I ftuar në emisionin “45 minuta” në Report Tv, aleati i Lulzim Bashës, kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi, vlerëson nismën e qeverisë për mbylljen e basteve sportive nga 31 dhjetori 2018. Ai tha se ligji i miratuar sot në Kuvend është i vonuar, por gjithsesi duhet të përshëndetet.
“Do ta quaja një vendimmarrje të vonuar, por është për t’u përshëndetur. Kur thash është i vonuar kam parasysh faktin disa nga tentativat e viteve më parë për largimin e basteve, llotove, kazinove nga qyteti”, tha Idrizi.
Megjithatë, Idrizi nuk fsheh dyshimet ndaj qeverisë për një Shqipëri pa baste sportive, pasi sjell në vëmendje aksionin “Fundi i Marrëzisë” në 2013, kur kazinotë e mbyllura u rihapën sërish.
“Por të mos harrojmë që ishte kjo qeveri që nisi aksionin fundi i marrëzisë dhe i ktheu bastet në një marrëzi kolektive. Ka qenë 1900 pika në 2013, ndërsa tani janë 4000 e ca në të gjithë vendin. Vazhdë e kësaj politike që shqiptarë të rrinë në dyert e lotove, të Lotarisë Amerikane dhe si rrjedhojë 370 mijë duan të largohen nga Shqipëria. Unë jam për mbylljen e të gjitha basteve. Pamundësia është ajo që i çon shqiptarët drejt basteve. Rama po luan bixhoz me fatin e shqiptarëve”, tha Idrizi.