Nga Klodian Tomorri
Debati ekonomik këtë vit ka qenë i dominuar gjerësisht nga koncesionet. Por, shumë shpejt 2018-a do të kujtohet edhe si viti që vulosi përfundimisht deshtimin e një prej reformave më të trumbetuara nga qeveria; atë të sektorit energjetik.
Në vitin më të mirë hidrik të dy dekadave të fundit, ku deri pak muaj më parë digat e tejmbushura të hidrocentraleve kërcënonin seriozisht të përmbytnin gjithë Shqipërinë Verilindore, qytetarët shqiptarë po paguajnë rreth 80 milionë euro për të blerë energji nga importi. Kjo nuk kishte ndodhur kurrë më parë dhe arsyeja kryesore është modeli i tregut që qeveria ka ndërtuar në sektorin energjetik.
Në zinxhirin publik të energjisë, nga prodhimi në hidrocentralet e Kaskadës së Drinit deri tek shpërndarja në banesat e qytetarëve, është futur në mes edhe një hallkë private. Këta janë tregtarët e energjisë, të cilët blejnë energjinë e prodhuar nga KESH me çmim të lirë dhe më pas ia shesin atë Operatorit të Shpërndarjes me çmim të shtrenjtë.
E thënë shkurt ndarja e KESH dhe OSHEE në dy kompani të ndryshme ka krijuar një gropë të madhe, e cila përmes kësaj skeme përpin çdo vit miliarda lekë nga qytetarët duke i transferuar ato si fitime në kontot e tregtarëve privatë apo rryshfete në xhepat e zyrtarëve. Por, ky nuk është problemi i vetëm; edhe në aspektin menaxherial, ndarja e KESH me OSHEE krijon humbje publike. Qytetarët paguajnë administratë të dubluar, shpenzimet publike të sektorit nuk prioritarizohen tek investimet më të rëndësishme, pasi çdo kompani prokuron për interesin e saj dhe çka është më e rëndësishmja, ndarja e kompanive çon në keqmenaxhimin e rezervës hidrike.
Kjo është e provuar edhe shkencërisht. Në tryezën e qeverisë qëndron një studim i kryer nga një kompani ndërkombëtare mbi sistemin energjetik dhe modelin e tregut që duhet të aplikojë Shqipëria. Përfundimi kryesor i studimit është se prodhimi dhe shpërndarja e energjisë duhet të menaxhohen nga një kompani e vetme. Pra, KESH dhe OSHEE duhet të jenë një kompani, ashtu siç është në Francë, Kroaci apo shumicën e vendeve ku sistemi është publik në të dy hallkat e tij si në prodhim ashtu dhe shpërndarje. Por, me sa duket dikujt në majat e larta të pushtetit nuk i intereson ky skenar, por ruajtja e status quo-s.
Ashtu siç është aktualisht, sistemi energjetik është shndërruar në një mekanizëm zhvatës. Nuk ka rëndësi nëse hidrocentralet në kaskadë janë plot apo bosh. Qytetarët shqiptarë do të paguajnë njësoj si në vitet e thata, ashtu dhe në ato me reshje të shumta, dhe një pjesë e këtyre parave do të treten.
Ky është një model tregu që po ngarkon kosto të mëdha tek qytetarët shqiptarë. Pavarësisht çmimit të rritur të energjisë, financat e kompanive publike nuk përmirësohen. Borxhet nuk janë ulur, ndërkohë që shumë shpejt me këtë model tregu çmimi i energjisë mund të rritet sërish. Kjo është fatura e shtrenjtë që qytetarët po paguajnë për kryereformën e qeverisë.