Eliona Gjermeni, hematologe në Poliklinikën e Specialiteteve Nr. 3 në Tiranë, në një intervistë për MAPO shpjegon rëndësinë e analizës së gjakut dhe pse përballë sinjaleve që na çon trupi nuk duhet të jemi neglizhentë.
Pse kërkon një hematolog një analizë gjaku?
Analiza e gjakut është e rëndësishme për çdo mjek, por mjeku hematolog kërkon kryerjen më të detajuar të një analize gjaku, pasi mund të kërkojë një analizë gjaku komplet, paraqitja në to e serive të bardha, seria e kuqe dhe seria trombocitare. Akoma më shumë thellohet mjeku hematolog sepse i kërkon këto vlera jo vetëm në numra por në përqindje, formulë leukocitare të detajuar, një trombocit i numëruar akoma më mirë në një lamë që është e parë më në detaje dhe në një xham i parë në mikroskop. Rruazat e kuqe janë të rëndësishme edhe si numër në vlerë totale, por edhe si formë dhe si cilësi, ajo që ne quajmë morfologjia e eritrocitit. Për të diagnostikuar dhe për t’i vënë emrin e duhur një lloj anemie ne duhet që ta eksplorojmë sa më mirë dhe në mikroskop. Analizat të tjera që kërkon një hematolog përveç gjakut komplet janë elektroforeza, depoja e hekurit që ne ndryshe e quajmë ferritinemia dhe gjendja e hekurit qarkullues, sideremia. Këto janë më të shpeshta. Analiza të tjera më të thelluara mund të merren në gjak por edhe në palcën e kockave. Analizat që ne kërkojmë kanë të bëjnë edhe me një dyshim për një problem shëndetësor që ka një pacient, si fëmijë, qoftë ky i rritur, qoftë edhe të një moshe më të madhe. Mjekët kur kanë një dyshim të tipit në formën e një anemie ose një gjendje temperature, ose shfaqjen e disa njollave të pasqaruara mirë në lëkurë, patjetër që ne kërkojmë një analizë gjaku të plotë. Më të rrezikshme në sëmundjet e gjakut janë format e rënda, malinje që përfshijnë ato që quhen leukemitë, limfomat dhe ndryshime të tjera që mund të ndodhin në palcë. Për shqetësimet më të shpeshta një analizë gjaku na heq dyshimin për një problem të gjakut apo për një problem të një lloji tjetër sëmundjeje.
Kemi dëgjuar disa lloje analiza gjaku, gjak në gisht, në damar, gjak komplet, ku qëndron ndryshimi?
Marrja e gjakut për të realizuar analizat e gjakut zakonisht merret nga gjaku venoz. Vendi ku analizohet është në pjesën e brendshme të parakrahut, më e shpeshta te të rriturit. Por te fëmijët është pak më e vështirë ndaj dhe përdoret pjesa e sipërme e pëllëmbës, aty ku gjendet një venë ku ne mund të marrim gjak, pasi këto janë vena lehtësisht të kapura nga një age apo vigon. Kurse gjaku në gisht, themi ne shpimi në gisht, merret me shpim në pjesën e mollëzës dhe shpohen kapilarët periferikë dhe gjaku del e rrjedh në formën e pikave. Kjo lloj analize përdoret edhe për gjakun komplet, kur ne duhet ta realizojmë shpejt për të bërë një grup gjaku shpejt, për të matur një glicemi. Për analiza të këtij lloji dhe që duan një sasi më të vogël gjaku. Por më e plotë dhe më e saktë është analiza që ne marrim në pjesën venoze, në pjesën e brendshme të krahut sepse mbushim një tub të veçantë, përmes tij marrim një sërë analizash njëkohësisht që mund të futen në laborator. Analizë tjetër përveç gjakut venoz merren edhe në gjak arterial, këtë duhet ta realizojë patjetër një personel i kualifikuar për marrjen e tij. Merret në pjesën radiale të dorës por në arterie tashmë kjo është pak e vështirë për t’u gjetur pasi gjaku këtu ka një presion më të lartë por na duhet që të matim oksigjenin, elektrolitet sepse kjo bëhet në kushte spitalore. Mund të merret dhe gjak venoz dhe gjak arterial. Edhe në pjesën e brendshme të parakrahut dhe në sipërfaqen e pasme të pëllëmbës. Për personat që kanë shumë kohë që trajtohen ose manipulohen, këto vende mund të mos jenë më të përshtatshme ndaj dhe mund merret gjak në anësitë e poshtme ose në pjesën e qafës, por duhet sqaruar se janë vende për një stad më të avancuar të sëmundjeve apo trajtimeve spitalore. E rëndësishme është ndarja nëse duhet gjak venoz apo nga gjak arterial, sepse këtu ndryshojnë vlerat, duke qenë se gjaku është një lëng që përhapet në të gjithë trupin, oksigjenon të gjitha indet dhe përqindja ndryshon në vlera të ndryshme.
Cilat janë sinjalet e trupit që duhet të na çojnë drejt kryerjes së një analize gjaku?
Për fëmijët e vegjël, nëna është personi më i rëndësishëm për ankesat e tij. Një temperaturë e zgjatur me shumë se një gjendje gripi, një dhembje në pjesën e barkut dhe ne nuk i dimë shkakun, shfaqja e një ënjtjeje, shfaqja e një ënjtjeje në pjesën e qafës, në pjesën e sqetullës që tregon për praninë e një limfonoduli, janë sinjale që tregojnë se duhet patjetër ta çojmë fëmijën për ta diagnostikuar. Një zbehtësi e padiagnostikuar, duhet kryer diagnostikimi nëse ky është një problem i gjakut. Gjithmonë një analizë gjaku na vë në dijeni që ky ndryshim është shfaqur, kjo sëmundje po ndodh dhe ka dhënë dhe ndryshime në gjak. Shpeshherë një gjendje kalimtare ka luhatje të vlerave dhe parametrave të gjakut, por duhet kontrolluar në kohë. Shpeshherë këto ndryshime janë të përkohshme dhe i kërkojmë një rikontroll pas një muaji apo pas dy javësh, në varësi të ankesave. Një adult që vë re një lodhje të papritur, një dhembje kockash që nuk qetësohet dot, që nuk qetësohet nga analgjezikët, një temperaturë që nuk po kontrollohet, një dhembje fyti, gjithmonë është mirë që të bëjmë një analizë gjaku se mund të dalin probleme që në pamje të parë nuk janë shumë të dukshme por që bëhet e dukshme në pjesën e gjakut. Kryerja e një analize gjaku është mirë të bëhet pasi edhe sëmundjet e rënda të gjakut mund të shfaqen me një dhembje të lehtë koke, një rënie të lehtë në peshë, nëse zgjatin në kohë dhe neglizhohen mund të gjendemi përballë sëmundjeve të rënda. Në rastin e matjes së glicemisë, gjaku duhet marrë esëll, por në rastin e kryerjes së analizës së gjakut nuk prish punë nëse jemi esëll apo jo. Preparate të ndryshme gjithmonë mund të ndikojnë në vlerat e gjakut dhe ne duhet të jemi në dijeni të mjekimeve që ai merr. Jo gjithmonë ajo që del në një analizë është e frikshme, e tmerrshme, por do një ndjekje nga mjeku specialist. Në rastin e limfomave, leukozave ne kërkojmë analiza të dyta rikonfirmuese dhe analiza të mëtejshme për të vënë një emër, nuk mjaftohemi me kaq. Por një gjëndër, një njollë gjaku, një temperaturë e lartë, një zbehtësi më e theksuar, këto janë gjëra më të thjeshta, janë të gjitha këto sinjale që duhet ta çojë te mjeku, më pas është mjeku që përcakton diagnozën.
Ndryshojnë analizat e gjakut sipas grup moshës dhe gjinisë?
Po, mosha, gjinia kanë rëndësinë e vet. Një analizë gjaku në kolonën e parë tregon vlerat se sa i ka një pacient, në kolonën e dytë tregohen parametrat brenda normave, kufiri i poshtëm dhe kufiri i për sipërm. Gjaku normal është i ndryshueshëm me moshën. Në fëmijëri formula leukocitare ka disa ndryshime që janë të pranueshme për këtë moshë. Me rritjen kemi një përshtatje të tillë që pastaj marrin ato të adultit dhe vazhdojnë gjatë gjithë jetës. Mosha të ndryshme, p.sh. fëmijët bëjnë një analizë për të parë nëse kanë një problem të lindur, ndonjë problem të trashëguar, një ndjekje që kërkon më shumë vëmendje sesa një problem i thjeshtë. Gratë shtatzëna duhet të bëjnë patjetër një kontroll të gjakut çdo tremestër për të bërë një bilanc me gjak të plotë. Të moshuarit kanë një kontroll tjetër, mund të kërkojnë kontroll të përmuajshëm në rast se kanë një sëmundje kronike që duhet ta kontrollojnë, ndryshimet që i japin medikamentet që ato marrin. Sa u takon të sëmurëve kronikë, kryerja e një analize gjaku synon kontrollin e sëmundjes që ka por edhe ecurinë e mjekimit, pasi ka raste që mjekimet mund të japin efekte anësore. Bëhen kontrollet, shikohet skema e mjekimit, bëhen rregullimet e domosdoshme si përshtatje doze, ndërrim preparati. Te të sëmurët kronikë duhet të jemi edhe më shpesh afër tyre, duhet treguar më shumë kujdes se kategoritë e tjera. Analiza të veçanta kanë rëndësi të merren duke përdorur një mjekim ose duke mos e përdorur.
A mund të lexojmë vetë një analizë?
Gjithmonë pacientët janë kuriozë të shikojnë analizat e veta me një ndjenjë kurioziteti dhe me një ndjenjë frike. Nga njëra anë kanë dëshirë të njohin veten, nga ana tjetër kanë frikë se mos aty ka ndonjë problem. E rëndësishme është që ajo analizë që është kërkuar nga një mjek të respektohet mjeku dhe të çohet tek ai për të marrë përgjigjen dhe sqarimin. Shpeshherë thuhet nuk keni asgjë dhe lihet me aq. Nëse shihet një problem pas disa muajsh, shfaqet kjo analizë, duket se ky problem ka filluar që aty. Nuk është diagnostikuar në kohë, nuk është vlerësuar si duhet dhe është lënë në qetësi. Mjeku ju sqaron për të gjitha dyshimet dhe ankesat që ju keni, merret mendim edhe nga pacienti. Por gjithsesi ka një shpjegim mjekësor për ato vlera të analizave sepse ndonjëherë i bëjnë problemet më alarmante se sa janë, por më e keqja është kur neglizhohen dhe lihen pa trajtuar ose kanë frikën e vazhdimit të trajtimit dhe bërjes së analizave të mëtejshme. Ndonjëherë një analizë nuk është e mjaftueshme për t’i vënë emrin sëmundjes, por ajo të detyron më tej me ekzaminime, me kontrolle të mëtejshme. Një analizë është një sinjal i qartë për diçka që po ndodh.