450 efektivë të FNSH në Qafë-Thanë, Kapshticë, Kakavijë dhe Qafë-Botë
Frika e mbërritjes së “dallgës” së refugjatëve sirianë nga Greqia në Shqipëri, ka sjellë dhe reagimin e strukturave policore, të cilat kanë blinduar 5 pika doganore, në jug të vendit. Bëhet fjalë për rreth 450 efektivë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, që janë dislokuar në pikat doganore të “Qafë-Thanës”, “Kapshticës”, ”Tre Urat”, ”Kakavijës” dhe “Qafë-Botës”, të cilët janë në gadishmëri dhe mbikqyrin situatën në kufi. Këto struktura të specializuara për menaxhimin e turmave, janë transportuar në kufirin jugor nga repartet e FNSH-së së Tiranës, Fierit dhe Shkodrës. Ndërkohë në mbështetje të FNSH-së janë dhe strukturat e Drejtorisë së Kufirit, të cilat gjatë kësaj kohe kanë mbajtur kontakte të vazhdueshme me autoritet greke, për të mësuar lëvizjen e karvaneve të emigrantëve sirianë.