Në një intervistë për mediat, deputetja e Partisë Socialiste, ka folur lidhur me punën e komisionit të ngritur për Reformën Territoriale, duke theksuar se ky komision nuk mund të zëvendësonte rolin e ekspertëve. Denaj ka folur mbi propozimin e bërë nga partia Demokratike ku parashikohen 95 bashki dhe 5 rajone në ndarje të re territoriale. Ajo tha se kjo do të rëndonte më tepër në kurriz të qytetarëve duke sjellë shpenzime më të larta për financave vendore.
“Një komision nuk mund të zëvendësojë rolin e ekspertëve. Kjo do të krijonte një dëm në kurriz të financave vendore pasi pavarësisht se ka një ligj për autonominë financiare, pjesa dërrmuese e bashkive të vogla nuk ngrenë dot më shumë se 10% të totalit të të ardhurave nga të ardhurat e tyre. Dëgjesat publike, asnjë përfaqësues nga bashkia e Shkodrës pas tre email-eve, dhe ftesave zyrtare, nuk mund të detyrojmë asnjë kryebashkiak të vijë në komision. Dëgjesa ishte planifikuar por Bardhi nuk u paraqit. Ne kemi bërë rreth 40 dëgjesa publike. Ne i dimë problemet por qasja në këtë situatë nuk është zgjidhje ndarja e mëtejshme e territorit dhe aq më pak me numrin 90 apo 120 bashki. Në raport me numrin e bashkive e thashë, është një inflacion i pajustifikuar në kurriz të qytetarëve. Ka ende numër të bashkive me plagë financiare të pambyllura, për shkak se nuk krijojnë dot të ardhura, jo për shkak të ndarjes territoriale. Ne po përpiqemi të bëjmë një konsolidim të asaj ndarje territoriale”– u shpreh Denaj.
Sa i takon propozimit për ndarjen e pushteteve Denaj mbajti të njëjtin qëndrim, të cituar më lart, duke shtuar se dukej qartë se në përfundim të punës së komisionit, do prezantoheshin dy raporte të cilët do të votoheshin në kuvend. Çështja e rajoneve është ngritur në të gjitha dëgjesat dhe nga ekspertët. Besoj se të gjithë janë dakord se nuk mund të diskutohet në një komision parlamentar, sesi do harmonizohen funksionet e pushtetit vendor. Mendoj se çështja e rajoneve duhet të zgjidhet nga ekspertët. Por jo të bëhet copëtimi i territorit në tavolinë.
“Ky komision do përfundojë me dy raporte sepse është e dukshme. Sipas shifrave, mazhoranca do mbështesë propozimin tonë. Mendoj se ndryshimet do i shohim në kohë. Nuk vihet më afër qytetarëve me diskutime në tavolinë pa përfshirë ekspertët” – tha deputetja mes të tjerash.