Nga Edison Ypi
Fshati Makap atë mëngjez u ngrit i shqetësuar. Fjala kishte marrë dhenë. Gjatë natës ishte zhdukur një djalë. Prindërit e djalit thanë se kishte vajtur në disko, e kishin marrë në celular, zilja binte, djali s’përgjigjej. Hamëndje të frikëshme mbushën kafenenë e Makapit. Lajmëruan Policinë të vinte urgjent në Makap. Policia u tha; “Djali mund të jetë mbyllur diku duke u hargalisur me ndonjë femër. Zhdukja duhet të zgjasi të paktën 72 orë që të vihemi në veprim”. Pra mund të ishte ndonjë nga ato raste që duken si fatkeqësi por janë qef. Policia nuk vete atje ku ka gjumë dhe qef por atje ku ka krim. Përgjigja e Policisë i dëshpëroi prindërit e djalit të zhdukur dhe i habiti makapsit, të cilët, me këtë rast, me kafe dhe raki përpara, nisën të bëjnë kritika për rendin e korruptuar dhe policinë e ngathët.
Nga mesdita gjendja u rëndua; Dy prindër të tjerë që deri në atë moment kishin heshtur për vajzën e tyre 19-vjeçare të zhdukur nga Makapi para 24 orësh i bënë të ditur kafenesë se vajza sapo kishte telefonuar nga Italia. U kishte thënë se ishte shëndosh e mirë dhe të mos bëheshin merak. Ishte rrëmbyer me vullnet të plotë me një djalë të cilin e kishte njohur ne Fejsbuk dhe e dashuronte marrëzisht. Shtëpia ku ishin vendosur në Milano ngjante pak si bordello, por i fejuari e kishte siguruar se pas pak do jetonin në një vilë. Megjithse të dyshimta, këto habere s’dukeshin fort të këqia. Në këto rrethana, prindërit e vajzës i dhanë karar të prisnin derisa të merrej vesh nëse çupa u ishte fejuar apo ishte bërë kurvë.
Pa mbaruar muhabeti lidhur me kurvën milaneze apo të fejuarën makapse, ia behu tjetri haber; Ndaj të gdhirë në të dalë të Makapit dy makapsa që tërhiqnin nga pas me litar secili nga një lopë i kishin thënë njëri-tjetrit plot mirsjellje “Mirmëngjes”. Me të arritur secili në shtëpinë e vet, dy makapsat ishin tmerruar kur kishin parë grazhdin bosh dhe kishin kuptuar se kishin vjedhur lopën e njëri-tjetrit. Njëkohësisht vjedhës dhe të vjedhur, morën kokën ndër grushta si Hamleti kafkën.
Rrokada e lopëve të vjedhura i ndezi muhabetet e kafenesë së Makapit. Për Policinë që nuk e bën punën si duhet, për fukarallëkun që po bën kërrdinë, korrupsionin që ka marrë dhenë, etj.
Një makaps që kishte parë botë me sy tha,
-Mos i bini kot më qafë Policisë. Në vendet kapitaliste bilancet e të vdekurve të qefit janë si bilance lufte. Ejani në vete. Po kërkoni nga policia e Makapit më tepër se policia e Londrës.
-Gënjeshtra, ia priti një tjetër. Para ca ditësh mespërmes Makapit, kaloi një amerikan i veshur teptil, demek si udhëtar, si turist, që në fakt ishte spiun. Ku është syçelësia e makapsave, vigjilenca e Policisë në mbrojtje të tërësisë territoriale të Makapit?
-O budalla, ia priti një i tretë, jemi në NATO o idiot. Edhe ajo na duhet, të na ndjekë Policia turistat që na sjellin valutën.
Do kishte plasur sherri sikur në kafene të mos kishte hyrë me vrull një djalosh,
-Dajua vari veten, tha djaloshi duke ju marrë fryma.
-Ku, si ?
-Në degë të fikut, me tel rreth qafës.
-Pse ?
-Kish ca kohë thoshte; I kam lexuar të tëra librat, i kam parë të tëra filmat, i kam bërë të tëra muhabetet, i kam shijuar të gjitha qejfet, i kam jetuar të gjitha sistemet, tani do iki të shoh ç‘bëhet përtej murit.
Debatet mbi rolin e Policisë vazhduan deri vonë. Afër mesnatës erdhi haberi për një therje. Therësi i kishte ngulur të therurit thikën e bukës në gjoks ngaqë delet e të therurit kishin ngrënë pakëz bar në arën e therësit. Therësi i dehur nga gjaku kishte ikur i lebetitur nëpër fushë bashkë me thikën që kullonte gjak. Njëri i therur tjetri i arratisur, s’u muar vesh kush e njoftoi ngjarjen.
Dikush kujtoi me simpati kohën e kurvit kur për të tilla gjëra s’bëhej fjalë. U fol për një peticion apo kushtrim të makapsave drejtuar trupit diplomatik në Tiranë në mbrojtje të jetës së qytetarëve të pafajshëm. U vu në dukje ngjajshmëria mes ankesave ndaj Policisë me ankesat ndaj grave. Një plak i moçëm spiun me nam u kujtoi kafexhinjve se nuk ishte mirë të ndodhnin të tilla gjëra në Makap ku plot 100 vjet më parë kishte kaluar Ismail Qemal Bej Vlora me qerre. U përhapën atë mbrëmje plot habere të tilla. Jo vetëm në Makap. Edhe në katundet e tjera, në Malag, Maputh, Mathith.