Klos, Mat/ Blerina Gjoka
Guri i Bardhë është vetëm 1 orë e gjysëm larg Tiranës nëse do të udhëtonim në rrugën e Arbrit, por në fakt na u deshën afro 5 orë për të mbërritur atje nga rruga Tiranë- Burrel, Burrel-Guri i Bardhë. Një grup studiuesish, gazetarësh e admirues të Pjetër Budit, poetit, atdhetarit, priftit, që 450 vite më parë lindi në ato troje dhe shkruajti shqip duke na lënë një nga dëshmitë e rralla nga ajo kohë, të shtunën më 23 Prill u nisën për të kremtuar lindjen e tij. Në mungesë të një datëlindje të dokumentuar (vetëm viti i lindjes dihet -1566) nuk kishte ditë më të mirë për ë festuar për lindjen e poetit se sa në Ditën Botërore të Librit.
Ka plot arsye pse banorët e këtij fshati të vogël e të varfër siç janë pothuajse gjithë zonat rurale të vendit, të gdhihet e
ngryset me një ndjenjë krenarie që u ushqehb et fëmijëve që sa lindin. Është natyra madhështore që të lë pa frymë, janë gjurmët e kohës së Skënderbeut, që me kështjellën e Petralbës (ku ai mbante gruan dhe fëmijët), ura e Vashës e të tjera si ajo që datojnë që nga koha e Arbërit, janë gjurmët e rrugës së Arbërit që po rigjehen në një projekt të ri…por më shumë se këto është një emër njeriu, bir i këtij fshati që e ka shenjuar këtë vend përgjithmonë si “vendlindja e poetit, atdhetarit e priftit që shkruajti shqipen”. Pjetër Budi lindi fiks 450 vite më parë në këtë fshat dhe kaloi fëmijërinë dhe rininë e parë deri 21 vjeç.
Ende ka trashëgimtarë të Budëve të vjetër, të cilët pas ndërrimit të fesë nga katolikë në myslimanë tashmë quhen Bode.
Behar Gjoka, drejtori i Qendrës Shqiptare të Studimeve Letrare “Pjetër Budi” në Tiranë, autor i librit “Poetika e Budit” iniciator i këtij udhëtimi, flet për vlerat e kësaj shtëpie.
“Rreth 160 vjet më parë është ngritur kjo shtëpi ku jemi mbi trojet e shtëpisë së lindjes së Budit. Gjatë rindërtimit është ruajtur struktura, hapësirat e odave, pra kur themi jemi tek shtëpia e Budit, jemi në trojet ku ka lindur Budi”.
Kjo shtëpi është shpallur Monument Kulture zyrtarisht, por asnjë restaurim dhe mirëmbajtje nuk është bërë nga shteti. Përkundrazi, pasardhës të Budit që kanë banuar në këtë shtëpi kanë bërë restaurimet në mënyrën e tyre.
“Shtëpia është mirëmbajtur për të banuar trashëgimtarët, por jo me vlerat monumentale. Për fat të keq hap pas hapi materialet që përfaqësojnë monumentin kanë nisur të zëvendësohen me materiale të çfarëdoshëm nga të zotët e shtëpisë. Tavani është bërë më pllaka plastike, dyshemeja është shtruar me pllaka qeramike industriale. Për restaurime të
jashtme as që bëhet fjalë, ndërsa për nevoja jetese familja Bode bënë ndërhyrje që të vjen keq se nuk duhet të ishin lejuar në një Monument Kulture. Por s’mund të bëhen me faj për këtë të zotët e shtëpisë. Mirëmbajtja dhe restaurimi i takon Institutit të Monumenteve të Kulturës. Kalldrëmi mbi 500-vjeçar ku ka shkelur këmba e Budëve dhe të parëve të tij është ende aty. Rreth dhjetë Monumente të Kulturës që shënjojnë rrugën e vjetër të Arbrit dhe historinë e vjetër janë jo shumë larg kësaj shtëpie. Urat, kishat, varret e lashtë janë aty rrotull si një dokument historik i lënë pas dore”, thotë Gjoka.
E zonja e shtëpisë tani është Sofie Bode, e cila jeton vetëm pasi fëmijët janë larguar për ta ndërtuar jetën e tyre larg nga fshati.
Ajo është kaq e lumtur që ka kaq shumë njerëz në këtë shtëpi. Na tregon një tra druri që mban taracën e ballkonit të shtëpisë. “Është dru 400-500 vjeçar, nuk ka lëvizur që aty ky dru”, thotë.
Ajo tregon se para ca vitesh disa shkencëtare gjermanë i kanë shkelur në shtëpi duke kërkuar gjurmët e Pjetër Budit.
Një tjetër vizitor i rëndësishëm kishte kaluar në këto anë. Nga gazetat e kohës mësohet se poeti Ndre Mjeda ka udhëtuar në Gur të Bardhë në vitet ’30, ka qëndruar e ka folur me banorët e zonës, duke bërë kërkime mbi tezën e tij nëse e folura e zonës vazhdon të ruajë fjalët e përdorura nga Budi në veprën e tij.
Drejtori i shkollës së fshtatit që mban emrin e poetit e ndjen si mision të tij që tu mësojë fëmijëve të këtij fshati çdo gjë që
lidhet me djalin arbnor të këtij fshtati. Tri djem të vegjël që gjendeshin pranë shtëpisë të kthejnë përgjigje të sakta për çdo gjë që ka të bëjë me Budin. “Jemi shumë të lumtur që kemi lindur këtu, ku ka lindur Budi”, thonë njëzëri fëmijët dhe pse pas ca vitesh dhe ata do të duan të ikin që këtu pasi fshati nuk ofro të ardhme për të rinj ambiciozë.
Pas vizitës në fshat nga ku duket në sfond punimet e reja që kanë nisur për Rrugën e Arbrit të lëna përgjysëm, studiuesit e Budit mbajtën në bibliotekën e qytetit Klos konferencën përkujtimore me temë: “Figura dhe vepra patriotike, fetare dhe letrare e Pjetër Budit”.
Po kush ishte Budi dhe vepra e tij, që në shkollat tona studiohet pak ose aspak vetëm si pjesë e letërsisë së vjetër shqipe.
Studiuesi i tij, Behar Gjoka, mundohet ta përmbledhë në pak fjali historinë e një jete të shkurtër por me vlera të mëdha në disa dimensione.
“Qysh në moshën 21 vjeç shugurohet prift dhe shërben në Kosovë për 29 vite.
Ai merr rrugën e kërkimit të mbështetjes me financa dhe armatime, në Spanjë, Francë, Poloni, etj. Kërkon ndihmë për luftë të përbashkët kundër hordhive osmane. Po merret nga ana tjetër lufton edhe për ruajtjen e gjuhës shqipe. Nga viti 1616 deri në 1621 qëndron në Romë dhe boton veprat Doktrina e Kërshtenë, Pasqyra e t’Rrëfyemit dhe Rituali Roman. Prej kohësh, nga studimet letrare është pranuar dhe pohuar që është poeti dhe prozatori i parë i letrave shqipe”.
Vdekja e tij shpjegon edhe sakrificën e tij si patriot e meshtar i gjuhës shqipe, një vdekje që ka misteret e saj. “Në dhjetorin e largët, 1622, Budi mbytet, vdekja e tij nuk ishte aksidentale, por e projektuar prej kohësh. Ende historia
e emërton vrasjen e tij, si aksident, ndërsa Frang Bardhi, më 1642, sillte argumente të qarta se ishte një zhdukje në valët e Drinit. Budi ka qenë gjurmuar qysh nga viti 1616, kur shkon për herë të parë në Romë. Me të ishte dhe Nikollë Leka, e deri ditën kur u nda nga jeta”, thotë Gjoka.
“Budi, është martir i gjuhës shqipe, është poeti pa varr, është heroi që dha jetën për fjalën shqipe, si bari shpirtëror dhe si shkrimtar”.
E ndërsa shumë shkolla në vend kanë marrë emrin e tij, pas 4 shekujsh e gjysëm Budi kërkon respektin që i takon. Një restaurim i mirëfillte i shtëpisë dhe shpalljen e saj muze, një botim dinjitoz i veprës së tij, propozime që u bënë nga organizatorët e kësaj dite përkujtimore në nder të tij.