Xhevdet Ferri aktiv në diskutimet politike, ishte kundër shpërndarjes së parlamentit ndërsa Ndriçim Xhepa, i tërhequr pa asnjë gjurmë fjalimesh në një vit aktivizim politik në Kuvendin e 1996-1997-ës
Kriza aktuale politike nuk ka shumë ngjashmëri me atë të vitit 1997 por shpesh po përdoret si kërcënim përsëritja e asaj përvojë të hidhur për shqiptarët në rast se kriza aktuale agravon më tej. Janë socilaistët ata që e artikulojnë më së shumti frikën nga përsëritja e ’97 dhe pasojat që mund të sjellë për vendin. 27.al ka zgjedhur një debat me tone të qeta në parlament, në pranverën e vitit 1997, plot 20 vjet më parë, kur diskutohej mes artistësh e shkrimtarësh deputetë në kuvendin e Shqipërisë, për zgjidhjen e krizës.
Parlamenti i dalë nga zgjedhjet e vitit 1996 mbahet mënd për një përbërje krejt të veçantë pasi në grupin e deputetëve kishte shumë artistë, shkrimatrë, e gazetarë. Një ndër ta ishin edhe aktorët e njohur Xhevdet Ferri e Ndriçim Xhepa. Në seancat parlamentare, deputeti Ferri shfaqej aktiv ndërsa Ndriçim Xhepa nuk ka lënë gjurmë në rreth një vit kohë, aq sa zgjati mandati i atij Kuvendi.
Ishte pranvera e vitit 1997 kur Shqipëria ishte përfshirë nga kaosi total pas rënies së firmave piramidale. Vendi ishte pushtuar nga armët pas hapjes së depove ushtarake dhe institucionet shtetërore kishin dalë jashtë funsksionit. Në parlamentin e Shqipërisë zhvillohej debat i vazhdueshëm për rrugët e mundshmë drejt zgjidhjes vendosjes së normalitetit.
Në atë kohë u shtrua si opsion shpërndarja e Pralmentit dhe aktivizimi i deputetëve nëpër Shqipëri për të punuar për normalizimine situatës. Ja si kundërshtohej ky opsion nga deputeti i kuvendit të Shqipërisë në atë kohë, Xhvdet Ferri, i cili vinte në sallën e kuvendit nga bota e artistëve. Ferri ishte deputet i Partisë Demokratike.
Xhevdet Ferri, deputet i Kuvendit në vitin 1996-1997
Këtu, si konkluzion ngelet pak për të thënë. Tashmë është e qartë që aktiviteti zhvillohet në dy pista. Analiza u bë nga shumë parafolës.
Mua më shqetësojnë dy probleme: Së pari, ideja që Kuvendi të shpërndahet dhe njerëzit të shkojnë nëpër zona, nuk më duket fort racionale. Një shpërndarje e tillë nuk do të jetë funksionale, do të na ndodhë ashtu siç u ka ndodhur dy kolegeve tona nga Berati, të cilat janë ndodhur dje në mes të turmës pa asnjë lloj efektiviteti.
Së dyti, ne jemi këtu një forum institucional dhe duhet të shfrytëzojmë ato institucione që janë kapital dhe monopol i Kuvendit. E kam fjalën kryesisht për Radiotelevizionin Shqiptar. Situata në Radiotelevizionin Shqiptar është më se skandaloze. Unë do t’i pyes të gjithë kolegët vetëm për t’u freskuar pak kujtesën: Ku janë të gjithë ata gazetarë dhe ata profesionistë që duken e shfaqen nëpër ekrane vetëm kur shoqërojnë Presidentin e Republikës jashtë shtetit? Ku janë gjithë ata profesionistë që duken në skenat dhe kuadrot e Televizionit Shqiptar vetëm kur bëhen spektakle “Miss Europa”, qesharake, me nga një milion e gjysmë dollare”? Ku është drejtori i Televizionit, i cili paraqet një emision me dy-tre specialistë qesharakë, pa asnjë lloj etike, në një studio që ka vetëm dy karrige të zhveshura, si një imazh konkret i shtetit shqiptar, ndërkohë që harxhojmë miliona dollarë për të bërë një minibingo, telebingo apo karagjozllëqe të tjera, të cilat vetëm efektin e kundërt bëjnë në këtë kohë? Ky është institucion?
Unë do t’i propozoja Kryesisë së Kuvendit dhe komisionit të masmedias që të merret seriozisht me këtë punë. Ngelet në Televizionin Shqiptar vetëm Presidenti i Republikës në orën 12.00 të natës në portret e në zë, ndërsa i gjithë ky Kuvend, të gjitha këto forca, të gjithë këto personalitete që e kanë për detyrë morale e shtetërore, nuk arrijnë të komunikojnë nëpërmjet një institucioni. Ai është i shtetit.
Seriozisht i propozoj komisionit të masmedias që të mblidhet e të diskutojë për këtë punë dhe të gjejmë rrugën më të mirë për të shfrytëzuar këtë institucion. Është më mirë të komunikojmë pastër, qetësisht. Dhe do t’ju lutesha vetëm për një gjë: Njerëzit që do të marrin përsipër të komunikojnë nëpërmjet televizionit me publikun, të jenë më të përgjegjshëm se ç’janë zakonisht.