Një shumë prej 14 500 eurosh është sekuestruar ditën e sotme në pikën kufitare të Morinës, ndërkohë që është proceduar penalisht një shtetas kosovar.
Shërbimet e policisë Kufitare në Morinë, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin tip “BMW”, me drejtues shtetasin me inicialet K. Gj. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 14 500 euro të padeklaruara nga 49-vjeçari, sipas përcaktimeve ligjore në fuqi.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar të DVP Kukës referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. Gj., 49 vjeç, banues në Gërçinë, Gjakovë, për veprën penale “Mosdeklarimi i të hollave dhe i sendeve me vlerë në kufi”.