Me protestën e studentëve janë solidarizuar të gjithë shqiptarët (kujtojmë se studentët fituan dhe respektin e kryeministrit Rama tre ditë pasi i etiketoi ngelës).
Ndërsa dje në të gjithë rrjetin qarkulloi videoja e një gruaje, e cila u shpërndante bukë të rinjve protestues që qëndruan me orë të tëra para Ministrisë së Arsimit, rrjeti vijon të gëlojë edhe sot me pamje, ku duket qartë bashkimi të paktën shpirtëror i qytetarëve të Tiranës, pavarësisht bllokimit të qarkullimit në arteriet kryesore të qytetit.
Një video, e cila po qarkullon masivisht është ajo, ku një shofer autobusi ka ndaluar në rrugë dhe e ka shoqëruar marshimin me rënie borie dhe duke shtrënguar duart me të rinjtë si një shenjë solidarizimi dhe kurajoje për të mos hequr dorë deri në arritjen e synimeve të tyre.