Lumo SKENDO
ELITE thuhen njerës të zgjedhur, po të zgjedhur vetëm, jo prej dokujt. Mê mirë t’ u themi të çquar, me një cilësi që na duket mê e madhe, mê e bukur, mê e dobishme se e të tjerëvet. Persona të tillë tërheqin respekt, kanë një influencë morale që na detyron të dëgjojmë opinionin e tyre, dhe t’ u bindemi, me bindje morale, vullnetare. Ata imponohen shpirtërisht, bëhen udhëheqës se janë si një fener, si një yll, si një dritë që na rrefen udhën. Nër ata gjejmë një thesar dëshirash dhe aspiratash dhe ideali dhe prierit e tyre na duken sikur janë t’ onat. Nër ata kthejmë sytë kur kemi nevojë, dhe kërkojmë ndihmë. Po edhe s’ kemi nevojë kurdoherë të zgjatim duartë dhe të ngremë vështrimin drejt tyre – ata imponohen vetë, na janë pranë: fryma dhe afshi i tyre na prin, na ngroh, na tregon shtegun, pa e ndjerë ne, pa e parë. Ay veprim formon fuqinë t’ënë, bën rrojtjen e vërtetë tënë.
Elita jo vetëm përfaqëson pjesën më të vlefshme të një kombi, po është udhëheqës i shoqërisë për ide, për gjykim, për estetikë, për jetë kolektive dhe tendenca historike, për besim dhe filosofi.
Tani vjen pyetja : A kemi një Elitë ne ? Më pëlqen përgjegjija po-himiste, se ashtu i do njeriut shpirti. Por, duke e kapërxyer këtë trap, themi: Duhet të kemi, me qënë se është një nga konditat kryesore të jetës. Dhe atëhere vjen vetiu: Si do t’a formojmë? Më parë të kujtohet kushti themelor: Ata njerës nukë formohen kur na pëlqen neve; as i krijojmë dot; as e kemi në dorë që të lindin. Bëhenë vetiu: i bën Fati, Zoti, Natyra. Dhe bëhenë vetë, me një durim të gjatë, ose më mirë akoma, në qoftë se gjenija, naltësi e jashtëzakonëshme e intelegjencês është një dhuratë që vjen së sipèrmi, puna e vetë njeriut, vullneti i tij i pa reshtur, munt që t’ i japë atë që fati jà ka kursyer.
Kur s’e kemi në dorën t’ ënë fatin, atëhere na mbetet vetëm mjeti i dytë, atë i cili mvarret nesh, dependon nga intelegienca dhe karakteri ynë. Edhe të dy këmbët mbi të cilat ngrehet Elita s’ janë veç se inteligjenca dhe karakteri, kjo e fondit më parë akoma se tjatra ; e para duhet të jetë në shërbim të së dytës, si një ndihmëse, një skllave e bindur : me këto kondita muni të fitojë Elita atë autoritet moral, intelektual dhe shoqnor.
Mos më thotë kush në vesh, mos t’ i shkojë kujt mëndsh se “Qeverija” o “Ministrija” po të dojë munt të krijojë dhe të mbryjë një Elitê për vëndin t’ ënë. Kjo do t’ ishte sikur të vërë kush buallinn përpara qerres. A suponojmë se ata që jan’ në ofiqe zyrtarë formojnë vetë klasën epërore të përsosour me gjithë virtutet dhe cilësit e ëndëruar, që kështu të frymëzojnë të tjerë dhe të formojnë bataljonë dishepujsh? Kjo do t’ ishte një send ideal. Por, të qe kështu atëhere s’ do të kishim nevojë të lodhemi. Të ishte e mundur që me një urdhër, me një dekret të krijohësh merita, zotësija, vlefta dhe inteligjenca, atëhere do të ishim njerëzit mê té lumturit e dheut. Nukë do të detyrohëshim të mejtohemi, të kemi brengë, të ndjejmë mungesën e një gjëje të nevojshme nga e cila po thua se dependon gjithë rrojtja jonë, nga çdo kënd, nga çdo pikëpamje që t’a shikojmë.
Mê parë gjithash a e kemi besimin e fortë se, merita, vlefta janë sende të brëndêshëm, të shpirtit, dhe jo shkëlqime të jashtmë? A jemi vêrtet të bindur — dhe duhet me doemos të jemi ! — se vlefta është intrenseke dhe jo ekstrensike, se kujdes i kujtdo duhet të jetë për të qênê, dhe jo për t’ u-dukur ? Vetëm ky besim, ky konviksion, e bën njerinë të punojë me seriozitet, të njohë detyrën dhe përgjegjêsin e tij, të kuptojê se ka një barrë mbi supat, një peshë të madhe për të bartur. Dhe kjo vleft e vërtetê e bën njerinê të jetë modest, lark demagogjisë. Elita s’ ka të bëjë me pozitat zyrtare, dhe shkallat e larta. As ka nevojê për fuqi materiale. Force e saj është krejt morale, me besimin që frymëzon ke opi-nioni i të tjervet vlefta e tyre shpirtn ore. Jo fjalêt, po sielljet ka-rakteri, integriteti i lyre bêjnë ata superioritet të padukshim. Duke mejtuar udhën e gjatë bërë prej popujvet fatbardhë në fushën e gjërë të përparimit dhe të lumtërisê, nukë mundim të mos ndjejmë thellê në zemrê një melankoli dhe të kuptojmê mê mir’ akoma përgjegjësinë t’ ënë. Studimi dhe meditimi duhet t’i japê njeriut çelset e virtutit dhe të karakterit. I lumturi që gjen një shkëndijê drite, duhet t’ a konsiderojë vetëhen e tij jo si viktim, po si misionar, jo i hedhur në këtë lëmë për té vuajtur, por i lindur për të mbushur një detyrë. Ay që me djersën e tij, me durimin e vazhduarshim të tij ka fituarë një shkallë në dijëni e në moral, ay s’ka dyshim se duhet t’ a shohë të lumtur vetëhen. Ndërgjegja e një vlefte së vërtetê a nuk është shpërblimi mê i math që munt të keté? Ku munt të mbijnë hithrat e ankimit a të dishprimit, kur çdo agim i bje dritën e kënaqësisë shpirtnore ! Duke u-larguar nga lotet dhe klithjet e viktimit, misionari gjen fuqinë për detyrën e tij duron, punon.
Vini re si punohet. A harrojmë se, edhe më e vogla e aftësisë, e zotësisë, lyp një studim, një lodhje, një vuajtje, një punim të gjatë ? A nuk’ e dimë seç asgjë në boté s’fitohet pa e merituar, pa e blerë me djersën dhe me rënkimin t’ ënë të përditshim? Në qoftë se jemi bindur se asgjë s’ na zbret qiellit e gatitur dhe e gatuar, atëhere dêshprimi s’ gjen vënt ke ne, po kënaqêsija dhe qetësija. Dhe ky gêzim s’ ka kufi.
Misionari a s’e ka detyrë të përhap një pakëz kënaqësi, qetësi dhe gëzim në jetën e njeriut, t’ i provojë se lumtërija është kur mbushim detyrën dhe përpiqemi të arrijmë qëllimin? A nuk ështe njeriu mjaft krenar në këto kondita, dhe kjo krenati modeste dhe e brëndëshme a nuk është rroga jonë më e madhe, më e ndershme? Mësoni Shqiptarët të punojnë me gëzim, të jenë gazmorë dhe optimistë, dhe do t’ u kini bërë më të madhin e shërbimevet.
Munt të thuhet se vetëm ky shërbim do të jetë mjaft për të pasur lumtërinë, se atje do të jetë burrim i vërtetë i fuqisë shpirtnore.
A munt të pyesë kush: Me ç’shpresë?- Atëhere duhet të kthiellojmë marrëdhënijet ndërmjet punës dhe shpresës? Cila vjen me parë ? Cila ndjell tjatrën ? Cila kurorëzon shoqen? Do të jetë, besoni, gjë e vështirë të provohet se „puna” si një detyr’ e domosdoshme s’ ka nevojë për shpresë? Do të dojë kaqë mundim të kuptojë njeriu se, të punuarët sjell shpresën, me qënë se përpjekja është një ligj i pashkelshëm ? Mos presë kush që „shpresa” të sjellë detyrën e punimit. Jo, shpresa është poezija, luleja e për-pjekjes, bija e kësaj, lindur vetëm prej saj.
Me qënë se jeta dhe sigurija e secilit është lidhur me fatin e gjith atyreve që, së bashku, formojnë kombin, do të na donte shpirti që çdo kush, të sakrifikojë pesë minuta në njëzet e katr’ orë, dhe të hetojë nga thellësi e vetëhes’ së tij çë shërbim ka bërë për shoqërinë, dhe çë të mirë munt t’ i bëjë kësaj shoqërije që e quajmë komb. Do t’ish një ushtrim shpirtnor me rezultat të math, për neve, dhe për t’ afërmit t’ anë. „Elita” a nukë duhet që të ketë për qëllim të parë përmirësimin e vetëhes saj, fitimin e virtutit, të karakterit dhe të diturisë? Misionari a nukë duhet të ketë çdo minutë para sysh shëmbëllën dhe jetën të shenjtit që ka zgjedhur për model, dhe a nukë përpiqet t’i afrohet modelit me durim, respekt dhe disiplinë?
Aësht’ e mundur që njeriu, kjo krijesë që i thotë vetëhes me mént dhe e mençme, të rrojë një jetë shtazore, e hequr zvarrë prej rrethanash materiale, prej dorës së verbrë të ngjarjevet, pa ndjerë, pa manifestuar asnjë reaksion, asnjë sforcim, pa mprojtur vetehen? A ësht’ e mundur të rrojë njeriu, të themi mê miré të rrojmë ne, pa parë, pa vështruar, pa mejtuar, pa gjykuar, pa punuar? Ata që ngrihen makar dy gisht mbi nivelin ordinar duhet të kuptojnë përgjegjësin’ e tyre.
Përpjekja Shqiptare, Nëndor 1938