Në fshatin Valare të Gjirokastrës ditën e sotme 80 nxënës nga shkolla “Petro Poga” kanë bojkutuar mësimin.
Banorët u ankohen autoriteteve pasi ky është viti i parë që u është hequr transporti deri në shkollë, e cila ndodhet 3 km larg nga qendra e fshatit. Ata kërkojnë prej Bashkisë së Gjirokastrës që të marrë masa për transportin e fëmijëve pasi nuk kanë mundësi të shoqërojnë fëmijët e tyre deri në shkollë, ndërsa kalimi në rrugën automobilistikë është i rrezikshëm për shkak të ngarkesës me trafik të kësaj rruge.
Drejtoresha e shkollës “Petro Poga”, Nezi Rustemi është shprehur se mungesa e këtyre nxënësve cënon edhe procesin mësimor.
Rustemi: “Nxënësit erdhën privatisht, por është shumë problematike sepse fshatrat këtu janë të përhapur dhe fshati më i largët është 8-10 kilometra. Unë kam kërkuar mbështetje, por më kanë thënë që në bazë të ligjit, fshati Valare nuk është”.
Shkolla 9-vjeçare “Petro Poga” frekuentohet nga 150 nxënës të ciklit parashkollor deri në klasën e 9-të, 80 prej të cilëve vijnë pikërisht nga Valare.