Kanë shteruar të gjitha mundësitë që krizën ta zgjidhin burrat e politikës shqiptarë dhe për këtë kryetari i PDIU-së propozon që kriza ti lihet për zgjidhje forumeve të grave të të PD – PS – LSI- PDIU. Gjatë fjalës së tij në takim me gratë e PDIU-së, Idrizi propozoi të mblidhen të hënën forumet e grave të katër partive parlamentare, i sigurt se prej bisedimeve të tyre do të vijë zgjidhja politike.
Gjatë një takimi me gratë e Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi është shprehur se zgjidhja e krizës politike gjendet në Paktin Kombëtar i publikuar prej javësh nga PDIU. Por ai thekson se janë të dyja forcat politike, shkaktare të krizës dhe duan ta mbajnë ende situatën në krizë. PDIU u kërkon dy palëve të shohin për nga zgjidhja dhe jo tensionimi.
Gjatë fjalës së tij nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë bëri me dy dije dhe dy nisma ligjore për barazinë gjinore dhe ndalimin e trafikimit të qënieve njerëzore.
Më poshtë gjeni fjalën e plotë të Shpëtim Idrizit.
Kur piktori çam Koli Idromeno realizoi pikturën “Motra tone”, gjithë bota shqiptare dhe jo vetëm zbuloi se dashuria për motrën, nënën, gruan është një gjë hyjnore.
Ne jetojmë në një botë maskiliste, ku burrëria është kthyer në rregullator të jetës. Jetojmë në një botë, ku një grua duhet t’i nënshtrohet vullnetit të një burri, pa i thënë kush përse duhet të ngjasë kështu.
Megjithëse ecim përpara, madje me shumë shpejtësi drejt hapjes së mendjes, teknologjisë, ende jetojmë si në kohët e dikurshme, ku vajza ndryhej brenda mureve të një shtëpie dhe kthehej në një shërbyese pa mëditje.
Koli Idromeno këtu mori guximin, këtu theu mentalitetin e kohës, sepse demonstroi pa kurrfarë droje që dashuria për qënien njerëzore, dashuria për gruan është sublime.
Më shumë se një shekull ka kaluar qysh atëherë, por ende sot e kemi gruan viktimë të dhunës, viktimë e trafikut njerëzor, viktimë e punës së rëndë, viktimë e punës së paguar pak.
Le t’i qëmtojmë pak me radhë.
Ende në Shqipërinë e sotme, ose më mirë mes shqiptarëve, krimi në familje është në kulmet e tij.
Gruaja që dhunohet nga bashkëshorti, vajza nga vëllai, nëna nga i biri është një faqe e urryeshme e jetës sonë të përditshme. Gazetat, televizionet, portalet tona janë të mbushura plot me këto kumte, ku gruaja rrihet, lëndohet, për fat të keq edhe vritet.
Duhet të jesh një mendje e sëmurë që dobësitë e tua si burrë t’i shprehësh mbi një krijesë pothuaj e pambrojtur. Një shqiptar i mirë, nuk ka si të dojë atdheun, kauzat patriotike, nëse në radhë të parë nuk do njerëzit e shtëpisë së tij, strehën e tij.
Prandaj, sot para jush sjell ndër mend Koli Idromenon me “Motra tone” dhe kërkoj t’ju sjell mbrapsht në kohë, tek ata çamë burra të mëdhenj, me nam në gjithë botën që donin me gjithë shpirt qënien grua, sepse donin botën, lirinë, atdheun.
Të dashura motra,
Ju drejtohem në këtë mënyrë, sepse dëshiroj të shuaj gjitha llojet e distancave që mund të krijojë hiearkia politike. Dua që ta konsideroj veten sot të barabartë mes të barabartëve, sepse për këtë ka më shumë nevojë sot gruaja dhe shoqëria shqiptare. Ky është dhe një nga qëllimet politike më të larta të PDIU-së në këto kohë që jetojmë.
Si mund ta pranojmë ne që merremi me politikë që një qënie mund të trafikohet për qëllimet më të errëta të epshit? Si mund të jetojmë në një shoqëri kaq të shtrembër, kur rrugët e trafikut dhe më pas semaforët e Europës të jenë të mbushura me vajza nga Shqipëria? Si mund të kemi kaq pak dashuri dhe respekt për burimin e jetës.
Ne jemi të gjithë bij të Evës dhe Adamit ose Havasë dhe Ademit. Rrjedhim nga kjo zanafillë e jetës, ndaj nuk mund të vrasim burimin e saj, duke shfrytëzuar mishin për të nxjerrë para.
Kjo është arsyeja që PDIU kërkon hga të rinjtë të tërhiqen nga vesi, nga rrugët e të paudhit për të fituar para dhe t’i kthehen punës. Nuk janë fitime ato që mund të nxjerrësh nga skllavërimi në rrugë i motrës, të fejuarës apo fqinjes. Ato para janë mallkim që do të të shoqërojnë gjithë jetën dhe vrasin vlerat e një shoqërie.
Kjo është arsyeja që nga kjo tribunë kaq e nderuar dhe e veçantë, ju bëj me dije se në Kuvendin e ri të Shqipërisë, ku partia jonë është e sigurtë që do të dyfishojë mandatet e ligjvënësve, puna e parë që do të bëjmë është të kërkojmë ndryshimet në Kodin Penal, ku do të kërkojmë më ngulm dënimet më të ashpra, më të rënda për trafikantët e qënieve njerëzore.
Nuk mund të lejojmë të jetojmë në një shoqëri, e cila duhet të punojë për rritjen e Kombit, bashkimin e tij dhe në të njëjtën kohë të jetë strehë për ata që i vënë minat burimit të jetës, mirëqënies dhe dashurisë së atdheut.
Nuk ka vend edhe për trafikantin, edhe për patriotin në të njëjtën shtëpi. Patrioti vepron në liri, trafikanti duhet të gjallojë vetëm pas hekurave të burgut.
Kjo është ligjësia e Shqipërisë së bashkuar që ne kërkojmë.
Ne, kërkojmë që shqiptarët t’i kthehen punës, t’i bëjnë ballë jetës duke përveshur llërët, jo duke i rënë për shkurt rrugës së kumarit, bastoreve apo sallave të lojërave. Të punojnë, jo të shohin gratë që i bien shatit në arë apo mbajnë akoma turrën e druve në shpinë, thua se janë kafshë pune. Këtij mashkulli dembel, parazit duhet t’i themi as më shumë e as më pak, por “Jo!”.
Dhe mos kujtoni që këtë farë burri e gjeni vetëm nëpër katunde apo zona të humbura. E keni gabim! E gjeni në bash të vendit. Shkoni në zyrat e shtetit. Punojnë dhe ndrisin vetëm gratë, por më shumë paguhen burrat. Shkoni në sipërmarrjen private dhe është e njëjta gjë.
Prandaj, një nga shtyllat e programit tonë ekonomik është zhdukja e plotë e diferencimit në pagesa mes gruas dhe burrit. Asnjë arsye nuk ka që për të njëjtën punë një grua të paguhet më pak se një burrë. Nëse ecet me këtë mëndësi, thua se jemi prapa botës.
Të dashura motra,
Jua thashë të githa këto, sepse ishte rruga më e lehtë për t’ju shpjeguar që përse zonjat, gratë janë shtylla e vërtetë kurrizore e PDIU-së. Nuk do bëj me ju propagandë për barazi gjinore, por ju premtova dy iniciativa ligjore, me të cilat do të hyjmë në fushatë dhe do i plazmojmë me fitoren e zgjedhjeve të përgjithshme.
Natyrisht, do të ishte e pamundur të mos ndaja me ju sot edhe disa konsiderata tonat politike në lidhje me krizën politike që ka përfshirë vendin.
Para disa ditësh Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet i propozoi të gjithë klasës politike në Pakt Kombëtar për të dalë një herë e mirë nga kjo kënetë që klasa politike shqiptare ka 26 vjet që krijon. Hyjmë e dalim në kriza ciklike politike, megjithëse situata gjeo-politike është krejt në anën tonë.
Kriza politike, në të cilën të gjitha palët janë po aq shkaktarë dhe fajtorë vjen në një moment tejet delikat për shqiptarinë. Teksa për herë të parë Perëndimi kërkon që faktori shqiptar të bashkohet edhe si mburojë ndaj elementit sllav që vjen që nga stepat e largëta të Rusisë, ne gjendemi të përçarë mes vedit, në një sherr kryeneçësh, ku të zë krupa ta shohësh, përjetosh dhe komentosh.
Megjithatë atdheu është një dhe nuk mund të bëjmë dot fatalistin dhe të lajmë duart për ta lënë gjendjen të shkojë për dreq.
Ne poropozuam Paktin Kombëtar dhe i kërkuam zyrtarisht kreut të shtetit të udhëheqë tryezën e bisedimeve. Janë dy propozime të peshuara mirë, të cilat kanë vetëm një qëllim, kthimin e paqes politike, sociale dhe kalimin në një proces zgjedhor pa paragjykime dhe klimë tensioni.
Por, çfarë afrojmë ne si zgjidhje të krizës:
- Kthimin e Opozitës në Parlament për miratimin e akteve ligjore që do i hapnin rrugën zbatimit të reformës në drejtësi, përparimit të vendit në integrimin europian dhe realizimin e disa ndryshimeve në kuadër të legjislacionit zgjedhor dhe masave të tjera për të siguruar atomsferë të qetë dhe të besueshme për zgjedhjet e 18 qershorit.
- Garantimin e rolit të paanshëm në zgjedhje të Policisë së Shtetit.
- Ndryshimin e sistemit zgjedhor në sistem proporcional me një zonë zgjedhore, për krijimin e mundësive reale për të garuar forcat politike jashtë koalicioneve.
- Depolitizimin e anëtarëve të KZAZ-ve, KQV-ve dhe GNV-ve, ose rritjen e numrit të anëtarëve në komisionet e numërimit, me përfaqësues të partive parlamentare.
- Krijimin e një grupi të posaçëm me urdhër administrativ të Prokurorit të Përgjithshëm, krijimin e një “task force” prokurorësh të atashuar pranë KQZ-së, e cila ka për detyrë të hetojë në mënyrë urgjente të gjitha sinjalizimet për blerje vote, kërcënim, intimidim e të tjera. Gjithashtu, dërgimin e çështjeve të lidhura me cënimin e procesit zgjedhor brenda 24 orësh në gjykatë, duke ashpërsuar masat për “krimin elektoral”.
- Ngarkimin e një strukture inxhinierike konsensuale që do të përgatisë në mënyrë urgjente një projekt teknik, për variantet e mundshme të realizimit të numërimit elektronik, apo edhe vlerësimin e mundësive të realizimit të votimit elektronik, nëse ai konsiderohet i sigurtë dhe i mundshëm në kohë, në një procedurë të miratuar në mënyrë konsensuale nga të gjitha partitë parlamentare.
- Thirrjen e tryezës së partive politike parlamentare për fillimin e dialogut, me qëllim miratimin e një kandidature konsensuale si President të Republikës së Shqipërisë.
Na rezulton që palët në konflikt kanë pëlqyer zgjidhjet e propozuara nga ne, por ende janë larg uljes në bisedime. Sërish po e përsëris nga këtu që nëse kanë nevojë për një vend neutral, ku të ulen dhe të flasin, zyrat e PDIU-së i kanë të hapura dhe janë të mirëpritur të ulen dhe të gjejnë zgjidhje si burra patriotë që e duan këtë vend.
Kjo është forca jonë politike, prandaj dhe vëmë re kudo me shumë gëzim që përditë PDIU po rritet nga jugu në veri. Për këtë rritje progresive të lëvizjes sonë nuk jemi vetëm ne të ndërgjegjshëm, por dhe shumë aktorë politikë të tjerë jashtë nesh. Prandaj, ndonjë fantazi marroke që PDIU mund të emërohet opozitë apo pozitë është krejt jashtë realitetit politik që përjeton PDIU.
Askund nuk jemi dhe nuk kemi për të qenë shtojcë dhe asnjëherë nuk do të jemi as shpatë apo jastëk për interesa meskine të politikës së ditës.
PDIU është e interesuar dhe do të punojë pa u lodhur për një sistem politik të ndershëm dhe transparent, prandaj kërkojmë ndryshimin e ligjit elektoral, sepse dëshirojmë që të votojmë dhe të na numërohen votat si duhet.
Ne e kërkojmë Shqipërinë një zonë të vetme elektorale. Ligj elektoral propocional, ku të gjitha forcat politike parlamentare të kenë numërues. Por, nëse ka vullnet dhe mundësi jemi krejt dakord për votimin dhe numërimin elektronik.
Sot, nga kjo foltore i bëj thirrje të gjithë faktorit politik në konflikt të lënë mënjanë kokëfortësinë dhe të ulen në tryezën e bisedimeve.
Pakti Kombëar është një zgjidhje shterruese. Tashmë e njohin të gjitha palët, ndaj në bazë të këtij dokumenti nuk do e kenë të vështirë të dalin nga qerthulli ku kanë hyrë.
Madje, nuk kërkojmë asnjëfarë lavdie, nëse e gjejnë rrugën e zgjidhjes. Le ta mbajnë dhe atë për vete, sepse neve na mjafton normaliteti mes shqiptarëve.
Jam i bindur që zgjidhja që afron PDIU-ja në këtë moment është e mira dhe më e pëlqyeshmja. Aktorët politikë në Shqipëri shpesh janë nisur nga emocionet e çastit dhe nuk kanë dashur ta dëgjojnë propozimet themelore dhe cilësore që ne kemi bërë gjatë gjithë kësaj kohe.
Fjala vjen, kur PDIU propozonte në Kuvend ndryshimin e zgjedhjes së kreut të shtetit, pra zgjedhjen e presidentit nga populli, në sallën e parlamentit na lanë vetëm dhe përdorën dhunën e kartonave, por jo më larg se dje kryetari i opozitës e hodhi sërish këtë tezë.
Nuk jemi aspak xhelozë. Shumë mirë që tani i duket e mirë iniciativa jonë. E ftoj të bashkojmë votat dhe ta bëjmë këtë ndryshim thelbësor për jetën politike në vend, sepse kam bindjen që po të kishte ngjarë qysh kur e thamë ne, situata sot do të ishte krejt ndryshe.
Ndaj dhe Pakti Kombëtar duhet të pranohet tani, jo pas muajsh zvarritje dhe tensioni. Nuk kërkojmë absolutisht protagonistin e zgjidhjes, por kërkojmë vetëm zgjidhjen, pasi ne kemi bindjen e patundur që Atdheu është Një!