Nga Edlira Troplini-Abdurahmani
Çamërishtja,
veçanësia, bukuria dhe domethënia e saj, ngjallin nga dita në ditë kureshtjen e mendjeve të hapura dhe kërkuese…. Por, para se të hidhemi tek një temë e tillë, e cila gjithmonë të tërheq e të pasionon, duhet t’i shpreh dy fjalë lexuesit, si shqiptare, thjesht e kuptueshëm. Shpërthime emocionale? Nuk bën dot ndryshe!
Një popull mashtrojeni, zhvisheni, mbylljani gojën dhe përsëri është i lirë,
Lëreni pa punë, pa pasaportë, pa ushqim, pa gjumë dhe përsëri është i pasur
Një popull bëhet i varfër, kur e privojnë nga gjuha, trashëgimia e të parëve,
e atëherë, ai është i humbur, përgjithmonë. (Zoccano 1985, 4/7)
Një gjë të tillë, politika e dredhisë së fqinjëve tanë e dinte mjaft mirë. Por, fatmirësisht, megjithëse arvanistave, por edhe çamëve të Greqisë, u është mohuar dhe vazhdon t’u mohohet gjuha, ajo gjuhë e vjetër gjallon ende sot, gati njëlloj, tek arbëreshët e Italisë, arbëreshët e Zarës, arbëreshët e Mandricës, arbëreshët e Ukrainës, identike tek shqiptarët e Çamërisë në Turqi, tek shqiptarët e hershëm në Amerikë, por ende shumë e freskët dhe e ëmbël është ajo tek shqiptarët e Çamërisë në Shqipëri.
Për fatin e tyre të keq, këto të folme fliten prej shqiptarëve në dhe të huaj. E megjithatë, diasporës kurrë nuk u është mohuar atdheu. E gjithë diaspora e hershme, e hallit dhe vuajtjeve, ka qenë e lirë të kthehet sot e të çmallet me vendin amë, përveç një pakice fatkeqe, të cilëve u është mohuar mëmëdheu në atdhe, shtëpia në shtëpi, prona në pronë….. Shqiptarët e Çamërisë sot s’kanë të drejtë të çmallen….
Por, era e vendlindjes po thërret. Ajo thërret kujtimet e të parëve përmes teje, o fëmijë i pafajshëm që skicove hartën. Erdhi dita që përmes kujtimeve t’i shihje ato troje, i detyruar përmes gënjeshtrës së bardhë. Pas pesëdhjetë vjetësh, i rritur e i moshuar tashmë, ti skicove hartën dhe gjete vendodhjen e shtëpisë tënde, përmes tregimeve e kujtimeve imagjinare, përmes amanetit që me lot t’u la, amanet që s’u tret kurrë. Për pesëdhjetë vjet, ti fjete bashkë me brengën e prindërve dhe sidomos të gjyshërve të lënduar deri në palcë. Ti, o fëmijë skicove hartën dhe me sa lehtësi i gjeje ato troje. Historia i dokumenton brengat, por kësaj radhe…..kësaj radhe…. po shënon kulmin.
Ndërsa ti o shqiptar, jo çam, që ke jetuar me të gjitha këto, e me gjëmën e të pafatëve, i ke njohur mirë të tëra, e mbi të gjitha ke njohur njerëzit, sepse u ke hapur dyert, ke vuajtur bashkë me to dhe ke kuptuar që janë shumë, shumë të zgjuar. Pas kësaj ndodh që me shpirt të bëhesh çam. Kjo shprehje për fat të keq po bëhet mjaft qesharake kohët e fundit…
More, të nderuar njerëz të këtij kombi të lodhur, mos bini në grackën e disa idiomave të politikanëve tanë “të zgjuar”, sepse nëse luan me këtë çast, dije se po bën një krim. Ky është një turp i madh për ty! Dhe a di pse? Sepse, ne jemi shqiptarë të Janinës, ne jemi shqiptarë të Himarës, ne jemi shqiptarë të Prishtinës, shqiptarë të Shkupit e të Ulqinit. Ne duhet të jemi çamë sot më shumë se kurrë e nëse nuk e ndien veten që je, ky është një turp i madh për ty!
Në cilin vend të botës vizita e tokës tënde bëhet fshehurazi e duke mohuar identitetin? Se për ndryshe, ti o i mjerë që ke bashkëpunuar me gjermanët që në moshën një, dy, tre, katër, pesë, maksimumi dhjetë vjeç…. ty, nuk të lejohet të shkelësh në vendin tënd për këtë krim lufte që ke bërë. Oh, pjesa më e mjerë e Shqipërisë së vërtetë. Ju i paskeni bërë krimet qysh fëmijë!
O politikanë fqinj të pandjeshëm! Mësoni, mësoni pak më shumë për historinë e vendit tuaj se bashkë me kujtimet e zeza, kjo pjesë e mjerë e Epirit jugor ruan edhe kujtime të bukura, ato të bashkëjetesës në harmoni me popullin tuaj. Por, si mund t’i bëni kaq dëm miqësisë së vjetër? Por, si mund të dëmtoni me kaq paaftësi miqësinë e dy popujve? Por si guxoni të dëmtoni miqësinë e dy qytetërimeve të mëdha, ilir e grek? Por, si guxuat e shkelët kaq shpejt mbi gjakun e atyre që sakrifikuan për shtetin tuaj; për shtetin që ju i thoni shtet, që më pas u pa se s’ishte gjë tjetër veçse hileja e radhës? Si mund që sot të përdorni një tjetër dredhi të tillë duke u fshehur pas ligjit të luftës?
Këto pyetje janë retorike, por ndonjëherë retorikën duhet ta shkruash dhe këtu ka vetëm një përgjigje: – frika e paaftësisë për të bërë shtet e për të qenë një shtet, nga frika e një shteti të ngritur padrejtësisht, sepse vetëm një i tillë shtet, mund të bjerë një ditë. Dënimi prej popullit tuaj do t’u vijë!
O njerëz politike të nderë, mos i nëpërkëmbni më njerëzit, sepse, kur gjuha thërret, vatani përgjigjet.
Historia e gjuhës është historia e popullit që e flet atë. Ju e dini këtë mjaft mirë, sepse nuk e keni neglizhuar çamërishten, përndryshe do të lejonit të flitej, por nuk e kuptoni sa gjuhë e rrallë është shqipja? Apo e kuptoni? Mjafton një tingull, një ofshamë dhe çamërishtja tek shqiptarët e Çamërisë zbulohet.
Çamërishtja është pjesë e identitetit të çamëve. Çamërishtja është pjesë e identitetit të shqiptarëve. Çamërishtja është një ndër vlerat më të mëdha të krahinës së Çamërisë. Çamërishtja është një vlerë e vyer e Epirit Jugor; është vlerë e madhe e kombit tonë. Prandaj, veçanësia, bukuria dhe domethënia e saj, ngjallin nga dita në ditë kureshtjen e mendjeve të hapura dhe kërkuese dhe kijeni edhe më shumë frikë çamërishten….
Çamërishtja është argument i padiskutueshëm i autoktonisë së kombit tonë. Çamërishtja është një argument i qëndrueshëm; argument i vijimësisë iliro-shqiptare, argument pse quhemi, pse jemi shqiptarë, pse mbajmë një gjuhë dhe pse jemi një komb.
S’mund të shuhet lehtë një gjuhë. Si mund të shuhen rrënojat e Thyamis-it të lashtë antik? S’mund të fshihen 13 fiset e Epirit. Si mund të shuhen tre prej tyre që krijuan formacionet më të fuqishme shtetërore? S’mund të shuhet Tesprotia e lashtë e Epirit. Si mund të shuhet krahina e Çamërisë? S’mund të shuhet gjuha. Si mund të humbasë çamërishtja? S’mund të nëpërkëmbet një komb, sepse një komb është një gjuhë.
Një gjuhë, e cila dokumenton faza të hershme të shqipes, një gjuhë që dokumenton afërsinë midis dy kryedialekteve e që tregon se ka qenë një komb shumë më i madh. Si mund të shuhet gjuha e Buzukut? S’mund të nëpërkëmbet, sepse flasim çamërisht në Kosovë, në Maqedoni, kur udhëtojmë në Kalabri, në Zarë e në Mandricë… Në Izmir flitet çamërisht, në Himarë flitet çamërisht, në Dibër, Shkodër e Tropojë flitet çamërisht, sepse ne jemi një komb, një gjuhë.
Këtë e vërtetojnë: Nishi (Naissus), Drishti (Drivastrium), Shkodra (Scodra), Lezha (Lissus), Drini (Drinus), Buena (Barbana); Mati (Mathis), Ishmi (Isamnus), Durrësi (Dyrrachium), Dalmacia (Dalmatia) Ulqini (Ulcinium), Dardania (Dardania) e bashkë me këto dhe shumë të tjerë, Thyamis – Çamëri, vazhdim jo grek i parë si i tillë nga William Martin Leake.
E bashkë me këtë dhe shumë e shumë të tjera fjalë, siç janë emri mesapik i bijës tek Theotorri “bilia”, siç është sot në çamërishte; apo emri i qytetit ilir të partinëve që në burimet greke përmendet si Dimale dhe nga historiani Niebuhr (1851) shpjegohet me shqipen di=dy mal. Këtë emër topic Dimale e gjejmë edhe sot në qarkun e Filatit të Çamërisë. Por, me të tilla argumente do të merremi më vonë…
Këto janë trojet tona sot të shkruara shqip e dikur ilirisht. Ato janë qytetet tona sot, ku ne jetojmë, këtu ku jemi, prandaj sot shqiptarë duhet të jemi, me vendosmëri e me shpirt, më shumë çam se kurrë!