“Qurravitja” e paprecedentë e kryeministrit nëpër media e takime elektorale, se e paskan ndalur drejtorët e LSI-së për të bërë shtet.
“10” ishte nota që kryeministri Rama i vendosi funksionimit të koalicionit PS-LSI dhe bashkëpunimit me Ilir Metën për katër vitet e mandatit qeveritar që po mbyllet, tek u pyet pak kohë më parë nga gazetari Sokol Balla në “Top Story”:
Sokol Balla – Nga 1 në 10 cilat janë shanset që PS dhe LSI të vijojnë së bashku edhe pas 18 qershorit?
Edi Rama u përgjigj “10!” duke ngritur të 10 gishtat e tij i bindur, madje duke buzëqeshur. Ishte data 13 mars, pra vetëm dy muaj më parë.
Në atë kohë çadra e Lulzim Bashës nuk ishte fare problem për kryeministrin, madje tallej me të, sepse koalicioni me LSI-në, kishte notën dhjetë.
Ndërsa Lulzim Basha nga çadra lëshonte akuza të frikshme ndaj kryeministrit Rama, por një sjellje të tillë nuk e kishte me aleatin e Ramës në koalicion Ilir Metën. Kritikat e Bashës për LSI-në e Ilir Metën ishin të pakta, jo vetëm gjatë çadrës, por edhe para saj në katër vitet e bashkëqeverisjes PS-LSI. Deri më 17 maj, Rama e Basha e shihnin Metën e LSI-në si rruga e shpëtimit dhe kjo dukej hapur në qëndrimet e tyre në kohën e krizës, qoftë të një viti më parë, kur pritej votimi i reformës në drejtësi e qoftë gjatë krizës që prodhoi çadra e Bashës.
Gjithçka do të ndryshonte menjëherë pas marrëveshjes së 17 majit, kur Rama e Basha i përjashtuan të gjithë ata që po përpiqeshin të ulnin tensione që të dy ata, Rama e Basha kishin krijuar duke rrezikuar zgjedhjet. Natën e 17 majit, ndryshoi si me magji, raporti mes tyre për t’u bashkuar në sulme kundër LSI-së e të gjithë të tjerëve. U harruan akuzat e Bashës ndaj Ramës e anasjelltas dhe sulmet e të dyve u drejtuan tek LSI.
Pasi bëri marrëveshjen me Bashën, Rama e harroi notën “10” që i kishte vënë aleancës me Metën. Sot, Rama deklaron krejt të kundërtën dhe shfaqet si “viktimë” para shqiptarëve duke iu rrëfyer “vuajtjet” që paska pas’ hequr gjatë këtij mandati nga drejtorët e LSI-së. Më së paku ka gënjyer shqiptarët për katër vitet që shkoi ose është duke i gënjyer tani për të përfituar politikisht për katër vitet që vijnë.
Në kundërshtim me të gjitha qëndrimet që ka mbajtur në çdo krizë që ka kaluar koalcioni PS-LSI, Rama ka shpërthyer në sulme të paprecedenta në çdo tubim e ekran mediatik duke rrëfyer për “shushunjën LSI”, e cila për koncidencë kështu quhet edhe aleati i tij më i ri, Lulzim Basha.
“Ata thonin po nuk më le Hipotekën, të rrëzoj qeverinë, po nuk më dhe drejtorinë e pyllit, unë të rrëzoj reformën. Është momenti të marr hak për poshtërsitë e zyrtarëve të korruptuar në hipotekë e patenta, inspektorëve që jetojnë duke vënë gjoba. Janë ca policë gri, i njihni, policia gri është një bandë që del nëpër rrugë e ndalon makina, është një tmerr. Po ku hiqet ajo, se kemi ne, e ka partia, është degë partie policia gri të merr shpirtin, guxo preke, shko merri votat pastaj. Të vjen grija të merr shpirtin, është partia gri, nuk është shtet.
Votoni PS-në dhe e keni të shkarkuar sa të mbarojë numërimi, jo në shtator, sa të mbarojë numërimi… Të heqim të tretin të vërtetin…shushunjat duhet të shtypen me votë me 25 qershor.”, tha sot Rama në Elbasan.
Në të njëjtën linjë me Ramën, kreu i opozitës Lulzim Basha, tha sot: “Koha e shushunjave në pushtet merr fund në 25 qershor. Janë bërë xhind, është bërë bishë Ilir Meta. Pse u bë bishë? Sepse e shikonte veten një dorë në bakllava, një dorë në sheqerpare. Por mesa shoh dorën në bakllava nuk ka për ta pasur kurrë më, por edhe këta të sheqerpares kanë ndërmend t’ia heqin dorën.”, tha Basha.
Krerët e dy partive kryesore, me sa duket kanë vendosur ta ndajnë “tepsinë” e pushtetit bashkë e të mos lënë askënd t’i afrohet. Ka pak gjasa të besohet si njëri, si tjetri se janë të interesuar për “të bërë shtet, sepse e kanë patur shancin disa herë dhe kanë dështuar. Nuk mundet që ata të justifikohen me “telashet e tepsisë” së pushtetit që i paskësh kërcënuar LSI, si në kohën, kur Basha ishte pjesë e qeverisë me Metën edhe në kohën e qeverisjes Rama-Meta.
Të dy partitë kanë mbajtur pjesën më të madhe të “tepsisë” së pushtetit dhe padyshim që pesha kryesore për dështimet u takon atyre në të dyja kohët. Siç u ndëshkua PD-së në 2013, mund të ndëshkohet edhe PS më 25 qershor. Rama ishte kryeministër në katër vjet, përcaktues i të gjitha politikave dhe është e paprecedentë “qurravitja” nëpër media se e paskan ndalur drejtorët e LSI-së për të bërë shtet.