Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Fitimet më të larta rrisin interesin e fermerëve drejt bletëve

Nga 27.al 0

Fitimet neto të Kujtimit, një bletërritës në zonën e Tropojës, arritën në rreth 16 mijë euro, vitin e kaluar, nga ferma e tij prej 107 kosheresh. Fitimet ishin sa dyfishi i pagës mesatare në vend, teksa bletaria është më pak e lodhshme se bizneset e tjera të bujqësisë si blegtoria dhe kultivimi i perimeve.

Mbarështimi i bletëve po shndërrohet në tendencë në të gjithë vendin. Sipas të dhënave të INSTAT, prodhimi i mjaltit në vitin 2019 arriti në 4 mijë e 116 tonë me një rritje 4,5% në raport me vitin e kaluar, ndërsa numri i koshereve u rrit vetëm me 0,9%.

Vitin e kaluar është rritur rendimenti i prodhimit për koshere me rreth 14%. Prodhimi mesatar për koshere i mjaltit në vitin 2019 ishte 14,4 kilogramë nga 12,6 kilogramë më 2018. Gjithsesi, prodhimi për koshere është më i ulët se në rajon dhe në Europë, për shkak se bletaria zhvillohet me mënyra primitive pa një survejancë të profesionistëve të fushës.

Sipas të dhënave zyrtare, një e katërta e sasisë së mjaltit prodhohet në Qarkun e Vlorës, më pas për sasitë e larta të prodhimit vijnë qarqet e Korçës, Shkodrës, Elbasanit, ku prodhimi i mjaltit gjatë dekadës është rritur me ritme treshifrore.

Në rang vendi, prodhimi i mjaltit gjatë periudhës 2008-2019 është rritur me 56%. Tendenca për t’u ushqyer shëndetshëm dhe me produkte natyrale po rrit konsumin dhe çmimin e mjaltit nga viti në vit. Kjo tendencë po zhvendos interesin e fermerëve nga blegtoria drejt fermave.

Shumë fermerë në Veri të vendit po i zëvendësojnë tufëzat me koshere. Numri i bagëtive është ulur me rreth 17% në katër vitet e fundit, ndërsa numri i koshereve ka tendencë rritëse. Nga viti 2008-2018, numri i koshereve sipas të dhënave zyrtare është dyfishuar.

Tkurret blegtoria

Nga viti 2015 në vitin 2019 sektori i blegtorisë ka pësuar rënie të ndjeshme si në numrin e krerëve ashtu edhe në prodhimin e qumështit, duke vërtetuar faktin se tashmë, sektori është në një rënie të qëndrueshme. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, në katër vitet e fundit, numri i gjedhëve u pakësua me mbi 18 mijë, me një rënie më shumë se 17%. Rënia më e mprehtë u vu re gjatë vitit 2019, ku numri i gjedhëve ra me mbi 11% në raport me vitin 2018.

Në krizë gjenden edhe tufëzat e të imtave për të cilat është vënë re një rënie me 8% në katër vitet e fundit për delet dhe një rënie me 30% numri të dhive. Kjo është reflektuar edhe në prodhimin e qumështit i cili është ulur me gati 2% në katër vitet e fundit.

Blegtorët pohojnë se dy janë shkaqet që kanë çuar në këto rezultate negative. Ferit Sokolaj, i cili zotëron një ferme të madhe dhish në zonën e Tropojës, tha se ka ulur me 30% numrin e krerëve dhe shumë shpejt mund ta mbyllë biznesin për arsye se nuk po gjen punëtorë për t’u kujdesur. Emigracioni i lartë i të rinjve sidomos në zonat malore e kanë bërë të vështirë gjetjen çobanëve, teksa ky fenomen po bëhet rrezik edhe për zhdukjen e fermave të vogla familjare dhe zhdukjen e racave të rralla. Pakësimi i banorëve dhe plakja po bën që familjet në fshat të mos mbarështojnë lopë.

Ndërsa në fermat e mëdha blegtorale të organizuara si biznes, kostot janë të larta nga mungesa e subvencioneve dhe konkurrenca e lartë nga importi. Nëse rajoni dhe sidomos Serbia e subvencionojnë të gjithë zinxhirin e qumështit, në Shqipëri skema e subvencionit nuk ndihmon prodhimin.

Importi i produkteve bulmetore, ku qumështi zë një peshë të konsiderueshme të këtij grupi, u rritën me 22% në peshë dhe 17% në vlerë. Sipas të dhënave të INSTAT, për 12 muajt e vitin 2019 u importuan 23.4 milionë kg produkte bulmetore me një vlerë 3.8 miliardë lekë. Që prej vitit 2013, importet e produkteve bulmetore në vend janë rritur më shumë se 70% në sasi dhe po aq në vlerë.

Të dhënat më të detajuara për kodin doganor 0410, i cili i referohet qumështit, tregojnë se për vitin 2018 (të dhënat për 2019-n ende nuk janë publikuar), janë importuar 9.2 milionë kg qumësht, apo 7.1 milionë dollarë. Në krahasim me vitin 2014, Shqipëria importoi 50% më shumë qumësht nga jashtë.

Kompanitë kryesore të përpunimit të qumështit thonë se janë detyruar që të drejtohen për të blerë në rajon për shkak të mungesës së prodhimit vendas, i cili nuk mjafton për të përmbushur kërkesën e tyre dhe të tregut për produkte bulmetore.

Për çdo vit, për ta po bëhet më e vështirë për të plotësuar nevojat dhe për këtë detyrohen të importojnë nga vendet e rajonit, shpeshherë edhe me çmim më të lirë se mund ta marrin në Shqipëri, kjo për shkak se vendet e rajonit kanë kosto më të ulëta dhe fermat marrin mbështetje dhe subvencione.

Ndryshimi-i-numrit-te-krereve-936-768x500.jpg

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej