Ndryshon Statuti i PS-së, i mbyllet rruga deputetit socialist, Ben Blushi, i cili kërkon zgjedhje për kryetarin e partisë në kongresin e marsit
Grupi i punës për ndryshimet në statut, ka përfunduar draftin me ndryshime i cili do t’i kalojë kongresit të marsit për miratim. Një nga ndryshimet më të rëndësishme në statutin e Partisë Socilaiste lidhet me pikën për rikonfirmimin e mandatit të kryetarit. Statuti i ri i PS-së, përcakton se nëse partia fiton zgjedhjet kryetari shpallet Kryeministër dhe mandati i tij përfundon dy vjet nga zgjedhja në krye të qeverisë. Në këtë rast kryetari rikonfirmohet pa votim, në Kongresin e PS.
Statuti përcakton gjtihashtu se në rast se kryetari i PS, humbet zgjedhjet, do të respektohet rregulli i zgjedhjes së tij, përmes parimit, një anëtar një votë.
Statuti i ri, përmirëson disa nene që përshtasin organizimin e partisë në bazë të ndarjes së re administrative-territoriale.
Ndryshimet në Statut, do të votohen në Kongresin e muajit mars, që ka thirrur Partia Socialiste. Në Kongres, delegatët do të zgjedhin Asamblenë e re të partisë, dhe do të jetë pikërisht kjo Asamble që do të zgjedhë kryesinë dhe sekretariatin e ri të socialistëve.