqia kanë rritur edhe më bashkëpunimet në sektorin e ekonomisë dhe kjo duket nga  niveli i lartë i eksport-importeve. Sipas INSTAT, volumi tregtar mes vendeve është rritur ndjeshëm ndër vite, ku përfituesja më e madhe padyshim është Turqia pasi vendi ynë importon sasi të konsiderueshme mallrash. Ndër vite pesha e mallrave të importuara nga Turqia ka shfaqur një tendencë gjithnjë e në rritje, madje shihen valë eksportesh nga produkte nga më të ndryshmet.

Përgjatë vitit të kaluar, Shqipëria ka importuar 86.1 miliardë lekë mallra nga Turqia gati mbi 700 milionë euro, duke përfshirë veshjet e këpucët, produkte të çelikut, lëndëve djegëse apo artikujt të plastikës e produkte të tjera.

Ndërsa Shqipëria nga ana tjetër, vitin që lamë pas ka eksportuar 5.3 miliardë lekë mallra “Made in Albania” apo rreth 43.4 milion euro në total drejt Turqisë. Referuar statistikave, eksportet shqiptare  kanë njohur një rritje të lehtë në 5 vitet e fundit, megjithatë mbeten ende në nivele mjaft të ulëta.

Ndërsa në total, volumi tregtar mes dy vendeve pra import-eksportet përgjatë vitit të kaluar tejkaloi gjysmë miliardë euro, pasi sipas INSTAT, llogaritet në 747.7 milionë euro vlera e mallrave të shkëmbyera mes dy vendeve.

Edhe vetë drejtuesit e dy vendeve e thanë ditën e sotme në një takim me ardhjen e Erdogan në Shqipëri, se marrëveshjet ekonomike do të rriten. Madje Rama dhe Erdogan firmosen sot 7 marrëveshje të reja në drejtime të ndryshme, duke theksuar se partneriteti do të thellohet.