Mjeku dhe pedagogu Admir Sinamati ka shprehur dhimbjen e tij për humbjen tragjike të studentes Bora Keçi dhe të babait të saj, të cilët humbën jetën në një aksident automobilistik
Në një postim prekës, Sinamati thekson se Bora Keçi ishte një studente e përkushtuar dhe një shembull për komunitetin mjekësor.
Ai shton se humbja e saj dhe e të atit përbën një goditje të rëndë për familjen, kolegët dhe të gjithë ata që e njihnin.
Pedagogu ka publikuar gjithashtu një provim të Bora Keçit në lëndën Etikë dhe Deontologji Mjekësore, ku ajo ishte vlerësuar me rezultate të shkëlqyera, duke treguar pasionin dhe përkushtimin e saj për mjekësinë.
Postimi i plotë i Admir Sinamatit:
Para dy ditësh me dhimbje të thellë morëm lajmin tragjik për ndarjen e parakohshme nga jeta të studentes së Fakultetit të Mjekësisë Bora Keçi, së bashku me të atin e saj, mjek, në një aksident automobilistik.
Është e vështirë të gjenden fjalët e duhura përballë një humbjeje kaq të rëndë, ku jeta e një studenteje të re, plot ëndrra, përkushtim dhe shpresë për të ardhmen, ndërpritet në mënyrë kaq tragjike, bashkë me jetën e prindit të saj, njeriut dhe mjekut që i kishte shërbyer jetës dhe shëndetit të njerëzve.
Bora do të mbetet në kujtesën time edhe përmes këtij momenti të veçantë akademik: provimit në lëndën Etikë dhe Deontologji Mjekësore, ku u vlerësua shkëlqyeshëm.
Kjo foto është më shumë se një kujtim provimi; është dëshmi e seriozitetit, edukatës, përkushtimit dhe formimit të saj si studente e denjë e Fakultetit të Mjekësisë.
Në këto çaste dhimbjeje të madhe, si mjek dhe pedagog i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Keçi, mamasë së Borës – Dr. Kozeta, të afërmve, Fakultetit të Mjekësisë, pedagogëve, dhe gjithë shoqërisë studentore të Borës. Humbja e saj dhe e të atit është një plagë e rëndë për familjen, për komunitetin mjekësor dhe për të gjithë ata që i njohën.
U prehshin në paqe shpirtrat e tyre!
gijotina.com/










