Tre të dyshuarit e grabitjes së bankës në zonën e ish-bllokut me 8 gusht të këtij viti, janë paraqitur sot para gjykatës për tu njohur me masën e sigurisë.
Gjykata e Tiranës vendosi arrest me burg për dy prej të arrestuarve si autorë të grabitjes së bankës në zonën e ish-Bllokut, Roland Liti dhe Alan Babamato. Ndërsa për Robert Kullën u vendos masa e arrestit 30 ditë paraburgim.
Mësohet se Robert Kulla ka deklaruar në sallën e gjyqit se nuk ka lidhje me grabitjen dhe se paratë e gjetura në banesën e tij i vijnë nga disa objekte me qera që ka dhënë.
Nga ana tjetër, Roland Liti ka hedhur poshtë akuzën për grabitje duke mohuar se gjurmët e gishtave të jenë të tijat dhe se ditën e grabitjes ka qenë në shtëpi.
Prokuroria dorëzoi dje në gjykatë kërkesën për masën e sigurisë “arrest me burg” për Roland Litin, Alan Babamaton dhe Robert Kullën.