Këto janë kohë të vështira për të gjetur qetësinë e mençur të heshtjes. Tash që ka kaq shumë blogera, portale apo njerëz që vrasin vapën në hijen e rrjeteve sociale, të gjithë kanë një mendim, një koment, një analizë. Madje, në këto kohë reformatore ka një garë për të gjetur shtegun e origjinalitetit. Pikërisht kjo farë ujdhese qëllon në të shumtën e herës të fusë analistët tanë në qorrsokakun e keqinformimit.
Eduard Zaloshnja ka bërë një zbulim interesant në pikë të zhegut. Ka lexuar deklaratën e Shpëtim Idrizit, ka fërkuar duart dhe ka gjetur visarin e ditës. Sipas tij, propozimi i referendumit, nëse të enjten dështon një pikë e reformës, është një komardare që i jep kohë Berishës, madje një frymëmarrje më shumë për udhëheqësin e opozitës.
Në fakt, kërkesa që ndryshimet kushtetuese të shkojnë në referendum është bërë prej muajsh nga ligjvënësit e PDIU-së. Qysh në dimër kjo forcë politike e kërkoi aplikimin e demokracisë së drejtpërdrejtë, sepse ndryshimet në kushtetutë po ndodhnin jo vetëm cilësisht, por edhe në pikëpamjen sasiore. Me siguri edhe Zaloshnja është dakord që në datën 22 korrik Shqipëria do të ketë Kushtetutë të re, ndaj popullin nuk mund ta lësh pa e pyetur. Kur është kërkuar referendumi opinioni publik nuk e njihte fare nenin 88, madje PD e propozonte vetë në këtë formë që është sot.
Nga ana tjetër që të thirret një referendum duhen sërish 94 vota, shumicë e cila e përcakton më së miri kush është pro dhe kush është kundër referendumit. Po kështu, një referendum organizohet në kohë më të shpejtë se e mendon Zaloshnja, pa e fryrë ende komardaren doktori. Në një referendum natyrisht që nuk mund të kërkosh detaje, por bën pyetje të thjeshta që kanë nevojë për një “po” ose një “jo”. Fjala vjen po ta banalizojmë: “Dëshirojmë një Kushtetutë të mbështetur nga BE dhe SHBA apo Dum babën?”.
Dhe e fundit, Zaloshnja si Robert Langdon duket se dje ka qenë i zënë të shpjegojë mesazhet e koduara të politikanëve shqiptarë dhe nuk ka ndjekur atë çka tha Knut Fleckenstein dhe Johannes Hahn. Të dy ata shohin si rrugë shpëtimi referendumin. A thua kopjuan Idrizin e dimrit ata? Sepse, po si Shpëtim Idrizi kërkojnë t’i japin komardaren Sali Berishës, madje edhe brenda socialistëve ka agjentë komardaresh të doktorit. I fundit ishte Erion Braçe, i cili në përgjigje të propozimit për qeveri ekspertësh të Ilir Metës thotë që është referendumi zgjidhja.
Vapë e madhe, shumë vapë Zaloshnja… rrjedh robi nga i nxehti.