Nga Mesila Doda
Po lexoj përgjigjen që nënkryetari ex-officio i PD, ka dhënë lidhur deklaratën time lidhur me pjesëmarrjen e detyrueshme në zgjedhje. Tash, më duhet t’i them dy fjalë për të argumentuar dashakeqësinë dhe miopinë si tendenciozitetin, me të cilin sa herë hapin gojën kërkojnë të hedhin baltë diku.
Më së pari, abstenimi dhe bojkoti është mjet demokratik dhe këtë ja kemi parë e dëgjuar më së shumti zëdhënësve zyrtarë dhe jo të PD përgjatë shumë e shumë muajve. Nëse abstenimi dhe bojkoti nuk do ishin mjete demokratike, nuk do kishim dëgjuar aq shumë fjalime edhe nga zotëria në fjalë për dobinë e këtyre mjeteve demokratike.
Së dyti, modelet që me aq dëshirë i merrni nga shteti grek nuk janë as më të mirët e as më të suksesshmit…, dëshmojnë thjesht gjendje vasaliteti mental, vasalitet të cilin brezi im nuk e ka në raport me fqinjin. Më vjen mirë që jam pjesë e një brezi që ka bërë ndryshime rrënjësore në filozofinë politike, duke kërkuar një ridimensionim të vetëdijes kombëtare, por edhe hapjen e dosjeve dhe ndarjen nga e kaluara, si dhe krijimin e një politike të përgjegjshme e në funksion të një Shqipërie të reformuar politikisht, shpirtërisht dhe ekonomikisht.
Tash më së fundi…, meqenëse si gjithmonë hidhet një dorë me baltë e vulgaritet në fund për forcën politike dhe personin që ka dalë përballë, më duhet t’i rikujtoj se ministri i Brendshëm është përfaqësues i PD dhe nuk konfirmon shqetësimin e nënkryetarit ex-officio për blerje votash… dhe nga ana tjetër është krejt e pamend të akuzohet për blerje e vetmja forcë që nuk ka përfaqësues në pushtet e qeveri… me 6 ministra në qeveri e të bërtasësh për vjedhje votash ndaj një partie që me 80.000 vota mori 3 mandate…