Nga Anila Hoxha
E shtunë. Kam vendosur të pi kafen e mortit në familjen Zykaj. Dhe nuk diskutohet më tej. Tragjedia më është rrotulluar gjatë në mendje. Dua “të njoh” 8 të vrarët. Dua t’u shtrëngoj dorën të gjallëve të mbetur. Paçka se e vështirë. Shumë e vështirë t’i japësh dorën Albit, vetëm 18 vjeç, të cilit ju vra nënë e babë, motër e vëlla, gjyshërit, xhaxhallarët. E vështirë të rrok dorën me Arielin dhe të vëllain Falkua, përkatësisht 20 e 24 , që shpëtuan falë fatit sepse njëri ndodhej në Greqi dhe tjetri në punë në një pikë karburanti. Por nisem…
Për të udhëtuar drejt Resulajt, një lagje fshat i Selenicës duhet të shkelësh mbi një rrugë të arnuar si rrobat e grisura të një leckamani. Aty këtu pak asfalt dhe me tej gropa, zall. Nuk duhet të vazhdosh drejt asaj zonës që quhet Labëri, në të cilën gjithashtu gjarpëron një rrugë që po asfaltohet me nge. Dhe makina që më së shumti shullehen në diell. Labëri e harruar në varfëri. Sa keq më vjen që edhe kur rruga të përfundojë nuk do arrijë brenda këtyre zgjedhjeve deri në fshatin Brataj, atje ku kryeministrit, burrat e bejteve dhe të këngës labe, i mbajtën iso dhe i duartrokitën, atë vakt kur ai u mblidhte frymës së tyre votë e nga një votë. I thanë që vendosim me shpresë dhe bindje për Rilindje… Sa shpresë! Por sot Labërisë po i tundin si “kockë”rrugën, që edhe ajo s’dihet kur përfundon. Ndoshta deri për zgjedhje do hedhin arnën e parë pa mbërritur në fshatin Gjorm. Me tej të shohim…Lumi i Vlorës, zemra e Labërise siç e quajti zoti kryeminister po pulson me ritme mes gjallëvdekjes.
Por për të shkuar në Resulaj, nuk shkel kësaj rruge të mjerë, diku ka një kryqëzim, duhet të kthehesh majtas. Sërish rrugë migjeniane. Tek udhëtoj takoj çobanë të tharë nga dielli. Gra të veshura me të zeza. Njerëzit janë kapur me mish e shpirt pas dy gjërave që u falin ekzistencën, bagëtive dhe ullinjve.
Sërish zoti kryeministër, njerëzit i kane sytë nga thesi me miell. Prindërit më të lumtur janë ata që kanë fëmijë në emigracion. Madje ata nuk flenë as barkbosh si të tjerë që një pension i kooperativës nuk u jep asgjë. Shumica vazhdojnë e grinden e merirosen për kufinj të trashëguar nga gjyshër e stërgjyshër e nga ana tjetër për kufinj të 7501. Për këto kufinj Labëria zien, ka të vrarë çdo dimër e verë, por sot jam nisur për tjetër mort. Me 20 km në orë mbërrij në Selenice, në Selenicën që dikur ishte baza e internimit të të padëshiruarve të partisë. Sot me ndarjen territoriale, bashkia Selenicë mbledh të gjithë fshatrat e Labërisë së harruar e të izoluar në mjerim.
Për në Selenicë ka vetëm një tabelë, fshtrat e tjera më shfaqen e më treten si fantazma. Asnjë emër, asnjë tabelë. Shoqëruesi më tregon histori për secilin prej këtyre fshatrave të thatë e të ashpër, sesi Penkova vuan për ujë, sesi Picari po heq picire për shitjen e prodhimit e kështu me uff e puff dhe kujdes makinën, mbërrij në shtëpinë e 8 të vrarëve, prej Ridvan Zykajt. Janë mbyllur tre shtëpi. Në gjurmët e gjakut tre fëmijët e ngelur, të vetmit të mbetur vendosin lule. Më japin cigare dhe u jap cigare. Fëmijë të rritur nga një fatkeqësi e papërshkruar. Albi nuk ka më askënd nga familja. Sarën e vranë. Ëndërronte të bëhej mjeke. Mësonte anglisht. E çonin prindërit çdo ditë në Selenicë. Ledionin 8 vjeç, të vëllanë, ja vranë. Çantat e tyre të shkollës kanë mbetur në dhomën e gjumit. Rrobat e të ëmës, Vasilikës janë mbi divan. I ati ka një kapele vere në portmondo. Albi ka mbetur vetëm. Ai tashmë nuk e di më çdo të thote të jetosh, çdo të thote e ardhme. I ka shitur të gjitha, pulat, lopët, viçat dhe sytë i ka larg, sa më larg këtij vendi që s’te jep shpresë. Por nuk e di si. Xhaxhai i tij Resmiu thotë se shteti i braktisi, kanë mbetur 3 djem, për të cilët askush, nuk dihet se ç’bëjnë ca ministri… por askush nuk u shtriu dorën t’i mbante fort. Albi mbushi 18 vjeç në gusht zoti kryeminister, do lërë shkollën e kuzhinës në mes dhe pas fatkeqësisë që i ndodhi asnjë nga ne nuk di ç’të thotë se çdo ndodhë me të. A e bën atë të fortë fjala jonë, ngushëllimi ynë? A ka psikologë, ministri të çeshtjeve sociale. Ç’ndodh me njerez si ai që nesër janë e ardhmja jone? Kush do ta mbështesë atë?
Edhe Falkua dhe i vëllai, humbën nënën e babën. Afërdita dhe Azemi. Vdiqën sikur të ishin viktima të një lufte sepse kur ka rend dhe siguri, asnjë vrasës nuk bredh me arme në krah e gjuan si t’i teket, shumë kohë në ajer dhe pastaj ndaj kushërinjve. Më shkroi atë ditë tregon Falkua. Ritvani më shkroi. Isha në punë. Më tha ku je? Më sill një pakete. Ishte mbase ora 11. Më pas ndodhi ajo që ndodhi. Shumë gjera nuk i mbaj mend. Dua dikush të vijë e t’ma thotë cfare ka ndodhur në të vërtetë, ai i shfarosi të gjithë, të 8 njerëzit tanë me pleq me femijë, nuk e di cila është e vërteta. Arieli i mban dorën vëllait të madh dhe kushëririt Albit. Kanë ngelur 3, pak më tej janë varret dhe në oborr vendi i gjëmes. A mund të jetojnë më këtu?
Resmiu është xhaxhai i tyre, atij i vranë prindërit, Ademin dhe Perrien, vëllezer e kunata, nipër e mbesa. Na u vranë 3 breza thotë Resmi Zykaj. U kthye nga emigracioni për t’u dhënë lamtumirën dhe tani që kanë kaluar ditë i kërkon shtetit drejtësi. Më thotë se do dëshironte që dikush nga ata që quhen shtet të kish shkelur në derën e tyre. Do dëshironte të takonte Edi Ramën. Fatmir Xhafën. Sepse sipas tij, tre fëmijët e mbetur gjallë kanë nevojë për mbështetje. Për të ardhme. Unë e pyes se përse duhet ta takojë Fatmir Xhafën, tek e fundit ai është ministër i brendshëm. Sepse thote: Do flas me të, si labi-labit.
Krenari është i vetmi që nuk flet. E shpëtoi sëmundja nga vdekja. Eshtë shurdhmemec. Teksa Ritvan Zykaj po vriste kushërinjtë e tij, 55-vjecari bënte gjumin që po i shpëtonte jetën. Por ai është një fatkeq si të tjerët. Eshte një njeri pa shtet. Shteti i tij dhe imi, dy vjet me parë i hoqi ndihmen ekonomike, megjithëse ai është sëmurë dhe e mbanin gjallë vëllezerit që ju vranë dhe një dhi e bardhë. Krenari hesht, por e ndjen dhimbjen njësoj a ndoshta më tepër. Të shpëtuarit shohin njëri-tjetrin, rrallë kam parë një nevojë aq të lexueshme për njëri-tjetrin sa në shtëpine e tyre. Asnjëri prej tyre nuk e di ku është shteti. Ata humbën të shtrenjtët e tyre, por shteti i konsideron si statistika që ndikuan në rritjen e kriminalitetit. Pak metra me tej, me porte të mbyllur është shtëpia e Ritvan Zykajt. Aty jetojnë gjyshërit. Prindërit janë larguar përgjithmonë.