Nga Enkel Demi
Këtu e 25 vjet të shkuara mblidhej për herë të parë Kuvendi pluralist, ku 169 vende i kishte Partia e Punës së Shqipërisë. Në këtë Kuvend po për herë të parë hynte opozita me 78 deputetë. Së bashku me ligjvënësit e pardesyve të bardha në atë sallë ishte Adil Çarçani, Haxhi Lleshi, Kastriot Islami. Ishte koha, kur në Tiranë njerëzit shpotisnin sho-shoqin me shprehjen e famshme drejtuar Neritan Cekës: “Na, mo ti e bëre dekllaratën…”. Pikërisht si sot 25 vjet më parë Kuvendi pluralist mblidhej të zgjidhte kryetarin. Ashtu si e përshkruan në dosjen e saj gazetarja Luljeta Progni, demokratët në pakicë të theksuar bëjnë një manovër të mirëfilltë politike, e cila mund të konsiderohej deri diku diversion. Deputetja Natasha Lako në emër të 12 kolegëve të saj propozon shkrimtarin Dritëro Agolli. Ky i fundit u kishte dalë nga zemra komunistëve, ndaj ata propozonin birin e tyre më të denjë, Kastriot Islamin. Azem Hajdari dhe Arben Imami e përshkruajnë këtë të fundit si “irritues”, sepse mbylli Universitetet, në mënyrë që mos të lejoheshin më grumbullimet e studentëve që u kallën datën monistëve, duke kulmuar me hedhjen e bustit të Enver Hoxhës. Para shkrimtarit të madh dhe një të panjohuri që ngjiti shkallët e qeverisë vetëm sa të mbyllte shkollat, punistët zgjodhën kryetar Kuvendi Kastriot Islamin, i cili vetëm do kohë më vonë do të kërcënonte opozitën se do t’u hapte kafkat. Kjo ka ngjarë si sot 25 vjet më parë, ndërsa aktorët jo të tërë kanë ndryshuar.
Në atë Kuvend është sërish Kastriot Islami, Arben Imami, Sali Berisha, por nuk janë shumë të tjerë, disa u shuan, disa u larguan nga politika, ose i përzunë. Shkrimtari falë Zotit është ende në kullën e tij, prej vitesh lëshon rrufe mbi politikën thua se është një Zeus, ndërsa rivali i tij i parë në politikë ka kaluar në anën e kafkave.
Politika sërish e zgjodhi atë, kësaj here ata që konsideroheshin armiqtë e atdheut. E zgjodhën ata që tradhëtuan parimet e komandantit legjendar dhe Partisë, por me ç’ngjau në fund edhe parimet e tyre. Duket sikur koha është kthyer përmbys dhe pas 25 vjetësh sërish ky personazh, soji i tij është më i preferuar se soji i Dritëroit. Mbi këtë burrë të shkurtër, cinik, zemërngushtë, ziliqar është përmbledhur gjithë historia moderne e Shqipërisë qysh kur ajo fitoi mëvetësinë. Gjithë mbrapshtia e klasës politike gjen shtatoren tek ky personazh, i cili nuk tutet në këtë rol që i ka caktuar historia. Për të punuan të gjithë ata që patën pushtet në këtë vend. Punoi Ramiz Alia, Fatos Nano, Edi Rama dhe në fund punoi Sali Berisha. Kaq shumë janë bërë nyje tek ky njeri fijet e merimangës së politikës, pushtetit sa ti veç atë të qëmtosh dhe kupton sa lëmsh janë punët e kësaj toke. Për hir të pragmatizmit, për hir të jetëgjatësisë topalle të pushtetit, qoftë edhe me dy muaj, ai është paterica që mban të keqen në këmbë. Është ai dhe rraca që rrjedh nga këta xhuxhë të mendimit që kanë gjenialitetin të gjejnë rrugëdaljen e krizës duke të dhënë për zgjidhje veç gjirizin.
Këtu e 25 vjet më parë u zgjodh që korrupsioni moral të jetë kredo jonë kombëtare dhe këtë traditë e kemi respektuar deri në sakrificë, ndaj reforma në drejtësi që sot po mbllaçitet ngjan si një gazmore e stinës: “Na, mo ti e bëre dekllaratën…”