Nga Maklen Misha
Diku andej nga vigjilja e Krishtlindjeve apo Vitit të Ri, Bujar Nishani nxori një zëdhënës të Presidencës për t’u ankuar për festimet që po zhvilloheshin në sheshin “Nënë Tereza”. Sipas tij, lojërat që ishin vendosur atje për fëmijët, aktivitetet e ndryshme argëtuese, por ta do mendja edhe vetë fëmijët, po bënin shumë zhurmë dhe po prishnin qetësinë presidenciale. Të mërkurën, po i njëjti President, pasi përdori truprojat për të prishur pengesat që shërbejnë për të ndaluar hyrjen e automjeteve në Parkun e Liqenit, hyri në park në krye të një autokolone dhe në një skenë groteske, ku truprojat e gazetarët ua kalonin disa fish në numër protestuesve, lëshoi një deklaratë nga ato tym e zjarr kundër një këndi lojërash për fëmijë që po ndërtohet atje, i kundërshtuar nga një grup i vogël protestuesish, si dhe sigurisht, nga partia e zotit President.
Është e vështirë të kuptosh përse një njeri që ka mundësinë e fatin të bëjë Presidentin, zgjedh të sillet si ndonjë nga ata pleqtë zevzekë që u bënin dikur fjalë kalamajve, pse bënin zhurmë në sheshin përpara pallatit dhe që po t’u jepej rasti, u çanin edhe topin.
Logjika ta do që një individ në momentin që zgjidhet president duhet t’i bëjë vetes një pyetje të thjeshtë: Çfarë do të bëj? Si do të veproj? Do ngrihem në nivelin e postit që përfaqësoj, për t’u kthyer në simbol të unitetit kombëtar, apo do ta shohë këtë post me kaq rëndësi, si një mundësi që duhet shfrytëzuar për ca interesa meskine, qofshin këto vetjake, apo të forcës politike që e ka zgjedhur?
Shumica e presidentëve që kemi pasur deri më sot janë luhatur sa nga njëra alternativë tek tjetra. Kurse zoti Nishani qartazi ka zgjedhur alternativën e dytë. Prandaj, kemi sot një Presidencë që në koherencë të plotë me këtë vendim të zotit Nishani ka mbetur tek niveli i ligjërimeve me autostrada plot me kamionë, qiellit plot me avionë, detit plot me anije dhe rrugëve plot me makina.
Natyrisht, është shumë tunduese ta shpërfillësh zotin Nishani thjesht si një president butaforik që s’ka me çfarë të merret dhe vendos t’i shpenzojë energjitë e tij presidenciale e politike duke u marrë me punë kalamajsh. Dhe po të kishte qenë kështu, gjysmë e së keqes, do ta flinim mendjen që për momentin jemi të destinuar të jetojmë me një president, i cili edhe pas tre vjetësh ende s’ka arritur ta kuptojë se ç’do të thotë të jesh President. Por e vërteta, fatkeqësisht, nuk është kaq e thjeshtë. Sepse problemi s’është thjesht te fakti që zoti Nishani s’arrin të ngrihet mbi nivelin e një militanti të rëndomtë partiak, një individ, të cilit i rri më natyrshëm pozicioni i një deputeti të ulur diku në rreshtin e dytë në sallën e mbledhjeve të SHQUP sesa poltrona e Presidentit. Problemi është te dëmi dhe pasojat që është duke i sjellë fenomeni “Nishani” kredibilitetit të një institucioni me aq rëndësi për demokracinë ende të brishtë shqiptare.
S’ka dyshim se ajo që ndodhi dje, përbën shembullin ndoshta më domethënës për nivelin ku është katandisur sot Presidenca në një instrument banal të luftës politike. Sepse është e qartë se, ashtu si dhe Partia Demokratike, Presidenti hallin e vërtetë nuk e ka tek parku. Të ishte se e hante meraku për parkun apo kauza ambjentaliste do e kishte thënë një gjysmë llafi edhe për pallatet 17 katëshe që po ndërtohen në shkelje të ligjit buzë digës ku janë prerë me qindra pemë. Apo për koncesionin e HEC-eve në Valbonë, dhe dhjetëra e dhjetëra koncesione të tjera të dhëna nga qeveria ku bënte pjesë edhe vetë zoti Nishani derisa e emëruan president. Hallin e vërtetë e ka tek reforma në drejtësi, e cila sot e disa muaj po lë pa gjumë gjithë Partinë Demokratike dhe, me ç’duket ia ka prishur rehatinë dhe Bujar Nishanit.
Ky angazhim kaq i ethshëm e në vetë të parë i Presidentit në fakt na tregon shumë për humorin dhe situatën që mbizotëron sot në PD, sepse veprimet e Bujar Nishanit prej kohësh tanimë janë kthyer në një lloj letre lakmusi që të lejon të gjykosh nëse PD është me orë të mira apo të këqija. Është më së paku shenjë e një nervozizmi të theksuar, kur Presidenti jo vetëm që heq dorë nga çdo lloj fasade paanshmërie, por pranon edhe të bëhet qesharak duke mbështetur pas pilafit një protestë, e cila jo vetëm që nuk arriti të kthehej ndonjëherë në kauzë, por për më tepër duket se është duke përjetuar grahmat e saj të fundit. Rëndësi ka vetëm mbajtja gjallë me çdo kusht e një klime të tensionuar e të polarizuar me shpresën se kësisoj do të arrihet të sabotohet reforma. Por më tepër se kaq, fakti që PD është katandisur sot tek pika që të rreshtojë Bujar Nishanin në vijën e parë të frontit krah për krah me policët bashkiakë të Kamzës, është një tregues i qartë i çoroditjes dhe mungesës së plotë të ideve e alternativave të kësaj force.
Që nga çasti kur u bë president, Bujar Nishani me çdo veprim, me çdo deklaratë, prononcim e intervistë i ka hequr vetes pak e nga pak çdo lloj mundësie për të qenë diçka më tepër sesa përfaqësuesi i një 30 e pak përqindëshi të qytetarëve votues. Tanimë kur mandati i tij dalëngadalë po hyn në vitin e fundit, ai ka dalë gollomesh, ashtu siç është në të vërtetë, një militant i Partisë Demokratike. Çka në thelb është një situatë e ngjashme me atë që i ndodhi, kur vendosi të heqë mustaqet dhe na lejoi që në vend që të merremi me mustaqet të fillojmë të qeshim me Bujarin.