Këtë herë do të shkruajmë për mësuesit dhe nxënësit e shkollës shqipe në trevën e qytetit të Tetovës që për fat të mirë janë ruajtur me fanatizëm shumë dokumenta dhe fotografi ku tregohen çaste nga jeta shkollore në gjuhën shqipe.
Nga Arben Llalla
Historia jonë kombëtare është plot me shembuj të shumtë të atdhedashurisë shqiptare që nga Çamëria e deri në Kosovë, që nga Egjipti e deri në Amerikë. Misionarët e çështjes sonë kombëtare gjithandej përhapën zërin e shqiptarisë me anë të dijes, shkollave shqipe për të ardhur në Kongresin e parë të gjuhës shqipe, i cili u mbajt më 14-22 nëntor 1908 në qytetin e Manastirit. Për të vazhduar më pas me hapjen më 1 dhjetor 1909 shkollën e parë të mesme kombëtare që u quajt Normalja e Elbasanit. Në këtë shkollë u përgatitën mësuesit e parë që përhapën dijen në gjuhën amtare. Nga bankat e kësaj shkolle dolën njerëzit që përgatitën brezat e parë të kombit shqiptar në gjuhën e tyre.
Gjatë pushtimit të Shqipërisë nga Italia më 1939 e deri më 1944 shumë mësuesëve që kishin mbaruar Normalen e Elbasanit ju bë thirrje nga ministri i Arsimit i atyre viteve, profesor Ernest Koliqi për të dhënë mësim në trevat e Shqipërisë Etnike, Çamëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi. Pas kësaj thirrje rreth 300 mësues shkuan për të hapur shkollat në këto treva dhe vunë themelet e dijes së bashkimit kombëtar. Gatishmëria dhe përkushtimi i mësuesëve që vullnetarisht shkuan në këto krahina frymëzohej nga ideali i bashkimit kombëtar. Tek shqiptarët e përtej kufirit të sotëm të Shqipërisë ende mbahen mend vitet 1941-1944 e bashkimit të Shqipërisë në një shtet. Ata që kanë përjetuar këto kohë kujtojnë me nostalgji shkollën në gjuhën shqipe, festën e 28 Nëntorit, lëshimet e çdo lloj dokumenti në gjuhën amtare, por ky bashkim zgjati vetëm pak.
Ëndërra për t’u bashkuar të gjithë shqiptarët në një shtet nuk është shuar ende tek shqiptarët e përtej kufirit zyrtar të Shqipërisë.
Këtë herë do të shkruajmë për mësuesit dhe nxënësit e shkollës shqipe në trevën e qytetit të Tetovës që për fat të mirë janë ruajtur me fanatizëm shumë dokumenta dhe fotografi ku tregohen çaste nga jeta shkollore në gjuhën shqipe. Gëzimi i fëmijëve që ndoqën ato vite shkollën në gjuhën amtare dallohet në fotografitë e vjetra ku lexohen qartë mbishkrimet: “Rroftë Shkolla Shqipe! Rroftë Flamuri! Rroftë Shqipëria! Rroftë Arsimi! Rroftë Shqipëria e madhe!”
Në qytetet Tetovë, Gostivar, Kërçovë, të cilët ishin përfshirë në Prefekturën e Dibrës dhanë mësim rreth 95 mësues që kishin mbaruar Normalen e Elbasanit, 34 prej tyre ishin elbasanas. Disa nga mësuesit që dhanë mësim në trojet e Shqipërisë Etnike ishin: Islam Hoxha, Dalip Zejneli, Enver Palluqi, Skënder Hoxha, Skënder Tupe, Qamil Skuqi, Tomorr Starova, Todi Dhamo, Nexhip Minarolli, Afërdita Gjylabi, Alipi Pajuni, Alush Balteza, Antoneta Gjylabi, Bexhet Hoxholli, Dede Shala, Myfit Synojmeri, Edip Tërshana, Elena Todi, Josif Todi, Enrieta Panduku, Faik Pajuni, Gani Daiu, Gjergj Bullati, Hamit Pitja, Hasan Belshaku, Hysen Pajenga, Jonuz Balla, Liri Topalli, Nos Topalli, Mexhit Bekteshi, Mirtezan Katzadei, Marika Shala, Mahmud Torro, Marije Dashi, Nos Deliana, Afërdita Deliana, Pandi Treska, Xhaferr Narazani, Pjetër Janura, Qemal Agolli, Enver Agolli, Hasan Preka, Gani Jaja, Vangjel Daka, Jorgji Shuteriqi, Vasil Papajani, Thoma Kalefi, Fatbardha Çaushi, Spiro Gjini, Ruzhdi Guranjaku, Vasil Andoni, Dhimitër Fullani, Violeta Monçi, Afërdita Monçi e plot të tjerë.
Brenda dy vitesh u hapën me një shpejtësi të madhe shumë shkolla në gjuhën shqipe në këto qendra të banuara nga shqiptarët. E veçantë është se më parë në këto qytete dhe katunde asnjëherë nuk ka pasur shkolla shqipe në masë të madhe. Nxënësit mësonin me zell dhe në kokë mbanin plisin tradicional shqiptar. Interesant është fakti emërtimet domethënëse të shkollave shqipe në Maqedoni, si: “Skënderbej”, “Drita”, “Oso Kuka”, “Naim Frashëri”, “Sami Frashëri”, “Bajram Curri”, “Mati Logoreci”, “Lidhja e Prizrenit”, “Jani Vreto”, “Zgjimi”, “Atdheu”, “Ilirija”, “Kristoforidhi” “Agimi”, “Lirija”, “Ismail Qemali”, “Avni Rustemi”, “Bashkimi”, “Gjergj Fishta”, “Isa Boletini”, “Kastrioti”, “28 Nëntori”, “Hasan Prishtina”, “Lekë Dukagjini”.
Edhe pse mësuesit shkuan vullnetarisht për të dhënë dije vëllezërve të tyre shqiptarë pas ardhjes në pushtet të komunistëve në Shqipëri dhe në ish-Jugosllavi ata u burgosën si në atdhe, ashtu edhe në ish-Jugosllavi. Ndër ta përmendim K. Prela, M. Maçi, F. Gurmani, S. Dedaj, S. Harri, E. Haxhiademi, V. Dashi, M. Daiu, V. Qiriaku, I. Xhaja, Xh. Hana, H. Taha, Y. Berisha, Gj. Martini, J. Saliu, S. Kolgecaj, Z. Shehi, M. Hadri, Y Berisha, J.Balla, H.Dylgjeri e të tjerë. Kishte nga ata që vuajtën burg në Jugosllavi me akuzën “agjent” i Shqipërisë dhe pas kryerjes së dënimit, kur e kthyen u burgosën me akuzën “agjent” i Jugosllavisë në Shqipëri. Por, çfarë faji kishin bërë të gjithë mësuesit që kishin dhënë mësim në trevat shqiptare prej kufirit të Shqipërisë së sotme?! Faji i tyre i ishte se ushtronin profesionin e shenjtë të mësuesit, përhapnin diturinë dhe arsimin në popullsisë që pushtuesit e ndryshëm me çdo formë donin ta linin analfabet.
Një ndër ata që vuajti burgosje të dyfishtë ishte profesori i nderuar elbasanasi Jonuz Balla, i cili shërbeu si mësues disa vite në qytetin e Tetovë. Ai u arrestua në vitin 1945 gjatë protestave për mos mbylljen e shkollave shqipe në Tetovë dhe u burgos me akuzën agjent i Shqipërisë. Pasi kreu dënimin prej tetë vjetësh burg të rëndë, atë e rikthyen në Shqipëri. Por, pa shkelur në shtëpinë e tij, ku e prisnin të afërmit, komunistët e Shqipërisë (dikur të vëllazëruar me komunistët Jugosllavë) e dërguan drejt e në burg me akuzën agjent i Jugosllavisë.
Në vitin 1941 elbasanasi Jonuz Balla nis punë referent i Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë në Tetovë. Pas një viti ai do të transferohej në Dibër me detyrën drejtor i shkollës 7-vjeçare “Skënderbej”. Në këtë post qëndroi deri në vitin 1944 dhe më pas do të rikthehej përsëri në Tetovë për të drejtuar shkollën 7-vjeçare po me të njëjtin emër “Skënderbej”. Punësimi në arsimin shqip do të zgjaste edhe për një periudhë të shkurtër për arsimtarin Jonuz Balla. Në vitin 1946 do të arrestohej dhe burgosej. Nga kjo kohë do të fillonin vuajtjet e shumta dhe të vështira për këtë pionier të përhapjes së arsimit shqip në trojet tona në Maqedoni. Për rreth 40 vite të izolimit të Shqipërisë dhe të një politike raciste të ish-Jugosllavisë figura e mësuesit të dashur Jonuz Balla nuk ishte harruar nga ish-nxënësit e tij, por edhe mësuesi nuk kishte harruar Tetovës dhe nxënësit e dashur që tashmë ishin rritur edhe bërë gjyshër. Për një takim mallëngjyes me mësuesin Jonuz Balla na tregon ish-nxënësi i tij 75 vjeçari Cen Berisha i cili thotë: “Ishte viti 1993, kur mësuesi ynë Jonuz Balla erdhi në Tetovë për një takim me ish-nxënësit e tij. Kur e takova nuk e njoha. Kishin kaluar shumë vite, ai ishte mplakur dhe unë nga një nxënës i vogël isha bërë tashmë gjysh. Biseduam gjatë dhe më tregoi për herë të parë për bashkëpunimin që kishte patur me babën tim Kapetan Arif Arfi, i cili në vitet 1940-1945 ishte në krye të forcave të bashkimit Balli Kombëtar. Atë ditë mësova që im atë kishte bashkëpunuar me mësuesin e shquar Jonuz Balla, të cilin pushteti sllav e burgosi. Mësues Jonuzi më ka dhënë mësim në klasën e katërt fillore. Një herë në javë ai bënte kontrolle klasë më klasë si vijonte mësimi. Ishte edhe inspektor i arsimit. Gjithnjë na këshillonte që lapsat, fletoret dhe Abetaren mos ta ndanim nga dora. Abetarja tregon bashkimin e popullit tonë, të gjuhës së njëjtë që flasim dhe të kemi kujdes sepse të huajve i intereson që ne të kemi përçarje mes veti. Mbaj mend që ishte një burrë i pashëm, i lartë dhe me karakter të fortë.”
Në fshatin Shipkovicë të rrethit të Tetovës kanë dhënë mësim disa mësues nga Shqipëria. Veterani i arsimit shqip 78 vjeçari, Sabri Ruzhdi Ramizi kujton mësuesin e tij të dashur që i ka mësuar në klasat fillore Mirtezan Katzadei, i cili ishte nga qyteti i Elbasanit dhe që nga vitit 1941-1943 dha mësim në shkollën fillore të fshatit Shipkovicë të qytetit të Tetovës. Xha Sabriu ruan kujtime të mira për mësuesin e tij dhe tregon: “Muajin e parë të vitit shkollor më 1941 na dha mësim Dhimitër Shuli, të cilin në fund të muajit nëntor e dërgojnë për të dhënë mësim në qytetin e Tetovës. Në vend të tij erdhi mësuesi Mirtezan Demir Katzadei, i cili kishte lindur në Elbasan më 1921. Mësues Mirtezani na jepte gjuhë shqipe dhe punonte në klasat e para deri në të katërtat në fshat. Pasdite jepte mësim me të rritur, kurse të gjuhës shqipe u thoshin atëherë për të luftuar analfabetizmin. Për festën e 28 nëntorit më 1942 mësues Mirtezani bëri për çdo dy nxënës nga një flamur të vizatuar në një karton të trashë dhe ne shëtitnim mëhallë-mëhallë duke kënduar këngët atdhetare që na kishte mësuar mësuesi ynë: Me Flamur kuq’ e zi, shkoj me gëzim e trimëri, për atdheun si rrufe, nuk na trembë as vdekja ne.
Shqiponja jonë ka marrë malet, sqep e kthetra i ka gatishmëri, për armiqtë e tradhtarët, fluturon e nuk do të ndalet, gjersa ta fitoj lirinë. Dibër, Strugë, Gostivar, Tetovë dhe Kërçova, janë viset e Skënderbeut, këtu bëma që moti kanë luftuar Leka dhe Kastrioti.
Nga fillimi i vitit 1944 mësues Mirtezanin, Dhimitër Shulin edhe disa mësues të tjerë i arrestoi gjermani dhe i nisën për në Tiranë, sepse dyshonin që bashkëpunonin me partizanët. Në të vërtetë mësuesit tanë nuk kishin bindje politike. Ata bënë punë kombëtare. Nuk u interesonte asgjë përveç çështjes shqiptare.
Pas lufte më 1945 mësues Mirtezani erdhi me detyrë në Shkup dhe punonte në Komitetin Ekzekutiv të Rinisë dhe takoheshim rrallë. Ai shkruante shpesh herë edhe në gazetën “Flaka” për problemet e arsimit. Pasi vazhdova shkollën “Normale” në Shkup e takoja më shpesh mësuesin tim të dashur. Ai më këshillonte dhe më ndihmonte gjithnjë që me mësimet të ecja mirë. Në vitin 1949 e shkarkojnë nga detyra në Komitetin Ekzekutiv të Rinisë dhe e burgosin 3 muaj. Pas lirimit e dërgojnë mësues në shkollën “Liria”, në Shkup. Nga viti 1950 e burgosin dhe e mbajnë deri në vitin 1953, kur e dërguan në Shqipëri. Ishte një njeri i dashur dhe shumë këmbëngulës, nuk pranoi të bashkëpunonte me pushtetin e Shkupit. Shumë e torturuan në burg. Pas pak kohësh më burgosën edhe mua dhe vuajta disa vite burg.
Ishte viti 1993 me sa më kujtohet dhe në Tetovë kishin ardhur mësuesit tanë që na mësuan shkrim e këndim shqip, sepse ne atëherë dinim vetëm “elham dylelah”, turqe vetëm. Kur u takuam i thashë: Dorëzohem para teje. Mall i madh, nuk përshkruhet. Kur ishim nxënës na pati mësuar që nuk duhet të qanim asnjëherë, nuk duhet të lotonim për çfarë të na ndodhte, se burrat nuk qajnë. Por, unë u dorëzova para mësuesit tim, qava si një fëmijë. Ishin lot gëzimi, malli. Pas atij takimi që kaluam disa ditë bashkë ish-mësues e ish-nxënës, flisnim shpesh në telefon deri sa një ditë vajzat e tij më treguan se ishte i paralizuar dhe nuk mund të fliste. Vitet kishte bërë të vetën…”
Histori e shkurtër të shkollave në fotografi:
Shkolla fillore “Tajar Tetova” ishte shkolla e dytë në gjuhën shqipe që u hap në qytetin e Tetovës në vitin
1941. Drejtor i parë i kësaj shkolle ishte Beqir Kllojka dhe me mësues Pano Hido, Lazër Bibaja, Josif Todi, Lirije Todi dhe Vasil Dhimitruka. Në vitin 1942 drejtimin e shkollës e mori Qamil Haxhihasani dhe numrit të mësuesve ju shtuan Mirtezan Katzadei, Rustem Ismailati, Dhimitër Pulati, Vangjel Daka, Kadri Hoxha, Krisanthi Temo, Gliqeri Velko, Lirika Nikolla, Kadri Kashari, Hysen Abdihoxha. Numri i nxënësve në këtë shkolla ishte rreth 399 nxënës, të cilët 352 ishin djem dhe 47 vajza.
Në fshatin Shipkovicë të rrethit të Tetovës kanë dhënë mësim disa mësues nga Shqipëria. Në fillim të vitit shkollor 1941 dha mësim Dhimitër Shuli, i cili u zëvendësua nga arsimtari elbasanas Mirtezan Katzadei. Shkolla mbante emrin e atdhetarin nga ky fshat “Rexhep Voka”, i cili ka qenë përfaqësues në Kongresin e Manastirit më 1908.
Zhepçishti është një fshat vetëm pak kilometra nga qyteti i Tetovës, por edhe ky fshat si shumë fshatra të tjera larg qendrës së qytetit kishte shkollën e tij shqipe. Shkolla mbante emrin e “Avni Rustemit” dhe në të jepte mësim arsimtari Vangjel Daka.
Shkolla “Anastas Pandeli” në vitin shkollor 1941-1943, jepnim mësim dy mësues Mit’hat Cani dhe Abedin Faja. Në vitin shkollor 1942-1943 numri i nxënësve u rrit në 126 nxënës prej të cilëve 84 ishin meshkuj dhe 42 femra. Kështu u shtua edhe stafi arsimor me Skënder Haxhihyseni, Mehmet Karadaku dhe Shyqri Ahmeti.
Shkolla “Lirija” në Reçan të Gostivarit dhanë mësim në vitin 1941-42-43-1944 arsimtarët Gafur Rada, Hamdi Zabzuni dhe Ismail Shabani. Në vitin shkollor 1942-1943 numri i nxënësve u rrit në 173 nxënës, prej tyre 161 ishin djem dhe vetëm 12 vajza.
Në Banicë të Epërme të Gostivarit shkolla mbante emrin “Ismail Qemali” dhe në vitin akademik 1941-1942 kishte 68 nxënës. Ndërsa në vitin shkollor 1942-1943 në këtë shkollë mësonin 94 nxënës prej të cilëve 74 ishin djem. Mësues kishin Skënder Haxhiademin që jepte mësim në të katërtat klasat fillore.