Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Kurrë nuk kemi vrarë pa arsye

Nga 27-shi 0

Nga Ilir Seci

– “Kurrë nuk kemi vrarë pa arsye” – shprehimisht kështu asht shprehë Nexhmije Hoxha në nji intervistë dhanun revistës gjermane “Der Spiegel”, në vitin 2004…
Domethanë ka vra me arsyet e saj dhe ato arsye kanë qenë politike… dhe ky arsyetim asht krejtësisht në rregull me apologjetët e diktaturës enveriste mbrenda e jashtë Shqipnisë.

Dje, enveristët shembën rrjetet sociale tue shprehë ngushëllime për monstrën e mbiquejtun “Vejusha e Zezë”, bashkëshorten dhe bashkëpunëtore deri në vdekje të diktatorit Enver Hoxha, e cila dje shkoi para krijuesit…

Mbas vitit 1992 ajo u arrestue dhe gjykue me akuzën për “Krime ndaj njerëzimit” dhe kur janë shpërthye burgjet në rebelimin e vitit 1997, ajo ishte mbrenda në burg. Ishte në burg, për çkado qoftë, edhe “për abuzim me kafe” – si mundoheshin me ironizue admiruesit e saj, ajo ishte në burg më 1997 dhe aty do mbetej po mos të vinte në pushtet me rebelim Fatos Nano – nxënësi beniamin i saj, ish-punonjesi i Institutit të Studimeve Marksiste që Nexhmija drejtonte deri sa u mbyll më 1991…
Asht e trishtë deri në shkurajim kjo patologjia kolektive që shfaqet në ngushëllimet e shprehuna nga ithtarët e saj mbrenda dhe jashtë atdheut…
– “Kurrë nuk kemi vrarë pa arsye” – tha Vejusha e Zezë.
Ka vra njerëz për politikë, ka vra shqiptarë mbarë, foshnja në bark të nanave, kur ka pushkatue nanat-shtatzana, ka vra fëmijë, ka vra pleq e plaka, gra e burra – të tanë këta shqiptarë. SHQIPTARË…
Në këtë patologji mundem me kuptue deri diku ithtarët e saj kriminelë nga Shqipnia që kanë ngjye duert me gjak duke i shërbye Nexhmijes, por asesi nuk mund i kuptoj ithtarët e saj në Kosovë e diasporë… që ndokush mundohet me e i justifikue me “Patriotizëm të deformuem”… atyne u duhet thanë: – “Shqiptarët i ka vra o enveristë patologjikë të Kosovës e Zvicrës, ju që e çani lëkurën e tupanit folkloristo-enverist duke i ra dum-dumeve të “patriotizmit të bacës Enver e nanës Nexhmije”…
Ka vra shqiptarë, SHQIPTARË të nji gjakut me ju ka vra o gjind!”
– “Kurrë nuk kemi vrarë pa arsye” – tha nana juej Nexhmije… të njajtën gja e ka thanë edhe Millosheviçi për vrasjet në Kosovë – “Kurrë nuk kemi vrarë pa arsye”…

Cili asht ndryshimi, kur ka vra Millosheviçi?! Shqiptarët janë vra në të dyja rastet… apo jo!?
Hapjani të pamen e qitjani hallvën Nexhmijes sa të doni, çani tupanat e prishni tavanet e odave nëpër dasma verore, kur me pare kapitalizmi pagueni rapsodet me ua kndue kangën e “bacës Enver”…. Ma mirë s’dini jo! Sepse, problemi asht ma i fellë…
Problemi asht se populli ynë trim e diktaturedashës asht rritë me mendësinë e atij qenit të rrahun… Kur robi mësohet me dhunë sistematike, nëse dhuna ndërpritet beftas, atëhere kemi problem të madh… njisoj si ndërpreja e insulinës për diabetikun. Trupi i skllavit mësue me u mbrojtë prej hunit çoroditet, kur nuk e merr racionin e përditshëm të zhdëpjes.

Si asht ajo anekdota e vjetër për atë bujkun dikund në Shqipni, i cili po u ankohej bujqëve tjerë në arë:
– “Ore nuk e di se përse është zemeruar Beu me mua? Ku ia kam prishur mor aman?” – qahej…
– “Pse thua ashtu?” – e pyetën bujqit tjerë…
– “Po u bënë dy javë ore që s’po më rreh si me rrihte përpara… ku i ka mbetur hatri në mua xhanëm që s’po më rrah më!?”

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej