Nga Iva Tiço
Një ditë më parë, një tufë lulesh dhe një kuti çokollatash me një pusullë falënderimi më erdhi në redaksinë e Tirana Post duke ma zbukuruar ditën dhe duke më lënë në mëdyshje, sepse ishte pa emër. Pasi kontaktova dyqanin nga kishin ardhur, munda të merrja emrin e dërgueses dhe surpriza më e madhe ishte që nuk njiheshim personalisht dhe ajo më falënderonte për diçka që në të vërtetë unë as nuk e llogaris në listën e ndereve që u bëj apo më bëjnë të tjerët… Qe e gjitha kaq e bukur, sa u mpiva e u preka: dikush, që nuk e kisha takuar kurrë, por që kishim folur vetëm në inbox, më bënte një dhuratë kaq të bukur! “T’u bëftë dita njëmijë o Mark Zuckerberg!”, – mendova, “me shpikjen tënde na ke bërë të komunikojmë e të rrimë në kontakt me miqtë dhe na e pasuron jetën dhe me të panjohur kaq të mirë”.
Kjo ka qenë që në krye të herës qëllimi i gjithçkaje: të afrojë njerëzit, të shpërdajë mirësi, dashuri, njerzillëk. Pastaj, në të njëjtën mënyrë siç u shkatërrua dhe kopshti i Edenit pas shfaqjes së gjarpërit, ashtu edhe rrjeti, si çdo gjë që pas krijuesit bie në duart e njerëzve, nisi të shkatërrohej dhe erdhi e u pushtua nga ata që tashmë njihen edhe me një emër, “haters”(anglisht edhe ky si vetë rrjeti), njerëz që urrejnë. Fillimisht pranohej si një kosto që duhej të paguanim për këtë të mirë të madhe, ende sot ka shumë që e mendojnë kështu. Por dita ditës po pranohet që e gjitha po merr tiparet e një bullizmi të vërtetë, që ka prekur jo vetëm personat e njohur, ata që në njëfarë mënyrë ia bëjnë hallall këtë të keqe nëse llogarisin edhe shumë të mira që vijnë nga fama apo fitimet direkte nga reklamat në mediat sociale, por po prek edhe njerëz të panjohur, njerëz që në një pikë të jetës së tyre bëjnë diçka që bëhet menjëherë virale e turpërohen masivisht, njerëz që bëhen objekt talljesh, por sidomos njerëz të dobët, të pambrojtur. Bota ka njohur edhe raste vetëvrasjesh të tilla, siç ka njohur edhe të famshëm që nuk e kanë përballuar dot ankthin dhe stresin, gjithë presionin që vjen nga ky sulm në rrjet. E fundit prej tyre Selena Gomes, që e përjetoi aq keq, sa jo vetëm rreshti së postuari, por u shtrua dhe në psikiatri (këtu tek ne s’janë gjë spitalet psikiatrikë, se plot do ishin).
Kam qenë ndër të paktat, që vite më parë kam mbështetur atë që u quajt si ‘projektligji i Majlinda Bregut’, propozimin ligjor për të mos lejuar komentet ofenduese në mediat online. Në emër të të drejtës së shprehjes dhe lirisë së fjalës, propozimi i zonjës Bregu nuk u miratua dhe sot ata burra e gra që e mbrojtën të drejtën për të ofenduar, si pjesë e lirisë së mendimit, janë gjithashtu viktima të këtij bulluzmi të stërmadh që po ndodh kudo, në çdo portal, në çdo rrjet social. Një ushtri të dëshpëruarish, të ngeshmish, grindavecësh, parazitësh, të ligjsh apo njerëzish me skenarë të caktuar, nga mëngjesi në darkë shkruajnë e shajnë lart e poshtë këdo, fyejnë burra e gra, të huaj e shqiptarë, politikanë e sportistë, këngëtarë e modelë, vrasës a viktima, të mirë e të këqij, të njohur e të panjohur, të gjallë e të vdekur. Dhe në emër të lirisë së mendimit, ka nga ata që durojnë, ka nga ata që bllokojnë, ka nga ata që protestojnë, ka të tjerë që shajnë mbrapsht e bëjnë shamatë, ka të tjerë që ndezin sherrin e shtojnë ndjekësit dhe kështu rrisin audiencën dhe bëjnë edhe më shumë para… Jam edhe unë që bëj nga të gjitha këto më sipër, por që në një pikë më ka ardhur më majë të hundës dhe kam vendosur të mos intimidohem më e të mos i lejoj. Do të shash? Vjen të faqen time dhe vjell? Atëherë do të të nxjerr dhe unë me emër, me fytyrë në faqen time dhe të të shohin të gjithë se kush je! Mos më thënçin Iva po nuk e bëra këtë çdo ditë, në të njëjtën mënyrë siç ia doli në bregun përballë Laura Boldrini, e para që nisi në Itali të botonte emrat e atyre që shanin e kërcënonin, arritur sipas Huffington Post të “fitonte kundër barbarëve të rrjetit”. Ndoshta kjo është e vetmja mënyrë, t’i nxjerrim nga anonimati, t’i shfaqim me emër, me fotografi. “Filan fistëku, babai i dy fëmijëve të vegjël, sot ka thënë x gjë të rëndë kundër filan personazhi”. Bukur, ë? E ta shohim pastaj sa burra janë, kur të dalin nga fshehja pas një tastiere. Kush guxon të luajë me tastierën, nga tastiera le ta pësojë. Kurse ne të tjerët mund t’i kthehemi sërish Edenit që na dhuroi Zuckerberg! Po zhdukëm prej tij këta gjarpërinjtë që na e kanë helmuar, mbetet shpikja më fantastike, që të dhuron dashuri edhe nga njerëz me të cilët komunikon në inbox, si vajza që ma bëri ditën aq të bukur me lule e çokollata.