E ikur në vitin 1997 si emigrante, Anita Likmeta vajza nga Durrësi, shumë shpejt mund të jetë një përfaqësuese e komunitetit shqiptarë në Parlamentin italian. Në një intervistë për Roport Tv, Likmeta ka treguar më shumë mbi kandidim e saj për një vend në Dhomën e Deputetëve të Parlamentit Italian, ku thekson se kjo arritje është motivim për shqiptarët atje. Ajo tha se kandidimi është një gjë e madhe që motivon të rinjtë.
Likmeta foli rreth fillesave të saj në karrierë, vështirësive që ka hasur si emigrante në shtetin Italian, dhe më e rëndësishmja, për të ardhmen, për rëndësinë e të zgjedhurit si përfaqësuese e komunitetit shqiptar në Itali në zgjedhjet që do të zhvillohen në 25 shtator. Ajo shprehet se pothuajse gjatë gjithë jetës së saj ka qenë në një farë mënyre pjesë e politikës, duke iu dashur të merret me dokumentet e saj, por dhe me fushën e sipërmarrjes.
“Jeta ime është një jetë politike se kam jetuar në Itali dhe duke rregulluar dokumentet vit për vit derisa kam marrë shtëpinë Italian si një emigrante dhe ky shtet më kujtonte se kush jam. Jam një njëri politik. Edhe puna ime , një sipërmarrëse, ka të bëjë gjithmonë me politikën, e cila vendos se si do të shkojë një kompani, ekonomia e një shteti. Çdo gjë është politik për mua” – u shpreh Likmeta.
Likmeta foli rreth vështirësive të një emigranti, sidomos të grave dhe vajzave për t’u përshtatur në jetën e shtetit italian, si dhe sakrificave për t’u bërë pjesë e politikës.
“Është shumë e vështirë, besoj që të gjithë shqiptarët sikurse unë me familjen time, e kuptojnë se sa e vështirë dhe sa sakrificë është që të emancipohesh, sidomos për një grua, për një vajzë të realizohet në një shtet të huaj apo në një punë si kjo e imja ku mbizotërojnë më shumë burrat sesa gratë. Ka qenë gjithmonë një udhëtim i vështirë, por në fund fare, sakrificat këmbëngulja, jam përpjekur për të realizuar ato që ishin ëndrrat e mia . Beteja më të mëdha, më të vështirat janë më të bukura” – u shpreh ajo.
Likmeta është ndër kandidatet kryesore, në 3 rajone, Lombardi, Marche dhe Lazio, dhe 5 kolegje me listën Impegno Civico të Partisë Demokratike, e cila është krijuar nga Bruno Tabaçi, me mbështetjen e Ministrit të Jashtëm të Italisë Luigi Di Maio.
“Ma kanë propozuar Impegno Civico të Partisë Demokratike. Komuniteti shqiptar nuk është më i dobët. Jemi komuniteti i dytë më i madh në Itali. Besoj që ka arritur koha që shqiptarët e Italisë të kenë një zë të tyre dhe një përfaqësim institucional në qeverinë shqiptare.”, tha Likmeta.
Likmeta do që nëpërmjet përfaqësimit të saj t’i jap mesazh të rinjve se pavarësisht vështirësive në një vend të huaj, ëndrrat mund të arrihen.
‘”Për mua është diçka e madhe, sidomos për të rinjtë që po shohim. Ne do tu japim vëmendje. Tu japim guximtë rinjtë, me historinë time, çdo njeri duhet të mendojë se do arrijë të realizohet. Një udhëtim që dalëngadalë do mund të realizohet. Është një mesazh që politika italiane duhet t’jua japin komuniteteve, tani për tani sidomos komunitetit shqiptar, sepse marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Italisë janë shekullore” , u shpreh Likmeta.
Ajo thotë se është koha që komuniteti shqiptar i dyti më i madh në Itali të ketë përfaqësimin në politikë.
“Shqiptarët duhet të kenë një zë të tyre, që do të jetë një ndryshim historik, do të jemi qytetarë me një përfaqësim politik. Shqiptarët e Italisë janë të integruar, kanë kaluar 30 vite nga eksodi.”, tha Likmeta.
Anita Likmeta, një sipërmarrëse e re e natyralizuar italiane, është kandidatja e parë shqiptare që konkurron për Dhomën e Deputetëve të Parlamentit Italian në zgjedhjet parlamentare që zhvillohen me 25 shtator.
Ajo është ndër kandidatet kryesore, në 3 rajone, Lombardi, Marche dhe Lazio, dhe 5 kolegje me listën Impegno Civico të Partisë Demokratike, e cila është krijuar nga Bruno Tabaçi, me mbështetjen e Ministrit të Jashtëm të Italisë Luigi Di Maio. Kandidatura e Anita Likmetës është një ngjarje historike e paprecedentë për komunitetin shqiptar në Itali, i cili më në fund do të ketë për herë të parë përfaqësimin e tij institucional në Parlamentin italian.