Të blesh në treg mund të kushtojë më pak para, por ajo që humbet konsumatori është cilësia e produktit. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka inspektuar 3 tregjet kryesore në Tiranë, tregu i Kombinatit, tregu në hyrje të ish-Uzinës “Dinamo”, tregu Agro Ushqimor në rrugën Tiranë-Durrës ku 10 subjekte u gjobitën me një vlerë rreth 2,3 milionë lekë gjithsej. Produkte si djathë, peshk, gjalpë, gjizë, ullinj, mish, nuk janë gjetur në frigoriferë dhe shumica e subjekteve nuk plotësonin kushtet higjieno-sanitare.
Inspektorët e Drejtorisë Rajonale të AKU-së Tiranë, paralajmëruan bizneset për bllokim të produkteve, nëse do të konstatohen sërish shkelje. Aksioni u kundërshtua nga tregtarët fillimisht. Aksioni i AKU-së, ka për qëllim ndërgjegjësimin e Operatorëve të Biznesit Ushqimor, për të tregtuar produktet ushqimore, ashtu siç parashikon ligji dhe heqjen nga tregu të çdo lloj ushqimi që mund të përbëjë rrezik për konsumatorët.
/shije.al/