Ndërkohë që Kosova dhe Serbia vazhdojnë dialogun për të normalizuar marrëdhëniet mes dy vendeve dhe për të arritur në pikën finale, njohjen e ndërsjellë, pak është thënë në publik se për çfarë është diskutuar dhe po diskutohet konkretisht. Herë pas here është folur për çështje të shkëputura, por deri më tani, publiku nuk ka parë një kornizë të negociatave.
Abcnews.al sjell për herë të parë një dokument kornizë të këtyre negociatave i cili përmban elementet e “kornizës së përgjithshme të marrëveshjes juridikisht të detyrueshme ndërkombëtare për normalizimin e plotë të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.” Në dokument flitet për parimet e përgjithshme të marrëdhënieve dypalëshe bazuar në njohjen e ndërsjellë (normalizimin) dhe kontekstin ndërkombëtar. Flitet gjithashtu për “angazhime specifike dhe garanci të ndërsjella shtesë për shqiptarët në Serbi dhe serbët në Kosovë”, zbatimin e plotë të marrëveshjeve ekzistuese dhe Dispozitat përfundimtare për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Çështja e dialogut Kosovë-Serbi, veçanërisht pas vizitës së të dërguarve francezë dhe gjermanë, është diskutuar edhe në takimin e paparashikuar dhe “urgjent” të kryeministrave të Kosovës dhe Shqipërisë në Tiranë.
Burime të Abcnews.al thonë se dokumenti i fundit që iu është dhënë politikanëve kryesorë në Kosovë dhe Serbi, përmban të paktën dy pika të ndjeshme, për të cilat duket e vështire të ketë marrëveshje. Bëhet fjalë për kufijtë dhe mënyrën sesi do t’iu referohet atyre në dokument.
Është folur për formate të ndryshme të dokumentit përfundimtar të marrëveshjes Kosovë-Serbi dhe sesi do të trajtohej kjo çështje, por ende nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar për propozimet e bëra. Një nga modelet e diskutueshme që ka të bëjë me kufijtë dhe pasojat që ka mungesa e demarkimit të qartë dhe përfundimtar të tyre, është ai i Izraelit.
Shteti i Izraelit u pranua në Kombet e Bashkuara (OKB) si anëtari i tij i 59-të më 11 maj 1949, por më shumë se 70 vjet pasi shpalli shtetësinë, kufijtë e tij ende nuk janë zgjidhur plotësisht. Udhëheqja hebraike në Palestinë shpalli krijimin e Shtetit të Izraelit më 14 maj 1948, në momentin kur mandati britanik përfundoi, por pa shpallur kufijtë e tij.
Të nesërmen Izraeli u pushtua nga pesë ushtri arabe, duke shënuar fillimin e Luftës së Pavarësisë së Izraelit. Luftimet përfunduan në vitin 1949 me një sërë armëpushimesh, duke prodhuar linja armëpushimi përgjatë kufijve të Izraelit me shtetet fqinje dhe duke krijuar kufijtë e asaj që u bë e njohur si Rripi i Gazës, Jerusalemi Lindor dhe Bregu Perëndimor. Shtetet arabe përreth refuzuan të njohin Izraelin, që do të thotë se kufijtë e tij mbetën të pacaktuar.
Kosova ka shpallur pavarësinë e saj në kufij të përcaktuar qartë, madje edhe në flamurin e saj, dhe është njohur nga më shumë se 100 vende. Kufiri I saj më I ndjeshëm mbetet ai verior ku kufitarët e Kosovës në njërën anë kanë përballë Serbinë dhe në anën tjetër, serbët e veriut, që përbëjnë shumicën dërrmuese të popullsisë në pjesën veriore./Abcnews.al/