Fillimi i fazës së re të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që po zhvillohet në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, duhet të përfundojë me njohje reciproke, ndërsa Serbia t’i zbatojë marrëveshjet e arritura deri më tani, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri.
Edita Tahiri: Është me rëndësi që dialogu po kalon në fazën e fundit, fazën përfundimtare dhe dy proceset duhet të shkojnë paralelisht. E para, që të bëhet zbatimi i marrëveshjeve të mbetura ku përgjegjësia kryesore për moszbatim i takon palës serbe, duke qenë se Kosova vazhdimisht i ka përmbushur obligimet dhe tashmë ajo ka filluar edhe zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin. Ndërsa, Serbia ka bllokuar një varg marrëveshjesh siç është energjia, çështja e diplomave, kadastrave, pengimi i vendosjes së institucioneve shtetërore në veri ku janë punësuar ish-pjesëtarët e strukturës që është shuar “Mbrojtja Civile”, pastaj është bllokuar ura që të hapet, e të tjera.
Faza e tretë duhet të fillojë dhe të përfundojë me njohjen reciproke mes dy shteteve, si një zgjidhje e qëndrueshme që hap mundësinë, më në fund të ketë marrëdhënie fqinjësore dhe paqësore në mes dy shteteve dhe të kemi një stabilitet dhe një paqe më të mirë në rajon.
Sa është e mundur arritja e një marrëveshjeje normalizimi mes Kosovës dhe Serbisë?
Duke marrë parasysh se të dyja shtete aspirojnë për t’u bërë anëtare të Bashkimit Evropian, ndërkohë Kosova synon edhe anëtarësimin në NATO dhe OKB, mendoj se është në interes për të dyja shtet që t’i mbyllin çështjet e hapura të së kaluarës. Dhe, njohja reciproke mes të dyja shteteve, është rezultat jo vetëm i zhvillimeve historike të zhbërjes së ish- Jugosllavisë, ku Kosovë ka qenë një prej njësive federale, por, pavarësia e Kosovës është në pajtim edhe më të Drejtën Ndërkombëtare duke marrë parasysh që Gjykata Ndërkombëtare për Drejtësi ka konfirmuar ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës, si dhe është një realitet i ri i krijuar me shtatë shtetet e reja në Ballkan pas shuarjes se ish-shtetit jugosllav.
Cila është formula e Brukselit, jo njohje e Kosovës nga Serbia, por normalizim raportesh?
Unë nuk kam njohuri për një formulë të tillë. Dhe, zakonisht Brukseli luan rolin e ndërmjetësit në kuptimin e ndihmuesit të proceseve dhe asnjëherë nuk ka dalë me qëndrime të tilla. Në anën tjetër, si formulë “jo njohje”, është formulë e gabuar, sepse Kosova dhe Serbia kanë pasur tri procese paqësore në Konferencën e Rambujesë, në bisedimet e Vjenës dhe ky do të duhej të ishte proces përfundimtar që mbyll armiqësitë ndërmjet dy shteteve, por edhe ndërmjet kombeve: shqiptarëve dhe serbëve.
Ky proces hap një kapitull të paqes afatgjate, duke respektuar njëra-tjetrën dhe duke njohur njëra-tjetrën si shtete. Kosova dhe Serbia, të dyja kanë dalë shtete të pavarura nga procesi i zhbërjes. Koha është që Serbia ta njohë realitetin, jo vetëm të Kosovës, por realitetin në gjithë Ballkanin dhe t’i ndalë disa skenarë neohegjomenistë, siç ka provuar pra idetë e ndryshimit të kufijve me qëllim të krijimit të Serbisë së Madhe dhe që janë të frymëzuar nga agjendat e rrezikshme gjeopolitike ruse.
A ka atmosferë dhe klimë politike në Kosovë për formimin e një Ekipi Uniteti dhe sa është ai i nevojshëm për përfaqësimin e Kosovës në dialog në këtë fazë?
Në këto momente që po flasim, kur Qeveria e Kosovës është Qeveri e pakicës, duket se situata nuk është e përshtatshme për të krijuar një Ekip të Unitetit. Mirëpo, nga e gjithë përvoja ime në politikën e Kosovës nga koha e okupimit, komuniteti politik në Kosovë gjithmonë ka arritur një gjuhët të përbashkët kur ka qenë fjala për interesat e shtetit. Prandaj, unë po besoj që do të duhej të gjenim forcën dhe të jemi me vizion dhe me qëndrim strategjik që për interesat e shtetit dhe kombit, të arrijmë një Ekip Uniteti në mënyrë që edhe këtë sfidë ta kalojmë se bashku, siç ka qenë në Rambuje dhe në Vjenë.
Aktualisht, po vërehen mospajtime rreth formimit të Asociacionit dhe kompetencave. Çfarë përmban formimi i këtij Asociacioni, sipas marrëveshjeve të arritura?
Në fakt, marrëveshja për Asociacionin e arritur në Bruksel ka për bazë ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Pra, kjo marrëveshje e Brukselit nuk i jep kompetenca ekzekutive Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Pavarësisht kësaj, unë po ashtu dëgjova disa deklarime të palës serbe, e cila flet në mënyrë dëshirore për çështje kompetencash ekzekutive. Ata, në fakt, nuk kanë lejuar që Kosova ta zbatojë Asociacionin tash tre vjet sepse janë vetëdijesuar se marrëveshja nuk ofron kompetenca ekzekutive për Asociacion. Këto pengesa unë i kam përmendur, në dhjetor të vitit 2016 , kanë vendosur një muri ilegal, pastaj një tren provokues, kurse sivjet provokuan përmes hyrjes ilegale të zotit Gjuriq etj.
Pra, Serbia nuk është e interesuar të zbatojë marrëveshjen e Brukselit për Asociacion, kurse Kosova ka qenë e gatshme sepse kjo marrëveshje, siç thashë, nuk ofron kompetenca ekzekutive. Kjo marrëveshje bazohet në ligjet e Kosovës, kjo marrëveshje thërret që Gjykata Kushtetuese e Kosovës duhet të verifikojë ligjshmërinë dhe Gjykata Kushtetuese ka bërë dhe ka dhënë një udhëzim se si duhet të hartohet statusi. Të gjitha këto rrjedhin nga marrëveshja e Brukselit dhe janë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës. Këtë Serbia e di, prandaj ka penguar zbatimin deri më tash në forma indirekte.
Por, unë si ish-kryenegociatore, i përcjell këto zhvillime në mënyrë të hollësishme, prandaj po them se ka qenë Serbia tre vjet që me provokime të ndryshme nuk ka dashur ta zbatojë marrëveshjen. Dhe, mbi këtë është një strategji më e rrezikshme e Serbisë, sepse Serbia që nga viti 2016 në një mënyrë nuk ka punuar në dialog. Ka provuar që t’i hapë temate territoreve, ndryshimit të kufijve, sepse ende Serbia mendon se ka mundësi që ta krijojë Serbinë e Madhe.