Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Kur sjelljet e shoqërisë civile duhen parë dhe si çështje moshe

Nga 27.al 0

Nga Ermir Hoxha

E ashtëquajtura “shoqëri civile” është riaktivizuar për të kundërshtuar ngritjen e një parku lodrash për fëmijë tek kodrat e liqenit në Tiranë, por jo më me reagime fizike duke u kacafytur me polici; e nga ana tjetër, edhe puna për ndërtimin e parkut ka rinisur, si premtim i Veliajt për t’jua dhuruar me patjetër  fëmijëve dhe prindërve me 1 qershor, e thënë kjo prej tij me një patetizëm, më shumë politik sesa social.

Por çfarë ka ndodhur e po ndodh, parë ftohtësisht ka nxjerrë në pah më shumë sesa problemet në stilin e qeverisjes së Tiranës nga Veliaj, atë në llojin e të bërit debat mbi një çështje, si dhe mbi profilin e shoqërisë civile.

Sa i përket çështjes në fjalë, duhet ofruar si shembull precedenti i Kullës Ejfel. Simbol i Parisit dhe i Francës, që nëse ia heq sot i lë pa identitet, edhe ai ka patur kundërshtarë të flaktë teksa lartohej mbi kryeqytetin francez, shumë më tepër e shumë më të zëshëm se këta tanët karshi parkut të Veliajt, siç ka qenë Gi Dë Mopasan.

Gjë që do të thotë se mosdakortësia ndaj diçkaje është në natyrën njerëzore. Dhe në këtë pikë, nuk ka pse Veliaj kërkon konsensus absolut në atë që ka ndërmend të bëjë. E nga ana tjetër, është dhe mënyra e mbapshtë se si zhvillohet debati mbi të. Projekti i këndit të lodrave është ekskluzivitet i dy grupimeve: juristëve, atyre që e trajtojnë nga pikëpamja ligjore nëse është ose jo “ok”; si dhe i urbanistëve e ambientalistëve.

Por këta të fundit duhet të jenë profesionistë fushe e jo ëndërrimtarë në ajër. Por dhe kur debatin e marrin në dorë profesionistët, ndodh që këta të fundit nisin e bëjnë “shoqërinë civile”; siç qe rasti i Besnik Aliajt që në një emision televiziv e nisi fjalën e vet duke përmendur protestat në Gezi Park të Stambollit; ndërkohë që duhet ta dijë se është shumë larg tyre në të kuptuarit e asaj së ç’luhej nën rrogozin e atyre protestave, ku grupime të droguarish, pijanecësh, homoseksualësh e tranvestitësh të gjirizeve të Taksimit, u bën njësh për një të ashtëquajtur kauzë ambientale.

Aliaj duhet të na kishte sqaruar vetëm në terma profesionalë se pse nuk duhet ndërtuar aty një park lodrash dhe se cilët ishin precedentët botërorë që e kundërshtonin një zgjidhje të tillë. Kaq. Sferën e llogjeve e mbulojnë të tjerë.

Dhe vijmë tani tek “shoqëria civile”, fitilndezëzja e debatit. Çfarë statusi ka ajo në këtë sistemin tonë, me rregullojat e lojës që e karakterizojnë? Ajo ka status ndërgjegjësues nëpërmjet gjithë llojeve të aksioneve që ndërmerr, por jo ekzekutiv, pasi i mungon mandati për këtë punë.

Përndryshe, nëse nuk ja del dot, t’i futet politikës, të mandatohet me votë dhe t’i bëjë vetë ato që mendon se janë më të mira për t’u bërë. Kjo është gjuha sistemit. Çfarë është tej kësaj, është një investim për anarki; ose për krijim precedentësh që më pas do viktimizonin edhe këta nëse do vinin një ditë në pozita ekzekutive. Aktorët e shoqërisë civile duhet ta kuptojnë se po u gjendën një ditë në këto pozita, do t’ju vijë turp nga vetja kur t’u shkojë në mendje sjellja e tyre me nuanca revolucionare.

Të paktën në këtë pikë, Veliaj është i avantazhuar si ish-kryemjaftist, sepse, në të gjitha format e zgjedhura të oponencës ndaj pushtetit si shoqëri civile, sado të shëmtuara të ishin në prirjen për t’u dukur interesante, ushtrim dhune nuk ka patur; reagime fizike për të diktuar me forcë diçka nuk ka regjistruar në karrierën e tij si pjesëtar i “shoqërisë civile”.

Ndërkohë, me përjashtime të rralla, askush prej atyre që i janë vënë me gurë në trastë parkut nuk është specialist në ndonjë fushë të caktuar që ka lidhje direkte me ndërtimin e tij. Askush prej tyre nuk paraqitet në debat me referenca, por vetëm me retorika bajate, të cilat ngjajnë më tepër me fenomene psikologjike të moshës. Pra, i vetmi justifikim i zellit të tepruar të tyre kundër parkut – pa iu futur fare çështjes së implikimeve të padukshme politike, që jo domosdoshmërisht ekzistojnë në këtë rast – është ai që gjendet në thënien idiomatike: “Kanë moshën për këto gjëra!”

Prej kësaj rrjedh një arrogancë që atyre vetë mund t’u ngjajë si heroizëm, përmbushje e adrenalinës moshore, por që për mendjeftohtët, ata që janë jo me Erjon Velinë por me ligjin, rendin, respektimin e “lojës demokratike”, reagimet e tyre përfshihen tek trillet egocentrike që rrezikojnë më pas të shndërrohen në trend.

Është vërtet bukur ta lexosh Don Kishotin, por jo ta imitosh atë.

Dhe më pas është opozita ajo që, jo vetëm duhet të gjejë mënyra për ta diferencuar veten nga shfaqjet e së ashtëquajturës “shoqëri civile”, por shkon dhe e imiton atë; duke harruar se instrumentat e saj për ta kundërshtuar diç, për të cilën nuk është dakord janë krejt të tjerë.

Madje ajo, ka për detyrë ta edukojë “shoqërinë civile”, ta civilizojë atë duke ia mësuar rregullat e lojës së sistemit, në mënyrë që mos i ngatërrohet nesër nëpër këmbë po me të njëjtën mënyrë kur të jetë në krye të punëve.

/tesheshi.com/

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej