Padia për gjenocid kundër Serbisë dhe “Zona e Novi Sadit”, e njohur ndryshe si “mini-Shengeni”, kanë ngritur së fundmi një tymnajë të madhe mediatike dhe debate edhe nëpër konferenca ndërkombëtare.
KM Rama dhe satelitët e tij mediatikë po lënë të kuptohet se pa një padi kundër Serbisë dhe brenda “Zonës së Novi Sadit” shqiptarët fitojnë; ndërsa me padi kundër Serbisë, jashtë “Zonës së Novi Sadit”, shqiptarët humbasin.
KM Rama e ka shpallur padinë pa rezultate ende pa nisur përgatitjet, ndërkohë që satelitët e tij mediatikë e kanë quajtur kërkesën për bashkëpunim mes dy republikave shqiptare për këtë padi kundër Serbisë si një përpjekje të KM Kurti për të nxjerrë keq kundërshtarët e brendshëm politikë, por edhe për ta shpallur Kryeministrin Rama “armik” dhe për “ta pastruar përjetësisht Serbinë me vendim gjykate”.
Është mbrojtur aq shabllon “Zona e Novi Sadit” sa po deklarojnë që të njëjtin projekt po propozon edhe KM Kurti kur flet për një marrëveshje të re (SEFTA) për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Ka rëndësi të kuptojmë ku qëndron e vërteta, çfarë është “Zona e Novi Sadit” dhe ç’do të thotë kjo padi pasi jemi para një mundësie historike.
Prej një dekade, Lëvizja VETËVENDOSJE ka synuar bashkëpunimin e ngushtë me qeverinë në Shqipëri dhe me të gjithë aktorët politikë brenda dy republikave shqiptare për realizimin e zotimit për të ngritur padi kundër Serbisë. Në faqen nr. 15 të Alternativës Qeverisëse të Lëvizjes, hartuar në vitin 2012 dhe publikuar në vitin 2013, është vendosur me shkrim zotimi për ta paditur Serbinë. Në atë kohë, KM Rama ishte në opozitë dhe nuk ka se si synimi të ketë qenë armiqësia me të. Padia për gjenocid kundër Serbisë është në përputhje me Rezolutën e vitit 2019 të Kuvendit të Republikës së Kosovës, që është votuar nga shumica e deputetëve të të gjitha partive shqiptare – jo vetëm nga Lëvizja. Rezoluta dënon gjenocidin dhe, ndër të tjera, kërkon të merren masa për reparacione, dëmshpërblime dhe kërkimfalje – të cilat mund të realizohen përmes ngritjes së padisë. Prandaj, padia nuk është as e re si nismë, as kundër KM Rama, as kundër partive në Kosovë, por vetëm për drejtësi.
Pretendimi se padia për gjenocid nuk do prodhojë rezultate është vazhdim i gabimeve të bëra historikisht. Le t’ia nisim nga e kundërta, nga mosngritja e padisë. Për këtë na flet gjithë historia e gjenocideve të kryera ndaj shqiptarëve përgjatë shekullit XX. Çfarë përfituan shqiptarët që nuk ngritën padi kundër gjenocidit të Greqisë në jug të Shqipërisë, që nisi prej vitit 1913 e vazhdoi në vitin 1944 me gjenocidin kundër shqiptarëve të Çamërisë? Ende sot Greqia mban në fuqi ligjin e luftës, nuk ka kërkuar falje dhe nuk ka kthyer as pronat. Çfarë përfituam si komb që nuk ngritëm padi për gjenocidet e kryera nga Serbia gjatës gjysmës së parë të shekullit XX? Ligji ndërkombëtar kundër gjenocidit u forcua pas Luftës së Dytë Botërore, por shtete të tjera ngritën padi për krimet e kryera ndaj popullsisë së tyre edhe para asaj lufte. Ndërsa ajo çfarë pësuam ne që nuk ngritëm kurrë një padi, ishte një tjetër gjenocid nga Serbia, në fund të shekullit XX, dhe sërish nuk ngritëm padi. Shumë gjenocide, asnjë padi. Vitet kalojnë, dëshmitarët ndërrojnë jetë, shumë kriminelë nderohen në shtetet e tyre për bëmat gjenocidiale ndaj shqiptarëve, padrejtësitë thellohen, aspiratat ekspansioniste të fqinjëve vazhdojnë dhe mbi makabritetet e kryera ndaj nesh si komb, mbi vuajtjet e thella të një populli, politikanët shqiptarë konsolidojnë pushtetet e tyre pa dorëzuar padi, me doktrina të llojit “zero probleme me fqinjët”. Historia e gjenocideve u përsëritet shqiptarëve dhe ne vazhdojmë të refuzojmë të mësojmë prej historisë.
Ligji ndërkombëtar duhet analizuar dhe rastet duhen studiuar për të kuptuar se nuk ka arsye pse të stepemi prej përgatitjes së padisë. Kroacia dhe Bosnje Hercegovina kanë depozituar të dyja padi për gjenocid kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND). GJND-ja e rrëzoi padinë e Kroacisë dhe rrëzoi gjithashtu edhe kundërpadinë ndaj Kroacisë që depozitoi Serbia, por nuk “e pastroi” Serbinë. Gjykata njohu krimet e shumta të Serbisë ndaj popullsisë kroate dhe elemente të gjenocidit, por nuk arriti të vërtetonte se synimi final i këtyre krimeve ishte kryerja e gjenocidit – shkatërrimi fizik i plotë ose i pjesshëm i kombit kroat. Ndërsa në rastin e Bosnje-Hercegovinës Gjykata e njohu faktin se ishte kryer gjenocid, por pa e vërtetuar dot se ishte bërë me urdhër direkt të Serbisë. Gjykata ua veshi përgjegjësinë kryesore udhëheqësve lokalë serbë të Bosnjës, ndërsa Serbinë e njohu si fajtore për mosparandalimin e gjenocidit. Për pasojë, dënimi nuk kërkoi dëmshpërblime prej Serbisë, por i kërkoi asaj të transferojë para drejtësisë ndërkombëtare të gjithë individët e akuzuar për gjenocid. Republika e Kosovës është në një situatë më të favorshme se Bosnje Hercegovina në raport me përgjegjësinë që mban shteti i Serbisë, pasi krimet në Kosovë janë kryer drejtpërdrejt nga Ushtria, Policia dhe paramilitarët e Serbisë.
Kemi shumë ç’të mësojmë prej studimit të rasteve të ndryshme dhe sigurisht që padia jonë në GJND duhet përgatitur me shumë kujdes. Për këtë arsye, qeveria Kurti ka deklaruar se padia nuk realizohet menjëherë, do kohën e saj për t’u përgatitur dhe planifikohet që të kryhet gjatë vitit të ardhshëm, në mënyrë që të jetë sa më e plotë dhe bindëse. Ndihma që mund të japë Qeveria Rama në këtë drejtim është e pazëvendësueshme dhe nuk lidhet vetëm me depozitimin e padisë në GJND, por edhe me fazën aktuale përgatitore. Qeveria Rama mundet menjëherë të ndihmonte duke vendosur në dispozicion arkivat e shtetit për periudhën e gjenocidit, ngritjen e ekipeve të përbashkëta të së drejtës ndërkombëtare, të grumbullimit dhe përgatitjes së dëshmive, dosjeve, raporteve, etj. Për më tepër, Republika e Shqipërisë do jetë për herë të parë edhe anëtare e Këshillit të Sigurimit në OKB, nga ku mund të përfitojë shumë informacion dhe përvojë. Por qeveria Rama po refuzon të bashkëpunojë qoftë edhe për të dhënë ndihmën në përgatitjen e padisë, duke e shpallur këtë nismë të dështuar ende pa filluar përgatitja dhe duke pretenduar, përmes satelitëve mediatikë, se kjo padi do e pastrojë Serbinë.
Paditë e Kroacisë dhe Bosnje Hercegovinës në GJND nuk e pastruan Serbisë. Sipas Gjykatës, Serbisë i mbeti njolla e zezë e krimeve që ka bërë në këto dy shtete, dhe në rastin e Bosnje Hercegovinës edhe njolla e gjenocidit dhe detyrimi për të vendosur kriminelët gjenocidialë serbë para drejtësisë. Shqetësimi se padia mund të dështoi ngaqë Serbia nuk arriti ta kryente të plotë krimin e gjenocidin në Kosovë, për shkak të ndërhyrjes së NATO-s, bie kur vërejmë se GJND-ja i dënon palët sipas Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit (Neni 3) edhe kur vërtetohet thjesht tentativa për të kryer gjenocid. Padia në GJND është tejet e rëndësishme për shqiptarët pasi Tribunali Penal Ndërkombëtar për Ish-Jugosllavinë i trajtoi të gjitha palët në konflikt si të barabarta, duke gjykuar vetëm mbi përgjegjësitë individuale të të akuzuarve, por jo edhe mbi përgjegjësinë shtetërore dhe kolektive të agresorit: Serbisë. Padia për gjenocid do ta mbante Serbinë përgjegjëse si shtet, duke e detyruar shoqërinë serbe të ballafaqohet me veprimet dhe mosveprimet e saj që çuan deri në kryerjen e krimit të gjenocidit kundër shqiptarëve.
Faktori kryesor i këtyre dhjetë viteve që ka ndikuar në pastrimin e Serbisë përballë krimeve që ka kryer ndaj kombit shqiptar është fillimisht dialogu pa parime dhe pa kushte i nisur nga Hashim Thaçi, i cili i normalizoi qëndrimet antishqiptare dhe politikanët e Serbisë. Në dialogun e nisur prej Thaçit, Kosova vajti si “cjapi te kasapi”, pa vija të kuqe, duke lëshuar nga sovraniteti dhe integriteti territorial në formë koncesionesh ndaj një Serbie që nuk u ballafaqua me të kaluarën e saj kriminale dhe nuk e njohu pavarësinë. Në zgjedhjet parlamentare të mbajtura në Republikën e Kosovës më 6 tetor 2019, kur u kuptua brenda natës se Lëvizja VETËVENDOSJE kishte fituar dhe pritej formimi i qeverisë Kurti 1, vetëm katër ditë më vonë, më 10 tetor 2019, u zhvillua në Novi Sad të Serbisë takimi mes Aleksandar Vuçiçit, Edi Ramës dhe Zoran Zaevit për themelimin e “mini-Shengenit” Ballkanik. Pikërisht kur u kuptua se me ardhjen e Albin Kurtit në pushtet rrezikohej rruga e shtruar drejt koncesioneve ndaj Serbisë, stafeta për pastrimin e Serbisë i kaloi, pa humbur kohë, KM Edi Rama.
Nën shembullin e koncesioneve të Hashim Thaçit ndaj Serbisë, KM Rama e futi Republikën e Shqipërisë në “Zonën e Novi Sadit” pa kushte ndaj të kaluarës dhe aktualitetit kriminal të Serbisë. KM Rama na përmend gjithnjë si shembull bashkëpunimi rastin e Francës dhe Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore, pa treguar se para të lidheshin marrëveshjet që çuan drejt themelimit të BE-së, Gjermania mbajti përgjegjësi kolektive për krimet e nazizmit, duke njohur edhe reparacionet dhe dëmshpërblimet e luftës dhe duke kërkuar zyrtarisht falje. Sakaq, KM Rama i ka ofruar tregun e Republikës së Shqipërisë një Serbie të papenduar, që nuk respekton as parimet elementare tregtare dhe dominon rajonin me praktika ilegale grabitqare si dampingu, të cilat rrënojnë prodhimin vendas dhe punësimin në dy republikat shqiptare. E njëjta Serbi, në tetorin e themelimit të “Zonës së Novi Sadit”, po në vitin 2019, u bë pjesë zyrtarisht edhe e marrëveshjeve të Unionit Ekonomik Euroaziatik të themeluar dhe drejtuar nga Rusia e Putinit.
KM Rama fshihet pas gjethes të fikut kur deklaron se “mini-Shengeni” (Zona e Novi Sadit) është projekt europian që synon zbatimin e katër lirive të BE-së edhe mes vendeve të rajonit. Liritë e BE-së synon t’i zbatojë edhe Rusia e Putinit brenda Unionit Ekonomik Euroaziatik, ku bënë pjesë Serbia. Por kjo nuk e bënë projekt europian as “Zonën e Novi Sadit” as Unionin Euroaziatik. BE-ja i ka kërkuar publikisht Serbisë të heqë dorë prej marrëveshjeve me Unionin Euroaziatik nëse synon anëtarësimin. Propozimi i KM Kurti në Samitin e Tiranës për krijimin e Zonës Ekonomike të Europës Juglindore “SEFTA”, të lidhur përmes një marrëveshjeje mes BEsë dhe gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, nga njëra anë e kushtëzon Serbinë të heqë dorë prej Unionit Euroazitik e të zbatojë rregullat e tregtisë së ndershme dhe nga ana tjetër përparon statusin e Kosovës si shtet me të drejta të barabarta. “Zona e Novi Sadit” nuk ia krijon Serbisë këtë shqetësim. E thënë më shkoqur, projekti i mbështetur nga KM Rama për “Zonën e Novi Sadit” (mini-Shengeni) ia mundëson Serbisë të qëndrojë në një treg të përbashkët edhe me BEnë (përmes MSA-së) edhe me Rusinë (përmes Unionit Euroaziatik), pa hequr dorë prej politikave të saj ekspansioniste në rajon dhe pa u ballafaquar si shtet me krimet e saj.
Dalja nga “Zona e Novi Sadit” krijon mundësinë që të marrim një kthesë të madhe në historinë tonë kombëtare dhe për gjithë rajonin. Në Kosovë kemi programin e ri të Qeverisë Kurti, në SHBA programin e ri të administratës Biden. Është bërë e qartë se rajoni nuk ka për të zhvilluar marrëdhënie të mira fqinjësore pa e kushtëzuar Serbinë. Në këto 10 vite, çdo koncesion i politikanëve të korruptuar të dy republikave shqiptare ndaj Serbisë, vetëm sa ia ka pastruar asaj imazhin duke ia shtuar oreksin. Këtë e rimësoi Kosova dhe votoi masivisht këtë vit me mbi 50% për një model të ri qeverisës. Ka ardhur koha ta mësojmë mirë edhe në Shqipëri, në mënyrë që së bashku të ndikojmë edhe më shumë tek aleatët tanë ndërkombëtarë në këtë drejtim. Është e domosdoshme që dy republikat shqiptare të punojnë ngushtë me njëra-tjetrën për të realizuar atë që s’kemi bërë kurrë si komb. Kemi nevojën urgjente t’i nxjerrim dy republikat tona nga projektet ekspansioniste të Serbisë, t’i afrojmë në çdo sektorë drejt bashkimit dhe të ngremë për herë të parë në nivel ndërkombëtar një padi për drejtësi.