Policia e Fierit ka vënë në pranga dy shtetas, ndërsa është shpallur në kërkim një i tretë, për akuzat “Kultivim, prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”. Sipas njoftimit, bëhet fjalë për shtetasit Arshi Hoxhaj dhe Eltjon Hoxhaj, babë e bir, ndërsa në kërkim është shpallur djali tjetër, Damirel Hoxhaj.
Gjatë kontrollit në banesën e tyre u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, rreth 8 kg lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, 2 armë gjahu pa leje, 2 automjete dhe shuma të konsiderueshme parash, të dyshuara të përfituara nga aktivitetet kriminale.
Gjithashtu, në vijim të kontrolleve, në një sipërfaqe toke në pronësi të këtyre shtetasve, u gjetën të kultivuara 163 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet për veprime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier.