Nga Ilva Tare
Ajo që shqiptarët besojnë se është një bestytni e shoqërisë sonë të influencuar nga dramat ballkanike, rrezikon të kthehet në një mallkim me pasoja serioze. E kam fjalën për aksiomën e përsëritur ditë pas ditë në kafenetë e shqiptarëve, se çudia zgjat tri ditë. Këtë fat e kanë lajmet e mira dhe të këqija, tragjeditë dhe komeditë që për fatin e keq konsumohen në sy të opinionit publik në skena reale dhe virtuale, në institucione të duhura dhe të gabuara. Produkti përfundimtar komentohet në harkun maksimal të tri ditëve dhe më pas i vjen radha ngjarjes së radhës.
Kështu ndodh në mënyrë ciklike me pothuajse të gjitha lajmet që konsiderohen si tronditëse në 72 orët e shprehjes së interesit apo habisë për përmasat e ngjarjes. Ky ishte rasti i fenomenit të bullizmit, pas daljes së videos që poshtërohej një 20 vjeçar. Këtë fat pati historia e kërcënimit të rektorit, kur ishte kandidat, pavarësisht se po raportohet ende në media për të, por kryesisht për faktin se ai nuk po identifikon emrin e autorit që i kanosi jetën.
Shumë histori të tjera që kanë elementë shokues si për nga varfëria ekstreme, apo denoncime për korrupsion masiv, përfundojnë në stomakun e shqiptarëve si ushqim i përditshëm, pa vitaminat e të cilit nuk do të mund të mbyllej cikli i ditës. Shumica zgjedhin të vetëkurohen duke mos lejuar helmet e jashtme të depërtojnë në sistemin e tyre nervor të tjerë ndihmohen nga fluksi i ndodhive për t’i zëvendësuar me lajmin e fundit, që ndodh të jetë dhe më i rëndë për t’u kapëdirë.
Kësisoj, shoqëria shqiptare po rrezikon të paralizohet dhe të kthehet në një trup i pandjeshëm ndaj së keqes, të pamoralshmes, të dëmshmes, të dënueshmes. Përgjegjësia nuk është vetëm e individëve, edhe kur ata kanë formimin dhe mundësinë për të qenë llogari kërkues për fenomenet që ndodhin përpara syve të tyre dhe nuk është e largët dita që mund t’u hyjnë edhe në shtëpi. Shoqëritë tentojnë të rrëmbehen nga veçoritë e turmës që sa më shumë është e shtypur dhe e paditur merret përpara nga ata që kanë marrë përsipër ta menaxhojnë me rregulla, ligje dhe institucione garantuese të një bashkëjetese të formalizuar.
Kur institucionet janë të dobëta, të korruptuara, të shitura dhe të blera nga një pakicë drejtuese që e mban vendin peng të interesave të saj për më shumë se dy dekada, lajmi humbet fuqinë e të qenurit i tillë dhe kthehet në një thashethem pikant për debatin e radhës në televizion ose kafene. Të dyja këto të fundit janë institucione që kanë filluar ta konkurrojnë frikshëm njëratjetrën për shkak të deformimit të qëllimeve profesionale të medias dhe rritjes cilësore në investime gjithashtu luksoze të kafeneve, por me klientelë të painformuar ose të motivuar nga axhenda dhe interesa të caktuara. Pas dy javësh nga videoja e të rinjve që poshtëruan shokun e tyre dhe e publikuan aktin e tyre të dënueshëm, nuk u ndërmorr asnjë masë që publiku të jetë vënë në dijeni për të hartuar ndonjë ligj apo mekanizëm shtesë që do të ndëshkojë në të ardhmen jo më ndjekje në gjendje të lirë autorët, siç përfundoi rasti i sipërcituar. Tri ditë pas përfundimit të çudisë, duhet të vihen në punë institucionet dhe strukturat e tyre për të parandaluar përsëritjen e akteve të tilla në të ardhmen. Por, që të reagojnë, duhet të kemi institucione si fillim. Dhe që të ngrihen institucionet duhet të ushtrojnë presion të gjithë, duke filluar nga viktimat, te përgjegjësit e krimeve dhe sidomos ata që kanë më shumë në dorë të ndikojnë tek llogaridhënia dhe funksionimi i një shteti ligjor.
/javanews.al/