Gazetarët Evgeniy Maloletka dhe Mstyslav Chernov raportuan nga Mariupoli i rrethuar nga trupat ruse. Ata dokumentuan fillimin e luftës, luftimet dhe pasojat e granatimeve të rënda. Çmimi i këtij viti për Lirinë e Fjalës së DW shkon për fotoreporterin Evgeniy Maloletka, i cili punon me shumë agjenci dhe organizata ndërkombëtare të lajmeve, dhe gazetarin e videove të Associated Press, Mstyslav Chernov. Fituesit u shpallën të hënën, më 2 maj.
Me fillimin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës gazetarët ishin në Mariupol, ku ata erdhën, ditën kur filloi pushtimi rus në Ukrainë më 24 shkurt . Ata i treguan botës jetën në qytetin ukrainas teksa ishte i rrethuar nga trupat ruse. Chernov dhe Maloletka fotografuan shkatërrimin, mjekët në punë dhe viktimat e shumta civile. Ata u larguan nga Mariupol më 15 mars 2022 si pjesë e një evakuimi. Evgeniy Maloletka tregon për DË se si ai dhe Mstyslav Chernov punuan dhe mbijetuan në Mariupol.
Maloletka pranon se ai dhe Chernov kishin pritur sulme nga trupat ruse, kur Rusia njohu pavarësinë e të ashtuquajturave “Republikat Popullore të Donetskut dhe Luhanskut”. “Ne e kishim të qartë se do të kishte luftë. Ishte e paqartë se kur. Ne ishim të vetëdijshëm se ata do të përpiqeshin të prisnin një korridor për në Krimenë e aneksuar nëpërmjet Mariupolit dhe për këtë arsye do të sulmonin Mariupolin,” thotë Maloletka. Por të dy nuk e kishin pritur që “rusët do të thyenin të gjitha linjat e mbrojtjes dhe do të rrethonin qytetin kaq shpejt”.
Sipas Maloletka, lindja e qytetit u granatua pikërisht në fillim të luftës. “Plumbat erdhën duke fluturuar dhe ne i filmuam duke goditur shtëpitë”, thotë ai. Një periferi ishte gjithashtu nën zjarr të vazhdueshëm masiv artilerie. Për sa kohë që kishte pjesë relativisht të qeta të qytetit në Mariupol, mund të lëvizje dhe të punoje pak a shumë normalisht, thotë ai. Sulmet ajrore erdhën më vonë. “Fillimisht nuk kishte bombardime të rënda, por bombat binin në mënyrë shumë kaotike”.
Ushtria ukrainase u detyrua gjithnjë e më shumë të zmbrapsej në Mariupol. “E gjithë ushtria erdhi në qytet, sepse nuk ishte më e mundur të mbante pozicione në fusha. Prandaj e gjithë mbrojtja u tërhoq në qytet”, thotë Maloletka. Pas kësaj, granatimet e Mariupolit u bënë më të rënda dhe ishte e vështirë të lëvizje nëpër qytet. Qendra e Mariupolit ishte gjithashtu nën zjarr artilerie. Përveç kësaj, në qytet ishin grupet e sabotimit dhe zbulimit.
Situata në Mariupol bëhej gjithnjë e më e ndërlikuar dhe kishte gjithnjë e më pak njerëz dhe makina në rrugë. Gjithashtu nuk kishte pothuajse asnjë lidhje telefonike. “Njerëzit në panik na pyesnin se çfarë po ndodhte. Ata po përpiqeshin të merrnin ndonjë informacion, po pyesnin për korridoret humanitare. Kishte një ose dy vende në qytet që kishin ende një linjë telefonike, por edhe ajo u prish më 10 mars,” kujton Maloletka.
“Viktimat e granatimeve varroseshin në oborret e shtëpisë. Por në fillim nuk ishin aq shumë”, thotë fotoreporteri. Ai shton se ai dhe Mstyslav Chernov dokumentuan gjithashtu punën e ndërmarrjeve që vinin në një nga spitalet e qytetit për të mbledhur kufomat. “Duke qenë se varrezat normale nuk ishin të aksesueshme, u hap një llogore rreth 30 metra e gjatë dhe rreth tre metra e thellë. Trupat e spitaleve u dërguan atje. Edhe firma të vogla varrimi të mblidhnin trupa në oborret e shtëpisë dhe i sollën në varrezat masive”, thotë Maloletka.
Gazetarët fotografuan edhe fëmijë. “Është shumë e vështirë të harrohet vdekja e një fëmije. Të gjithë fëmijët që u dërguan në spital dhe që i fotografuam, vdiqën. Aty kishte një 15 vjeç, por edhe foshnja tre muajsh. Të gjithë kane vdekur si pasojë e granatimeve”, thotë ai.
Maloletka vëren se pothuajse e gjithë infrastruktura e qytetit tani është shkatërruar. “Ata nuk bombarduan vetëm spitale, por edhe një stacion zjarrfikës me të gjitha makinat e tij zjarrfikëse. I shkatërruan zjarrfikësit, ndoshta për të pamundësuar shuarjen e zjarreve në qytet dhe për të pamundësuar shpëtimin e njerëzve nga rrënojat dhe për të mbjellë frikë në popullatë”, thotë ai.
Kështu e bën luftën Rusia. “Hyn me tanke dhe shkatërron gjithçka që sheh dhe pastaj, kështu e shkatërruan Mariupolin lagje pas lagjeje”, thotë ai. “Është një taktikë mesjetare: nëse nuk mund ta marrësh dhe ta mbash një qytet, ndoshta më mirë do ta shkatërrosh atë”.
Kur një bombë goditi një spital me një klinikë materniteti më 9 mars, dy gazetarët ishin afër. Imazhet e shkatërrimit bënë xhiron e botës dhe u bënë simbol i kësaj lufte. Rastësisht u gjendëm aty pranë, dëgjuam një aeroplan dhe më pas pati një shpërthim. Nuk ishte një, por disa. Ka pasur një shpërthim shumë të fortë dhe në banesat përreth janë thyer xhamat. Pamë që gjithçka atje ishte shkatërruar. Njerëzit dilnin me vrap nga bodrumi të tronditur. Ne pamë gra shtatzëna duke u mbartur, Ishin pamje shumë të dhunshme”, thotë Maloletka. Sipas tij, një pjesë e ndërtesës ka qenë spital ushtarak. Por aty nuk ka pasur as pozicione ushtarake dhe as pajisje ushtarake.
Dy gazetarët shkuan në spitalin e dëmtuar rëndë për të biseduar me gra nga materniteti. “Pastaj erdhën tanket ruse. Ne u fshehëm në spital për gati një ditë dhe u shtirëm se ishim mjekë. Veshëm bluzat e bardha dhe filmuam tanket ruse që kalonin nëpër qytet”, thotë Maloletka. Mëngjesin e 12 marsit, një njësi speciale ukrainase arriti t’i sjellë dy gazetarët në një vend më të sigurt. “Ne nuk kishim më makinë dhe ishim në gjendje të lëviznim nëpër qytet në një masë shumë të kufizuar. Oficerët e policisë më vonë na ndihmuan të hynim në internet nëpërmjet satelitit. Ata kishin një lidhje dhe ne mund të transmetonim të dhëna nëpërmjet tyre.”
Maloletka ka bërë me dije se ushtarët u thanë se do të ishte më mirë për ta që të evakuoheshin. “Na u tha se nëse do të na kapnin rusët, ata do të na detyronin të themi atë që ata donin të thoshim në kamera. Pra, nëse do të kishim rënë në duart e rusëve, kjo do të kishte qenë vërtet e vështirë. Unë nuk dua ta provoj nga dora e parë sesi sillen shërbimet sekrete ruse me të arrestuarit”, thotë ai. Më 14 mars, një kolonë prej rreth njëqind makinash mundi të largohej nga Mariupol. Të nesërmen qyteti ishte i bllokuar nga trafiku gjashtë deri në shtatë kilometra i gjatë. Njerëzit në makina donin të dilnin nga Mariupol.
Sipas Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës, gjithsej 18 përfaqësues të medias janë vrarë që nga fillimi i luftës, duke përfshirë 15 burra dhe tre gra. Tetë persona (katër burra dhe katër gra) janë rrëmbyer dhe tre gazetarë rezultojnë të zhdukur. Sipas autoriteteve, janë plagosur edhe 13 përfaqësues të mediave. Përveç ukrainasve, në mesin e të plagosurve dhe të vrarëve ishin edhe 19 përfaqësues të mediave nga vende të tjera: Britania e Madhe, Republika Çeke, SHBA, Danimarka, Emiratet e Bashkuara Arabe, Rusia, Irlanda, Zvicra, Franca dhe Lituania.
Deutsche Welle e jep çmimin për lirinë e fjalës që nga viti 2015. Fitues mund të jetë një person apo iniciativë që ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirisë së shprehjes në media./DW