Gara për kreun e FSHF-së ka nisur e ethshme, ndërsa dilemat janë të shumta për faktin se presidenti aktual tenton edhe një tjetër mandat pas 16 viteve. Megjithatë, nëse pyet vetë Armand Dukën, ka një këndvështrim ndryshe, pasi është i bindur se meriton të votëbesohet edhe për 4 vite. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, Duka foli për temat më të nxehta në prag të zgjedhjeve, ndërsa theksoi se imazhi i FSHF-së rrezikon të dëmtohet në sytë e FIFA-s dhe UEFA-s.
Mund t’ju jap më shumë se pesë arsye, por thelbin dua ta përmbledh me pak fjalë. E para, siç e kanë parë të gjithë, Federata Shqiptare e Futbollit dhe futbolli shqiptar në përgjithësi gjithë këto vite kanë qenë ndër të paktët ishuj nga të gjithë hallkat e pushteteve dhe të shoqërisë shqiptare që kanë funksionuar. Që ka pasur një produkt konkret, një produkt të tillë që pak vite më parë dhe entuziasti më i madh nuk e kishte menduar kurrë. Një produkt të tillë që si rrallëherë ka bërë krenar mua, ty, çdo shqiptar kudo që ndodhet.
Masivizimi i futbollit, përmirësimi i ndjeshëm i infrastrukturës, forcimi i garës sportive përmes një Superlige shumë kompetitive, mbështetja financiare e klubeve përmes marketimit më të mirë të kampionatit dhe dhënies së stimujve shtesë, rezultatet fantastike të Ekipit Kombëtar dhe klubeve shqiptare në Europë, janë disa nga premtimet e mbajtura të mandatit tim në krye të FSHFsë. Besoj se këto premtime të mbajtura, e madje në disa raste të tejkaluara, janë arsye të forta që komuniteti i futbollit të jetë bindur tashmë se unë jam një njeri i fjalës së mbajtur.
Pak kohë më parë kanë qenë me gishtat e dorës ata që mendonin se Shqipëria do të kualifikohej në një Europian apo që në eliminatorët e Botërorit do na linte pas vetëm Spanja dhe Italia. Gjithashtu kanë qenë më gishtat e dorës ata që mendonin që një ekip i kampionatit shqiptar do të arrinte të hynte në ajkën e ekipeve europiane.
Kam dëgjuar disa teori këto ditë që Federatën e mbajnë vetëm këmbët e futbollistëve dhe ne nuk na mbetet gjë tjetër për të thënë. Përpos falënderimeve dhe mirënjohjes të pafundme që jo vetëm unë, po gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, kjo është një teori që nuk e beson asnjë çilimi. Ishte FSHF-ja që zgjodhi një trajner me mentalitet fitues për të drejtuar Kombëtaren dhe po kjo federatë i dha besimin dhe mbështetjen duke i zgjatur kontratën De Biazit sepse ishim të bindur në punën e tij. Ishte FSHF-ja që krijoi kushtet e duhura për të punuar De Biazi dhe çunat e Kombëtares.
Dhe së fundi, por jo më pak e rëndësishme, po ja u them hapur, në qoftë se Federata jonë nuk do kishte arritur këtë nivel imazhi, pjekurie, profesionalizmi lobimesh kombëtare, por edhe personale përgjatë gjithë këtyre viteve, mos ju duket çudi që edhe vendimi arbitrazhit në rastin e ndeshjes me Serbinë të ishte ndryshe. Me këtë nuk dua të them aspak se Shqipëria nuk e kishte të drejtën e Zotit me vete, por në organizmat botërorë të futbollit, ashtu si edhe në botën e politikës, vendet e vogla e kanë pë- suar shumë herë nga padrejtësia dhe arroganca e të mëdhenjve.
Për Shqipërinë ishte hera e parë në gjithë historinë e saj që fitonte një betejë ligjore në arenën ndërkombëtare. Pavarësisht modestisë, nuk mund të lejoj askënd që ta mohojë këtë arritje të FSHF-së në radhë tëparë, por edhe timen personale. Kemi një fakt kokëfortë përballë, që e shohin e ndiejnë të gjithë: futbolli shqiptar dhe Federata Shqiptare e Futbollit janë ndër të ata shembuj që e prezantojnë në mënyrë pozitive vendin tonë në opinion ndërkombëtar.
Duhet ta dini se mua personalisht fjala “ndryshim” më pëlqen ndoshta më shumë sa i pëlqen rivalit tim. Por nuk mendoj se me aq sa ka prezantuar deri tani, programi dhe strategjia e kandidatit tjetër krijon premisat për ndonjë ndryshim thelbësor.
Çfarë keni ende për t’i dhënë futbollit pas 16 viteve?
Përgjigjen e kësaj pyetje e gjeni në përgjigjen e pyetjes së parë, por përveç kësaj dua t’ju nënvizoj hapur dhe diçka tjetër që nuk kam përse ta fsheh. Një federatë e një vendi të vogël duhet të bëjë dhjetëfishin e punës, lobimit, në krahasim me një federatë të një vendi të madh apo të mesëm.
Në gjithë këtë mekanizëm, marrëdhëniet personale të Presidentit të federatës me homologët apo mekanizmat e ndryshëm kanë një rëndësi shumë të veçantë. Kështu, është fakt dhe në politikë dhe në diplomaci. Investimi im për një dekadë e gjysmë në këto marrëdhënie me rigorozitet është një avantazh i madh edhe për federatën tonë, të vogël për nga shifrat e përfaqësimit, por jo pak të rëndë- sishme në marrëdhëniet me FIFA-n dhe UEFA-n.
Përtej kësaj, njohja ime e thellë me një realitet të futbollit shqiptar që është krijuar dhe prosperuar në këto 10-12 vitet e fundit është një avantazh i madh për të ecur në rrugën ngritjes dhe modernizimit të futbollit shqiptar. Kemi një sërë projektesh, që në bashkëpunim me FIFA-n dhe UEFA-n, do t’i çojmë përpara me sukses.
A e keni menduar ndonjëherë që detyrën tuaj mund ta bëjë më mirë dikush tjetër që edhe ju e çmoni?
Nuk kam pretenduar dhe as nuk do të pretendoj ndonjëherë të jem i pazëvendësueshëm. Mund të ketë në shume njerëz më të aftë se unë për të drejtuar FSHF-në, por kjo nuk ma heq mua të drejtën të mbroj punën e bërë deri tani dhe të vijoj të shfaq idetë dhe ambiciet e mia për zhvillimin e futbollit shqiptar.
Nga ana tjetër, gjithkush që do të pretendojë se është më i aftë se unë për të drejtuar FSHF-në, duhet ta bëjë këtë përmes angazhimeve dhe projekteve konkrete që bazohen në realitetin shqiptar. Tek e fundit, edhe unë do të kisha dashur të ndërtoja nga një superstadium në çdo qytet të Shqipërisë, por këto punë nuk bëhen me ëndrra dhe dëshira pa kufij. Çdo gjë duhet të jetë e bazuar në realitetin dhe mundësitë tona konkrete.
Si shpjegohet që kemi stadiume më të mira, por më pak tifozë?
Kjo është një pyetje që meriton një analizë të bazuar në shifra. Më pak tifozë në raport me çfarë? Në përgjithësi numri i tifozëve në botë ka rënie në raport me 20 apo më shumë vite më parë. Një nga arsyet kryesore është televizioni. Të drejtat televizive dhe transmetimi i ndeshjeve në TV, në mënyrë të pashmangshme e kanë vrarë stadiumin dhe sidomos ligat e vogla. Më parë ka qenë ndryshe. Futbolli nuk është më lokal, sot është global.
Beteja për të mbushur stadiumet nuk është vetëm një argument shqiptar. Sot e gjithnjë e më shumë preferohen stadium më të vegjël, por më komodë. Nëse e krahasoni numrin mesatar të tifozëve në Shqipëri në raport me rajonin, atëherë shifrat janë kokë dhe mbajpërgjegjësi të plotë kur them që jemi më shumë se sa konkurrues. Të dhënat thonë që numri i tifozëve në Shqipëri në stadium është rreth 1200 për ndeshje. Kjo shifër është më e lartë se sa në Kosovë, Maqedoni, Mal të zi, Bosnjë dhe në Slloveni. Nuk besoj se duhet të krahasohemi me Turqinë dhe Greqinë.
Në Serbi dhe Kroaci numri i tifozëve është diçka më lart sepse specifika është e tillë që ndeshjet e mëdha, ato derbi, ndiqen nga më shumë se 40 mijë njerëz dhe kjo e rrit ndjeshëm mesataren. Ajo që më gëzon, është që ndeshjet e rëndësishme në Shqipëri ndiqen nga rreth 4-5 mijë tifozë dhe kjo është një shifër e kënaqshme. Në Mal të Zi ndeshjet ndiqen nga 1 mijë tifozë, në Slloveni gjithashtu. Por nuk dua të justifikohem.
Ndoshta është simptomë e rajonit. Njerëzit preferojnë të shohin edhe ndeshje ndërkombëtare. Jeta është bërë më dinamike. Është një fenomen ndërkombëtar që kërkon studime të rëndësishme dhe pa asnjë diskutim që duhet punuar më shumë për të afruar njerëzit në stadium. Një publicitet më i mirë do kishte një efekt shumë më pozitiv.
Në këtë pikë është e vështirë ta ndash federatën nga puna e klubeve, nga rezultati i momentit, nga rrethana të caktuara apo nga konkurrenca që vjen nga ekrani i vogël. Njerëzit sot paguajnë TV për të parë futboll. Në njëfarë mënyrë, ata e kanë prerë biletën e tyre. Kam shifra shumë të mira për njerëzit që paguajnë për të parë Kategorinë Superiore në TV. Edhe ata duhen konsideruar tifozë.
Cilat janë gjërat që mendoni se i keni bërë mirë në këto 4 mandate?
Do mundohem të jem specifik dhe konkret duke vlerësuar në përgjithësi gjërat që janë të ndjeshme për publikun dhe anëtarët. Ekipet kombëtare. Arritjet në fushë dhe jashtë saj të Kombëtares janë një realitet. Shkuam në Europian dhe mendoj se kjo është një gjë e jashtëzakonshme. Shumë kush tha që ne e bëmë këtë sepse Europiani u bë me 24 skuadra. Nuk është e vërtetë. Ne dolëm të dytët në grup dhe do ishim në Europian edhe sikur kampionati të luhej me 16 skuadra.
Ky ka qenë një sukses i stafit teknik dhe lojtarëve. Mendoj se përzgjedhja e De Biazit kanë qenë e duhura dhe krijimi i mundësisë për të punuar së paku 4 vite ka qenë gjithashtu një vendim i drejtë. Gjatë këtij procesi, sigurisht që dhe institucioni ka një meritë të madhe. Ne fituam një gjyq ndërkombëtar, madje kundër UEFA-s pas asaj që ndodhi në Beograd.
E kishim detyrim me bindje t’i shkonim asaj çështje deri në fund, por rezultati ishte i jashtëzakonshëm. Fituam ndeshjen në tavolinë dhe detyruam gjykatën e shkallës së tretë që të dënonte edhe Serbinë. Pastaj organizmi, mënyra se si u prezantuam në gjithë aspektet në Francë ishte për t’u vlerësuar. Morëm komplimentet e organizatorëve dhe kjo nuk është pak.
Kampionati. Është shndërruar në një nga kampionatet më të forta në Europë. Deri në javët e fundit, askush nuk mund të thotë se kush do ta fitojë apo kush do të bjerë nga kategoria. Disa nga fenomenet negative janë zbehur ndjeshëm në këto 4 vite. Problematika kryesore ka qenë besimi. Raportet që vijnë zyrtarisht nga UEFA për ndeshje, potencialisht të dyshuara, janë ulur ndjeshëm. 4 vite më parë kishim një duzinë me ndeshje dhe raporte që duheshin vlerësuar si të dyshuara. Ky është një fenomen i vështirë për t’u luftuar. Qoftë dhe për rrethanat apo ndërgjegjen e klubeve, sot raportet janë me gishtat e njërës dorë. Dhuna gjithashtu është një element në rënie. Nëpër stadiume, faktori fushë është zbehur. Raporti i fitoreve jashtë me brenda po balancohet dhe kjo tregon emancipim.
Masivizimi. Të paktën 3 mijë futbollistë më shumë janë të regjistruar në këto 4 vite dhe kjo nuk është pak. Kemi krijuar kategorinë tretë, kemi ridimensionuar ligën amatore, kemi krijuar dy nivele kategorie për të rinj, kemi futbollin e fëmijëve dhe një kampionat femrash, madje dhe kombëtare femrash në të gjithë nivelet. Kjo është një punë e padukshme, por më besoni është një punë e madhe dhe e vështirë sepse nëse për çdo gjë tjetër, çdo gjë bëhet në bashkëpunim me anëtarët, këto janë nisma ekskluzive dhe iniciativa të federatës.
Promovimi i futbollit. Nga pikëpamja e marketingut kemi bërë hapa përpara. Sot kampionati ka një çmim për sa i përket të drejtës televizive. Shqipëria është një vend më vizibël në futboll. Çdo vit marrim përsipër të organizojmë aktivitete të Europianit të moshave.
“Arena Kombëtare”. Katër vite më parë premtuan stadiumin e ri kombëtar modern dhe, pavarësisht se ende nuk ka mbaruar, jam i bindur që gjithkush do ta konsideronte një sukses faktin që ai është në ndërtim e sipër. Infrastruktura është gjithnjë prioritet. Nuk dua të ndalem në numrin e pafundmë të investimeve nëpër stadiume, fusha. 4 vite më parë nuk kishim asnjë stadium të licencuar për të luajtur ndeshje zyrtare ndërkombëtare për Kombëtaren e as klubet. Sigurisht që nuk i bëmë vetëm. Shteti ka qenë një partner serioz në këto nisma. Por kemi qenë insistues, kemi qenë koordinatorë. Kemi qenë aspak abuzues. Më thoni nëse në Kroaci, Serbi, Mali të Zi apo Bosnje e kanë këtë infrastrukturë në nivel stadiumesh. Nuk e kanë.
Kosova. Ndokush mund ta konsiderojë si mungesë modestie, por realisht Kosova është një “bast” i imi personal i fituar. Kam vite e vite që punoj që Kosova të pranohet në UEFA. Ju e dini sa e vështirë ka qenë. Kemi pasur kundër federata me karakter gjeopolitik dhe federata me interes direkt si Zvicra. Nuk mendova në mënyrë të ngushtë. Dikush do thoshte? Shqipëria cenohet nga kjo. Po a ka rëndësi kjo? A duhet të privohet futbolli në Kosovë nga e drejta e përfaqësimit. Në pak muaj atje janë bërë investime, ka gjallëri dhe janë një realitet. E thashë të fundit, por mund të jetë një nga gjërat më të mira lobimi për pranimin e Kosovës me të drejtë të plota në UEFA dhe FIFA.
Çfarë nuk keni bërë mirë dhe do të donit ta korrigjonit?
Gjëra për t’u rishikuar ka shumë. Unë do preferoja që sistemi i futbollit në Shqipëri të funksiononte mbi bazën e “fair play financiar”. Që do të thotë, aq të ardhura dhe aq shpenzime do bësh. Kjo do sillte mënjanimin e shumë problemeve dhe formaliteti është një betejë e vazhdueshme. Gjithnjë orientoj anëtarët që buxhetet të jenë specifike dhe të mos ketë probleme që mund të dëmtojnë garën. Do vazhdoj të insistoj për këtë, pavarësisht se procesi i shndërrimit të statusit juridik të klubeve nuk ka qenë i thjeshtë. Ka qenë një bast më vete.
Sot klubet kanë një status juridik. Shumë klube janë shoqëri aksionere me pronarë. Ajo që do të doja të ishte bërë më mirë, janë rezultatet e skuadrave përfaqësuese të moshave, ku ndiej se kemi njëfarë deficiti në raport me rajonin. Do doja që skuadrat U-17 dhe U-19 të kishin të paktën nga një kualifikim më shumë për raundin tjetër. Shumë kërkues kam qenë dhe jam edhe me ekipin U-21, që ndiej se ka potencial për të bërë atë që bëri Maqedonia që shkoi në Europian.
Nuk kemi asgjë më pak. Diçka më shumë mund të ishte bërë edhe në aspektin e marketingut, por ju siguroj që është një fushë shumë e vështirë. Rritja e sponsorizimeve për ligat në vend është një ide që lidhet ngushtë me ekonominë, por edhe propagandën dhe publicitetin.
Kam rezervat e mia për shumë sektorë, por ndiej se është një proces dhe gjërat mund të korrigjohen. Do preferoja një tjetër model për akademitë në vend, por kjo varet më së shumti nga klubet. Mund të kishim bërë diç- ka më shumë dhe në raport me shtetin, por ju siguroj se kam bërë maksimumin që klubet të kenë lehtësira të shumta në taksim dhe në detyrime. Nuk varet vetëm nga ne.
A është më tërheqës sot futbolli pa Tiranën, Dinamon, Elbasanin në Superiore?
Pyetje shumë komplekse. Nga viti 2002 që unë jam president, Tirana ka fituar 5 kampionate, Dinamo 2 dhe Elbasani 1. Për të mos përmendur Kupa, Superkupa dhe suksese të ndryshme. Absolutisht këto suksese kanë qenë të merituara dhe Federata nuk ka bërë asgjë që këto ekipe t’i fitojnë këto trofe. E dhashë si shembull për të thënë që oshilacionet e ndonjë klubi nuk varen nga menaxhimi i federatës, varen nga vetë ata dhe nga rrethanat, konkurrenca apo fati.
Sigurisht që unë do doja një kampionat me ekipet më të mëdha, por a është e drejtë të thuash sot se rivali që investon ka fituar pa meritë. A ndikojmë ne në këtë garë? As arsye dhe as moral nuk kemi për ta bërë. Por futbolli ka ndryshuar dhe ka ndryshuar shumë. Holanda dhe Italia nuk do të marrin pjesë në Botëror. A duhet akuzuar FIFA për këtë. Sigurisht që FIFA do ekipet e mëdha. Ekipet e mëdha rrisin të ardhurat, sepse këtu flitet për biznes. Por futbolli prandaj është i bukur, sepse vendos fusha. Procesi i ndryshimeve dhe ndryshimi i hartës së suksesit ka prekur shumë vende europiane.
Ka realitete të reja. Kush mund ta mendonte se, 2 vjet më parë, Leiçester do të dilte kampion i Premier Ligës, apo Lajpcigu do rivalizonte Bajernin në kampionatin gjerman. Kjo është një çështje që, më së shumti, i takon tregut. Keqardhje a ndiej? Po, shumë të madhe! Unë jam edhe tifoz dhe çdo tifoz dëshiron të shohë fanella dhe emra të mëdhenj në fushë.
Pse duhet t’ju votojnë ju klubet si Flamurtari dhe Luftëtari kur gabimet ndaj tyre kanë qenë gjithnjë penalizuese?
Me bindje të plotë i kemi trajtuar të gjithë klubet njësoj. Për këtë ofroj mandatin tim. Nëse Flamurtari dhe Luftëtari mendojnë që me mua si president idetë e tyre për futbollin marrin jetë, le të votojnë. Votimet nuk janë individuale, votimet janë edhe përgjegjësi kolektive. Ndonjëherë ti voton edhe për masën, jo vetëm për veten. Flamurtari është një marrëdhënie njësoj si gjithë të tjerat. U kemi ofruar të njëjtën asistencë dhe të njëjtat kushte.
A ka pasur raste kur ata në fushënuk kanë marrë atë që kanë merituar. Ndoshta. Nuk di ta them, duhet parë balanca nëse flasim për gjyqtarët. Për shembull, mbaj mend një ndeshje të edicionit të shkuar: Luftëtari-Flamurtari 1-2. Flamurtari fitoi me një 11-metërsh që opinioni e konsideroi të parregullt. Atë ditë, Flamurtari vuri një hap të rëndësishëm në qëndrimin në Superiore. Unë nuk mendoj se gjyqtari gaboi me dashje në favor të Flamurtarit. Mendoj se gjyqtarët gabojnë kudo, sepse kjo është një lojë ku bëhen edhe gabime.
Si u ndiet pas ndeshjes Kukësi-Skënderbeu që vendosi fatet e kampionatit të shkuar dhe ndërkohë nuk u mor asnjë masë ndaj arbitrit?
Njësoj si mund të jenë ndierë presidentët e federatave të tjera, kur në ndeshje decizive gjyqtarët ndoshta kanë gabuar. Njësoj si mund të jetë ndier presidenti i FIFA-s në finalen e Botërorit të 1966, apo presidenti Blater në finalen e 1990-ës, të kontestuara për gjykimin. Njësoj si presidenti aktual i FIFA-s, kur tha që në “play off” gjyqtari nuk dha dy penallti kundër Suedisë. Unë jam i bindur që një Kupë Bote, një Kupë Europe apo Champions apo Europa Ligë mund të vendosen nga gabimet arbitrare, por një kampionat jo. Gabimet e gjyqtarëve mund të jenë pjesë e lojës. Do doja që çdo ndeshje e rëndë- sishme të mos kishte asnjë gabim, por as robotët nuk e garantojnë një gjë të tillë dhe jo më njerëzit.
A i druheni një kandidati si Bashkim Fino që vjen nga radhët e politikës?
Më lejoni një korrigjim të vogël. Jo një kandidati që vjen nga politika, por një kandidati që vazhdon të jetë në politikë, sepse, me sa ka deklaruar, do të hyjë në garën për kreun e FSHF-së pa hequr dorë as nga mandati i deputetit dhe as nga detyra e sekretarit organizativ të partisë së tij. Gjithsesi, njerëzit janë të lirë në ambiciet e tyre dhe unë bëj pjesë në atë kategori personash që i inkurajojnë të tjerët të mos heqin dorë lehtë nga ambiciet, përfshi këtu dhe mikun tim Bashkim Fino. Sigurisht që nuk kam asnjë droje, nga askush. Puna ime është aty, në sytë e gjithë komunitetit të futbollit dhe gjithë publikut shqiptar, bashkë me ato gjëra që ndoshta nuk janë bërë ashtu si duhet.
Ata do të na vlerësojnë. Sigurisht që, në një pikë, ndoshta unë po vendos një tjetër rekord, jo vetëm shqiptar, por edhe në familjen e madhe europiane ku ne bëjmë pjesë. Po konkurroj përballë një figure që vjen nga radhët e politikës dhe që, me sa duket, nuk është bindur ta lërë mandatin e deputetit apo detyrën e sekretarit organizativ të partisë për t’u bërë pjesë e komunitetit të futbollit. Kjo nuk ndodh në Europë.
Dokumentet themeltarë të FIFA-s dhe UEFA-s kanë sanksionuar se futbolli dhe strukturat e tij duhet të jenë qartësisht të ndara nga çdo ndikim politik apo fetar. Gjithsesi, kjo është një zgjedhje e rivalit dhe unë personalisht nuk kam ndonjë problem me këtë, thjesht mendoj se është një zhvillim që mund ta dëmtojë imazhin ndërkombëtar të FSHF-së. Gjatë gjithë aktivitetit tim në krye të FSHF-së jam përballur shumë herë me politikën dhe, po aq herë, kam treguar se nuk i trembem asaj apo presionit që mund të vijë nga segmente të caktuara të lidhura me të. Nuk kam asnjë arsye të ndryshoj tani.
Edhe juve ju përmendin faktin që keni ardhur i “sponsorizuar” nga politika, pasi vëllai juaj ka qenë ministër asokohe. A jeni dakord me këtë konstatim?
E para, unë vetë personalisht nuk kam qenë ndonjëherë anëtar partie a parlamenti, ishkryeministër apo ish-kryetar bashkie. E dyta, në atë kohë, vëllait tim iu afrua një post si ministër Bujqësie, jo si eksponet politik, po si një ekspert me njohuri të gjera në fushën e bujqë- sisë. Dhe, në këtë rast, krahasimet nuk qëndrojnë. Nga ana tjetër, nëse gjeni qoftë dhe një rast që partia që ka përfaqësuar vëllai vitet e fundit ka pasur ndikim teorik në zgjedhjet në FSHF, atëherë e dorëzoj që tani kandidaturën. Unë nuk jam president i FSHF-së sepse jam vëllai i Agron Dukës. Unë jam vëllai i Agron Dukës dhe jam i lumtur që është kështu.
Cili është pengu juaj në këto 16 vite për të cilin ndiheni keq sa herë jua përmendin?
Po kam disa pengje. E para, do doja të shihja një skuadër shqiptare në grupet e Champions-it. I kemi të gjitha mundësitë. Nuk dua të shoh vetëm Skënderbeun në grupet e Europa Ligës. Dua që emri i futbollit shqiptar të lakohet jo vetëm në muajt e verës, por sa më gjatë. Gjithashtu do doja të kishim një top-lojtar, i cili në arenën ndërkombëtare të fitonte diçka të madhe, të fitonte diçka me klubet. Për shembull, me shumë xhelozi shihja Pandev që fitonte Champions-in me Interin. Pse jo dhe një shqiptar të jetë i përfaqësuar. Besoj se shumë shpejt, nga disa prej këtyre pengjeve do të çlirohem, sepse kemi lojtarë me të vërtetë shumë të rëndësishëm në skuadrat e tyre, veçanërisht në kampionatin italian.
Ideja që pas një suksesi të madh në ekipin kombëtar vendosët në stol një trajner si Panuçi… Pse nuk zgjodhët një mes Hasit, Canës ose Foto Strakoshës?
Trajneri nuk ka as moshë e as pasaportë. Diskutimi shqiptar apo i huaj duhet të marrë fund një herë e mirë. Vendimi nuk merret mbi emocionet e pasaportës apo mbi, le të themi, përqasjen me opinionin publik. Na duhej diçka e re, një personazh me karizëm, diçka ndryshe. Duhej rizgjuar nervi. Rrezikuam duke marrë një trajner me CV relativisht jo më të fortë, por me një të shkuar të madhe si futbollist.
Cili është trajneri i Kombëtares më “problematik” (në raportin njerëzor) për ju?
Problematik? Kam preferuar t’i ndaj në të suksesshëm dhe të pasuksesshëm, pavarësisht se dhe këtu ka vend për relativitet në varësi të momentit. Kam një parim, më i mirë është ai që kam për momentin. Problematik? Marrëdhënie problematike u krijuan me Dosenën, që u largua pa lajmëruar dhe Ari Hanin që, më shumë se sa rezultatet, nuk po gjenim gjuhën e përbashkët si institucion me mënyrën se si menaxhonte skuadrën. Do ju them një fakt. Nga viti 2002 e deri tani, unë personalisht kam shkarkuar vetëm një trajner: Ari Han. Të tjerët janë larguar në fund të kontratës, u është rinovuar kontrata ose, si rasti “De Biazi”, që u largua me dëshirën e tij. Kjo tregon se nuk kam pasur problem me askënd.
Në zgjedhjet e fundit morët vetëm duartrokitje dhe 64 vota pro… Keni bërë ndonjë llogari se sa kundër mund të merrni këtë herë?
Kjo është një pyetje pa një përgjigje konkrete. Askush nuk futet në garë për të humbur ose duke bërë këtë llogari. Respekt për gjithë ata që nuk mendojnë se jam i duhuri. Do ndihen njësoj të përfaqësuar në momentin që do fitoj. Dyfish madje nëse do ta dija kush ishin, duke qenë se votimi është fshehtë.
Dikur Edi Rama thoshte se “Duka është nga ata që nuk ia ha qeni shkopin…”, po sot a mendoni se ai ka të njëjtin vlerësim dhe se nuk do të ndërhyjë në këto zgjedhje?
Marrëdhënia personale me Edi Ramën nuk ka asnjë arsye për t’u komentuar në publik. Nuk e kam mohuar që nga pikëpamja shpirtërore mbështetja e tij personale dhe e qeverisë, sidomos në investime dhe në momentin e Europianit, ka qenë e madhe. Unë kam rezervat e mia për raportin e futbollit me shtetin, por kjo jo detyrimisht për kryeministrin, sepse ai nuk mund të zgjidhë gjithçka. Për shembull, një nga betejat më të mëdha që kam, është taksimi i futbollit. Të ardhurat në futboll nuk mund të tatohen siç do fushë tjetër. Çdo klub tatohet me 15% sipas ligjeve klishe, madje dhe për të ardhurat që vijnë nga UEFA.
Ndërkohë, deklarimet e futbollistëve thonë që shumica e atyre tatohen me 23%. Edhe paratë që vijnë nga kompanitë e tjera të presidentëve në llogaritë e klubeve tatohen si e ardhur. Kjo nuk është normale. Unë, madje, propozoj taksë “free” për futbollin. Nuk është futbolli industria ku shteti duhet të zbatojë politikat e taksimit. Nuk ka lehtësira për askënd që sponsorizon në sport. Pastaj, “nëse ma ha mua qeni shkopin apo jo”, këto janë vlerësime personale. Unë do preferoja që shteti të përfshihej për të përmirësuar dhe lehtësuar punën e 66 anëtarëve.
Njoh presidentë që qajnë kur shohin se si pasioni i tyre shkon taksa. Tatohet biznesi, por jo pasioni. Nuk mund të jemi kaq të egër në këtë drejtim. E dini ju që në futboll nuk rimbursohet as TVSH?! Nuk ka asnjë shpërblim nga shteti për fituesit. A nuk meriton një skuadër që bën mirë në Kupat e Europës të marrë një shpërblim njësoj si një sportist që fiton një medalje diku? Në këtë sens them që shteti dhe, pse jo kryeministri, të jetë më pranë futbollit.
A jeni ndier ndonjëherë i tradhtuar nga bashkëpunëtorë ose presidentë klubesh gjatë gjithë këtyre viteve?
Ka pasur raste kur sjellja e presidentëve më ka surprizuar negativisht, ka pasur raste kur e kam kuptuar se ata nuk bënin atë që mendonin, por ka një mori rastesh kur i kam kuptuar se nga mënyra si kanë vepruar, kanë qenë të detyruar nga rrethana të caktuara. Si mund të ndihem unë i tradhtuar nga njerëz që nuk po lënë vetëm paratë e tyre, por dhe shpirtin për futbollin. Jo vetëm që nuk ndihem i tradhtuar, por sikur një ditë më shumë të qëndronin në futboll do t’i falënderoja nga zemra.
A ju vjen keq që një nga klubet më të mirë në historinë e futbollit shqiptar, Skënderbeu, u pezullua nga UEFA për trukime?
Po më vjen keq dhe nëse do isha në vend të tyre, do bëja një mbrojtje dhe më të fortë në organet gjyqësore. Ka qenë një temë e diskutueshme, shumë problematike dhe pa precedent. U dënua një klub pa prova, por sipas statutit të UEFA-s dhe në këtë pikë mendoj se ka shumë diskutime. Edhe ne si komision etike kemi dënuar pa prova, por me perceptim, por të gjithë anëtarët e asamblesë kanë votuar që komisioni ynë i etikës të votojë kështu. Gjithsesi, dënimi ka mbaruar dhe sot Skënderbeu është një skuadër si gjithë të tjerat, madje befas dhe më e fortë në arenën ndërkombëtare dhe për këtë nga ana sportive meriton duartrokitje.
Cila është gjëja që ju bën më shumë krenar në këto 16 vite?
Europiani i Francës, investimet, gara në vend dhe pranimi i Kosovës në UEFA dhe FIFA. Nëse keni një tjetër renditje të fakteve, bëjeni.
http://www.panorama.com.al/sport/ekskluzive-duka-fino-nuk-me-tremb-politika-rrezikon-fshf-ne/