Nga Ilir Babaramo
Diçka e padëgjuar kurrë më parë po ndodh në Prishtinë. Dy-tre vetë nga establishmenti drejtues i Vetëvendosjes kërkojnë që ose kryetari të zgjidhet me konsensus mes pesë drejtuesve kryesorë të kësaj partie, ose ata kërcënojnë se do largohen nga kjo organizatë. Balloja e maskave mori fund dhe Dardan Molliqaj zbuloi letrat. Pak rëndësi ka, nëse ai bllofon ose jo. Tashmë loja është e qartë. Oligarkët synojnë të kapin të vetmen hapësirë që nuk kontrollojnë në Kosovë; frymën e Vetëvendosjes.
Në intervistën e dhënë për sekserin e klanit Devolli, Molliqaj ishte shumë i qartë. Pas një lumi akuzash kundër Albin Kurtit , ai përsëriti për të disatën herë se nuk duhet të ketë zgjedhje, por konsensus mes një grupi “kryesorësh”. Ai e la qartë të kuptohet se konsensuali s’mund të jetë Kurti. Pra, sipas tij Albini duhet të zgjedhë ose mos të kandidojë ose të përçahet Vetëvendosja. Arrogancë e padëgjuar kurrë më parë. Forma e votimit që ai propozon, në shekullin XXI, është e paimagjinueshme për një subjekt politik, e cila përbën partinë e parë në vend. Në këtë formë mund të zgjidhet, në rastin më të mirë, administrator i ndonjë biznesi të vogël familjar, dhe në rastin më keq kapo i ndonjë klani mafioz. Sigurisht, Vetëvendosje nuk bën pjesë në asnjë nga këto kategori.
Shkaqet përse Molliqaj kërkon që të mos votohet për të zgjedhur kryetarin e ri duken të qarta. Ai është i përdoruri i të përdorurit. Pavarësisht se Shpend Ahmeti erdhi në Vetëvendosje me autobuzin e FER, mandati i kryetarit të komunës së Prishtinës duket se i ka krijuar iluzionin se mund të marrë kontrollin e Vetëvendosjes. Magjistricat e Makbetit duhet t’i kenë treguar shëmbullin sesi Edi Rama mori kontrollin e Partisë Socialiste duke qenë kryetar i Bashkisë së Tiranës. Akuzat që i bëheshin Ramës për parimin “një votë një pallat” duhet të ketë qenë një nga “argumentat më bindëse”. Në fakt, Shpend Ahmeti ka shumëçka në dorë. Në zyrën e tij përfundojnë interesa të mëdha, sidomos të atyre që kontrollojnë ekonominë e Kosovës. Pa folur pastaj për emërimet e shumta që bën në Prishtinë, të cilat kalojnë përmes krahut të tij të djathtë, Dardan Molliqaj.
Gjatë verës në Kosovë bëri bujë vizita e Shpend Ahmetit në Mal të Zi në jahtin e Devollëve, oligarkëve më të mëdhenjë të Kosovës. Lajmi bëri bujë, sepse ndryshe nga protagonistët e klanit “Pronto”, të cilët e pranojnë në heshtje se ishin vegla të këtyre oligarkëve, miqësia e Shpendit me Devollët është e zhurmshme, pasi Vetëvendosja nuk kishte rreshtur së përsërituri efektet negative që sjellin në ekonominë e Kosovës importet serbe të vëllezërve Devolli. Në ditët e para, Ahmeti e mohoi fuqimisht. Më vonë, kur foto u bë publike, u shfajësua se nuk e dinte se i kujt ishte jahti dhe kishte qëndruar pak çaste sa për të pirë një Coca Cola Zero.
Skema tashmë është e qartë. Oligarkët kërkojnë të përdorin Ahmetin për të shtënë në dorë Vetëvendosjen. Duket se duan të përdorin pushtetin politik të kryetarit të komunës së kryeqytetit , fuqinë ekonomike të tyre për të ndryshuar AND-në e të vetmit subjekt politik që nuk kontrollojnë në Kosovë. Dhe nëse nuk ia dalin, atëherë ta katandisin përmes konfliktit të brendshëm permanent në atë derexhe që asnjëherë mos jetë në gjendje të marrë pushtetin.
Ata që shpresojnë tek simetria me Ramën gabojnë. E para, se jo gjithmonë personazhet mund të jenë të ngjashme. Ca më tepër gabojnë në kohë. Aktualisht, Albin Kurti është në burg, i mbyllur nga politikanët e klanit “Pronto”. Sigurisht Albin Kurti nuk është Fatos Nano. Megjithatë, nëse e mendojnë si precedent, duhet parasysh se në vitin 1996, kur Nano ishte në Bençë nuk ia morën dot drejtimin e PS, pavarësisht se kishte kundër ditë e natë gjithë establishmentin e partisë. Precedenti i Ramës vlen për dhjetë vjet më pas, kur Nano dha dorëheqjen, pasi kishte qenë në krye të partisë që kishte qeverisur tetë vjet. Dhe nëse i qëndrojmë sërish këtij precedenti, Nano nuk preu koka. Thjeshtë, i vuri në rresht.