Me mjetin e vetëm që ka pasur në dorë, me fjalën, ai ka bërë jo pak për Çështjen Çame. Ndaj Marin Mema ka qenë një nga figurat e vlerësuara sot nga PDIU dhe Shoqata Çamëria për kontributin e dhënë për këtë çështje.
“Për mua ky çmim ka një vlerë shumë të veçantë sepse vlerësime të tilla janë ngjyer me gjakun e të pafajshmëve. Brenda këtyre vlerësimeve është shpirti dhe zëri i këtyre njerëzve që nuk duhen harruar kurrë. Ne duhet ta risjellim, e ta risjellim, e ta risjellim përditë zërin e tyre. Ne duhet të sjellim gjithçka që ata kanë vuajtur, që kjo çështje të gjejë zgjidhje. Për shkak të emisioneve të shumta që kam bërë në Çamëri shumë njerëz më pyesin: “Marin, ti je çam”? Jo nuk jam çam, por jam shqiptar. Kur je shqiptar, je shqiptar edhe çam, shqiptar i Kosovës, i Iliridës, i Malit të Zi, i çdo krahine. Kështu duhet të ndihet çdo shqiptar. Duhet ta duam vendin tonë sepse ky vend mund dhe duhet të bëhet nga ata që e duan vërtetë”, tha Mema.