Gjykata pushon çështjen e “Albcontrol”, kërkon rihetim të dosjes

0
134

Gjykata e Tiranës, ka marrë vendimin për pushimin e çështjes për tre punonjësit e “Albcontrol”, të cilët u morën të pandehur dhe u akuzuan për “Pengim të qarkullimit të mjeteve të transportit ajror”, ngjarje kjo e ndodhur në muajin prill 2021 në Rinas. Vendimi për pushimin e akuzës është marrë nga gjyqtarja e çështjes, Migena Laska, e cila e ka cilësuar akuzën e ngritur nga prokuroria ndaj tre personave Flora Ndreca, Armand Fezga dhe Muhin Mezini, si të padrejtë.

Nisur nga kjo situatë, gjykata ka zhveshur nga përgjegjësia penale tre personat e mësipërm, për shkak se ata nuk kanë qenë fare në punë ditën kur dhe është bojkotuar dhënia e shërbimit tek kulla e “Albcontroll”. Në vendimin e pushimit, gjyqtarja Laska thotë se

“Më 7 prill 2021, datë në të cilën rezulton se në Aeroportin “Nënë Tereza” janë shtyrë, pezulluar, anuluar, disa fluturime ndërkombëtare të planifikuara përgjatë asaj dite, nuk kanë qenë në detyrën e tyre të mëparshme, të kontrollori. Tre personat e marrë të pandehur nga prokuroria, nuk kanë qenë në asnjë prej turneve të datës 7 Prill 2021” – thuhet në vendimin e Gjykatës.

E për rrjedhojë gjykata ka kthyer dosjen mbrapsht për plotësim të hetimeve, duke urdhëruar akuzën që të zbulojë personat përgjegjës që krijuan revoltën brenda radhëve të punonjësve, me qëllim sabotimin e punës në këtë ndërmarrje shtetërore kaq shumë të rëndësishme që monitoron trafikun ajror. Fillimisht ndaj tre persona hetimi nisi për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, ndërsa më pas çështja u kualifikua në veprën penale të “Pengim të qarkullimit të mjeteve të transportit ajror”.

Në fazën e parë të çështjes për tre personat e pandehur, prokuroria siguroi dhe përgjime nga rrjeti “ËhatsApp” që kishin ndërvepruar për të lënë punën, po për gjykatën këto prova nuk i bëjnë ata përgjegjës. Pikërisht në datën 7 prill 2021, pjesa më e madhe e kontrollorëve në kullën e kontrollit ajror “Albcontrol”, bojkotuan punën duke futur në situata shumë të vështirë transportin ajror në vend dhe duke cenuar sigurinë kombëtare.

Pjesa më e madhe e kontrollorëve të trafikut ajror në “AlbControl” ndaluan punën me arsyetimin se për shkak të uljeve të pagës ata kanë pasur stres si pasojë e rënies së financave në familje dhe janë vetëdeklaruar të paaftë dhe të pamundur për punë. Për zgjidhjen e situatës paraprakisht e mori në dorë ushtria dhe më pas u emëruan kontrollorë të trafikut ajror nga Turqia. Ndërsa një lumë akuzash të ndërsjellta u shkëmbyen mes Presidencës dhe qeverisë, duke akuzuar njëra-tjetrën si shkaktarë të këtij komploti shtetëror, pikërisht në institucionin më të rëndësishëm që monitoron trafikun ajror.

Kujtojmë se situata tek “Albcontrol” ndodhi në kulmin e fushatës zgjedhore. Një nga protestuesit ishte i cili akuzohej se kishte bllokuar fluturimet ishte edhe Maksim Ethemaj, i cili pasi mbaruan zgjedhjet dhe u formua qeveria Rama 3, u zgjodh drejtor në nëntor të 2021-shit, me vendim të Këshillit të Ministrave.