Deputeti demokrat, Arben Imami, ka konfirmuar në studion e Ora News largimin e deputetit Eduart Halimi nga Komisioni i Posaçëm për Reformën në Drejtësi, ku mbante detyrën e nënkryetarit.
Imami tha se Halimi është larguar sot nga Tirana për arsye shëndetësore, por mohoi angazhimin e tij në Komision si zëvendësues. Në një intervistë për Oranews, Imami tha:
“Zoti Halimi është larguar sot nga Tirana për arsye shëndetësore, shpresojmë jo serioze”, tha Imami. Ai ka mohuar që do të jetë ai që do të zëvendësojë Halimin. “Nuk do të ishte e përshtatshme të zëvendësoja unë Halimin, nuk do të ishte në të mirë të reformës. PD ka shumë njerëz të aftë. Meqenëse unë kam marrë pjesë në një proçes të gjerë që ka dhënë këtë produkt që në vetvete është një produkt i mirë. Tani meqenëse kemi bindjen të gjithë se mund të ndërhyet, le të ndërhyet. Unë muaj përpara, në dhjetor, kam botuar një platformë si mund të bëhet një ndërhyrje kushtetuese, përfshirë edhe reformën në drejtësi dhe ruaj ato pikëpamje. Që ajo do të ishte zgjidhja më e mirë. Por në qoftë se del një zgjidhje tjetër më e mirë sigurisht që unë do ta votoja me kënaqësi. Nuk e di kush do ta zëvendësojë, do ta vendosë kryetari i PD-së”, tha Imami.
Ai foli edhe për takimin e sotëm me dy ambasadorët dhe rezervat e PD-së ndaj mazhorancës për reformën në drejtësi.
“Takimi qe i vlefshëm për dyja palët, miqësor dhe konstruktiv. Të dy palët kanë përfituar. Qëllimi i përbashkët mbetet po ai, një reformë e drejtësisë dhe kushtetuese që krijon premisat për të luftuar korrupsionin në nivelet e larta. PD nuk ka paraqitur një variant të saj për këto bisedime. Kemi një ide fillestare që e kemi përqafuar dhe është kolona e reformës, Byroja e Hetimit. PD e ka dhënë këtë mirëkuptim me kohë. Shpjeguam pozicionin tonë për shqetësimet dhe dyshimet tona. Nëse flasim për Byronë e Hetimit që është zemra e kësaj reforme mendojmë që do të duhej që të mbështeteshim më fort dhe më mirë në një model të sprovuar. Ka një problem që duhet zgjidhur, gjithë Kushtetuta ishte menduar që të funksiononte me një dhomë të dytë. Në momentin që ra, i kaluam në të vetmen dhomë që kemi. Zgjedhja e gjykatave të rëndësishme bëhet në rrugë politike, nuk dha rezultat në 20 vjet. Kjo ka nevojë për zgjidhje. Por, cili është modeli? Nuk mund të votojmë pa e lexuar dhe njohur gjerësisht. Gjetëm mirëkuptimin nga ambasadorët. Mënyra si nisi procesi nuk ishte më e mira, Qeveria nuk ka bërë asnjë përpjekje për mirëfunksionimin e gjyqësorit. Një gjyqtar nuk mund të përballojë 300 dosje në vit. Duhen përmirësuar kushtet e punës. Në vend që qeveria të niste të meremetonte ato që duheshin rregulluar, qeveria zgjodhi që nëpërmjet SOROS të paguajë një grup specialistësh, një pjesë e të cilëve kanë qenë në aparatet e dhunës së diktaturës komuniste në Shqipëri dhe që sigurisht na krijojnë dyshime. Paraqet një draft që thotë se duhet votuar patjetër se kush nuk e voton është tradhëtar dhe i ka të gjitha të zezat. Të gjitha përmirësimet janë bërë bazuar në draft”, tha Imami.