Nga Kim Mehmeti
…motrat ishin dhe mbetën shenjtoret e mia, engjëjt që më mbronin, që jetonin çdo pikëllim timin, që humnerën e dhembjes së tyre, e thellonin me dhembjet që i jetoja unë, që nuk shijuan asnjë gëzim të vetin sa gëzimin e lumturinë e vëllezërve të tyre.
Mënyrën si i doja motrat e kisha trashëguar nga nëna. E nëna ato i donte mallëngjyeshëm, me një përmallim e dhembje të përzier në një, me një dashuri që ndryshonte nga ajo që kishte ndaj djemve të saj, me një lumturi e trishtim të përcjellë me gëzim e dënesë, që nuk i ndahej që nga dita kur i kishte lindur.
Nëna edhe djepin e tyre e stoliste disi më ndryshe se atë ku na vinte në gjumë neve, djemve të saj. Në të vërtetë, djepi ishte po ai i njëjti ku foshnjëruam të gjithë ne të lindurit njëri pas tjetrit, ku bënim gjumë të përkëdhelur nga ninullat e saj, por varësisht nga gjinia që kishte foshnja që prehej në të, nëna i caktonte stolitë e tij.
Kështu, kur në djep foshnjëronin motrat, ai ishte i stolisur me rruaza të kaltra dhe nëna, fytyrën e foshnjës e mbulonte me një nga shamitë e saj me oja anëve, e që ajo mbante mbi kokë. E, kur në atë djep rritej ndonjë nga ne djemtë, ai ishte i stolisur me më shumë hajmali për mosmarrje mësysh dhe me disa bajame të shpuara, e të varura mbi kokën e foshnjës, të cilat simbolizonin jetën tonë të ardhme që do të duhej të kishte shenjë njohëse pathyeshmërinë burrërore dhe bërthamën e qëndrueshmërisë brenda saj.
Pastaj edhe ninullat që na i këndonte, dallonin mes vetes varësisht nga gjinia e foshnjës. Kështu, ato me të cilat na vinte në gjumë neve djemve, ajo i këndonte më zëshëm, ato ngërthenin në vetvete madhështinë e trimërisë burrnore dhe gëzimin e dhëndërisë sonë të ardhshme.
Ndërkaq, ninullat që ua këndonte motrave, ishin disi melankolike. Nëna ato i këndonte me zë disi si të mekur dhe vargjet nuk shprehnin asgjë më shumë se sa shëndetmirësi dhe përkushtimin amënor ndaj pjellës së vet.
Ninullat me të cilat nëna i vinte në gjumë motrat, u ngjanin disa murmurimave të paqarta, të cilat thuajse donin ta fshihnin atë që nëna donte ta shprehë, thuajse diçka e brendshme nuk e lejonte ta shprehte lirshëm atë që ndjente, për dallim nga ato që na i këndonte neve djemve, e jehona e të cilave, pasi zvarritej nëpër çardak, lëshohej shkallëve teposhtë, përhapej nëpër oborr dhe kalonte përtej murit të avllisë.
Nëna i donte ato me një dashuri të përzier me dhembshuri, ajo ndaj tyre kishte qëndrim të ngjashëm si ndaj luleve që i mbillte pranë pusit e për të cilat kujdesej si ndaj diçkaje të dashur e të bukur, por që nuk do e kesh përgjithmonë, lule të cilat posa kalonte pranvera, bëheshin përmallim e kujtim për të shkuarën.
Motrat, me heshtjen e tyre, me lëvizjet e pahetueshme e të lehtë nëpër çardakun e kullës, thuajse ishin vënë në mbrojtje të kësaj dashurie që ua dhuronte nëna, kështu që ato nuk shqetësonin askënd, nuk bënin asnjë prapësi që do ta çonte tim atë t’u bërtiste, gjë që do ta lëndonte nënën.
Pra, motrat dhe ne rriteshim si në dy brigjet e të të njëjtit lumë, por ku nuk kishte urë që ne të kalonim në bregun përballë nga na ledhatonte shikimi i motrave, në bregun ku ato dukeshin si të ardhura vetëm sa ta sodisnin nga larg bregun ku ne qëndronim.
Ne rriteshim të ndarë me një kufi të dukshëm, kufi që ndante dy botë të ngritura në kullën e përbashkët ku jetonim, botë të ndara me rrethojën e të jetuarit tonë të zëshëm dhe jetës së tyre të heshtur. Ne bënim zhurmë, ato heshtnin, ne kërkonim, ato të linin përshtypjen se asgjë nuk u mungonte dhe se ishin të kënaqura me atë që kanë, ne loznim, ato qëndronin me fytyra të ngjitura për xhamat e dritares nga e përcillnin lojën tonë, ne shpeshherë edhe hanim dajak nga babai, kurse ato qanin së bashku me ne dhe e lusnin tim atë të mos na rrihte për gabimet që kishim bërë, ne rrëzoheshim e vriteshim, e ato të trishtuara lajmëronin nënën për plagët që kishim marrë, ne…., e ato…., ne…., e ato….., ne pra jetonim, e ato ngiheshin me jetën që bënim ne, ne zhurmshëm ndërtonim botën tonë mashkullore, ato në heshtje bëheshin gati të shpërnguleshin në botën e tyre.
Shkurt, nënat që na rritën neve dhe motrat që me aq gëzim e prisnin dhe i këndonin dhëndërisë sonë, ishin ato heroina që pranuan të jetonin të mbyllura mes katër mureve, duke e kuptuar instinktivisht se përtej atyre mureve ishte vënë kurthi i asimilimit, duke ia dalë kështu të krijonin parakushtet për të sotmen, kur muret e vetëdijes do të jenë aq të lartë, sa nuk do të ketë rrezik që nipërit e tyre të harrojnë se ç’flijim është bërë që ata sot t’u ngjajnë të tjerëve, por të jenë vetvetja.
Dhe, ato heroina vinin në këtë jetë duke qarë, jetonin duke dënesur në heshtje dhe vdisnin në paqe të plotë me vetveten, ngaqë kurrë nuk kishin pyetur vetveten si jetonin ato, por si do të jetonin pasardhësit që linin pas. Ato rriteshin me bindje se burrëria, bujaria, nderi, krenaria, fisnikëria… e kullave tona mund të mbijetonte vetëm falë qëndrueshmërisë së tyre, falë asaj se u bënë robëresha vullnetare të bindjes se turpin e burrit nuk e mban toka, por atë të gruas nuk e mbulon as dheu.
Ja, të tilla ishin edhe motrat e mia, të cilat edhe kur i shoh në fotografitë e largëta të fëmijërisë, fare nuk më kujtohet si silleshin derisa ishin të mitura, siç nuk më kujtohet si dukeshin si vasha të reja, ngaqë ato as kishin fëmijëruar as kishin rinuar, por këto stinë të jetës ishin parapërgatitje për kohën kur do të bëheshin nëna të zellshme, të atilla siç kishin qenë nënat e tyre që u kishin kënduar ninulla…