Enkelejd Alibeaj dhe deputetët demokratë mbështetës të tij, kanë depozituar në Kuvend projektligjin “Për një shtesë në ligjin nr. 8457, datë 11.02.1999 “Për Informacionin e Klasifikuar “Sekret Shtetëror”, i ndryshuar.”
Në një kërkesë zyrtare, deputetë e grupit të PD kërkojnë marrjen e masave për nisjen e procedurave parlamentare për shqyrtimin dhe miratimin e këtij projektligji në Kuvendin e Shqipërisë. Deputetët kërkojnë deklasifikimin e të gjitha dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit në periudhën 1944–1991.
Projektligji:
KUVENDI
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike
Nr. __ Prot. Tiranë, më _._.2022
Lënda: Propozohet për shqyrtim dhe miratim një projektligj.
Drejtuar: Znj. Lindita NIKOLLA
Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë
Këtu
Znj. Kryetare e Kuvendit,
Në mbështetje të nenit 81, pika 1 të Kushtetutës dhe nenit 68, pika 1 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, bashkëlidhur gjeni për shqyrtim dhe miratim projektligjin “Për një shtesë në ligjin nr. 8457, datë 11.02.1999 “Për Informacionin e Klasifikuar “Sekret Shtetëror””, i ndryshuar”, shoqëruar me relacionin përkatës, e propozuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
Ju lutem, marrjen e masave për nisjen e procedurave parlamentare për shqyrtimin dhe miratimin e këtij projektligji në Kuvendin e Shqipërisë, në përputhje me nenet 68 e vijues të Rregullores.
Duke ju falënderuar për bashkëpunimin.
KRYETARI
Enkelejd ALIBEAJ
KUVENDI
PROJEKTLIGJ
Nr. __/2022
PËR NJË SHTESË NË LIGJIN NR. 8457, DATË 11.02.1999 “PËR INFORMACIONIN TË KLASIFIKUAR “SEKRET SHTETËROR”, I NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e e një grupi deputetësh,
KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
Në ligjin nr. 8457, datë 11.02.1999 “Për Informacionin e Klasifikuar “Sekret Shtëror””, i ndryshuar, bëhet shtesa, si më poshtë vijon:
Neni 1
Në nenin 13, pas paragrafit të gjashtë, shtohet paragrafi i shtatë me përmbajtje si më poshtë:
Përjashtimisht, konsiderohen të deklasifikuara dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, për periudhën 29 nëntor 1944 deri në ditën e krijimit të Shërbimit Informativ Kombëtar, 2 korrik 1991, të cilat disponohen nga të gjitha arkivat e rrjetit arkivor të Republikës së Shqipërisë. Nga zbatimi i kësaj dispozite, përjashtohen dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që lidhen me marrëdhëniet ndërmjet shteteve dhe sigurinë kombëtare.
Neni 2
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYETARJA
Lindita NIKOLLA
Miratuar, më _._.2022
RELACION
PËR PROJEKTLIGJIN
PËR NJË SHTESË NË LIGJIN NR. 8457, DATË 11.02.1999 “PËR INFORMACIONIN TË KLASIFIKUAR “SEKRET SHTETËROR”, I NDRYSHUAR
- QËLLIMI I PROJEKTAKTIT DHE OBJEKTIVAT QË SYNOHEN TË
ARRIHEN
31 vite pas rënies së regjimit komunist, qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të mësojnë të vërtetën e plotë të asaj që ishte diktatura më e egër dhe më cnjerëzore, jo vetëm në historinë e Shqipërisë, por edhe të Evropës e më gjërë. Zbardhja e plotë e së vërtetës lidhur me atë që ishte dhe përfaqësonte regjimi komunist nuk mund të kuptohet pa zbardhur atë pjesë të historisë që ishte ana më e errët e saj, pikërisht Sigurimi i Shtetit. Kjo strukturë përfaqësonte frikësimin, dhunën dhe terrorin që shteti diktatorial kërkonte të depërtonte në mendjen e cdo qytetari shqiptar, për të parandaluar cdo lloj përpjekje kundërshtie apo revolte.
Jo vetëm kaq, por në ato dokumente gjenden të dhëna dhe foto për fatin e mijëra shqiptarëve të pushkaktuar, të gjymtuar, të torturuar, të dënuar dhe internuar në burgjet dhe kampet e regjimit komunist. Zbardhja e atyre dokumenteve do t’iu shërbejë këtyre personave, por edhe familjeve të tyre për të mësuar të vërtetën e dhimbshme të asaj që ishte jeta e tyre për 45 vite. Në këtë kuptim, ky projektligj realizon një të drejtë thelbësore për këta individë, që është e drejta për të mësuar të vërtetën e jetës dhe familjes së tyre deri në fund. Por, mbi të gjitha ky projektligj realizon edhe një qëllim tjetër parësor për të gjithë qytetarët shqiptarë, që janë në të drejtën e tyre legjitime për të njohur e kuptuar historinë e afërt të paraardhësve, familjeve, të afërmve, miqve dhe vendit të tyre.
Një popull që harron historinë e tij, është i dënuar ta përsërisë atë, thotë filozofi spanjoll George Santayna. Zbardhja e këtyre dokumenteve do t’i shërbejë edhe kujtesës historike të popullit shqiptar, në mënyrë që struktura dhe ngjarje të tilla të mos përsëriten kurrë më në të ardhmen. Historia 31-vjecare postkomuniste ka provuar se shqiptarët nuk janë hakmarrës, nuk kërkojnë shpagim, nuk urrejnë, por kërkojnë me ngulm të dinë të vërtetën tërësore të asaj që kaluan në Shqipërinë burg të viteve 1944 – 1991. Është detyrimi ynë si ligjvënës të Shqipërisë postkomuniste, që të ndërtojmë mekanizmat ligjorë të nevojshëm, për të realizuar këtë të drejtë kaq bazike, gjithëaq thelbësore, për ata që ne përfaqësojmë në Kuvendin e Shqipërisë. Kjo mund të bëhet vetëm nëpërmjet këtij projektligji, duke i hapur rrugë deklasifikimit të plotë të të gjitha dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë për periudhën 29 nëntor 1944 deri në 2 korrik 1991.
- ARGUMENTIMI I PROJEKTAKTIT LIDHUR ME PËRPARËSITË,
PROBLEMATIKAT, EFEKTET E PRITSHME
Diskutimi për deklasifikimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit, apo sic njihet në opinionin e gjërë publik hapjen e dosjeve, ka qenë i pranishëm gjatë këtyre 31 viteve në tryeza të ndryshme të debatit publik, dhe është kthyer gjithnjë si një nevojë, mision dhe objektiv i parealizuar. Kuvendi i Shqipërisë ka bërë disa përpjekje në këtë drejtim, përfshirë edhe nismën ligjore më të fundit, përkatësisht ligjin nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, megjithatë këto përpjekje kanë rezultuar të pamjaftueshme për realizimin e zbardhjes tërësore të dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit. Për shumëkënd, hapja e dosjeve ka qenë një diskutim i parakohshëm, që mund të krijonte trazira a konflikte sociale, që mund të shtynte qytetarët drejt hakmarrjes apo shpagimit. Këto arsyetime mund të përmbanin të vërteta të caktuara, por eksperienca 31-vjecare e shtetit postkomunist shqiptar, na ka treguar se shqiptarët nuk kanë kërkuar hakmarrje a shpagim, nuk kanë krijuar trazira a konflikte sociale, por kanë shfaqur një interes permanent për të ditur të vërtetën.
Nga ana tjetër, megjithë problemet e shumta të shtetformimit dhe konsolidimit të institucioneve, sot Shqipëria është një vend anëtar i Këshillit të Evropës, anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Këto përparime thelbësore janë një tregues i rëndësishëm se Shqipëria dhe qytetarët e saj janë gati për t’u përballur me të vërtetën historike të tyre përgjatë 45 viteve të regjimit komunist. Mësimi i të vërtetës iu shërben jo vetëm atyre që kanë qenë drejtpërdrejtë subjekte të dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, por cdo qytetari shqiptar që kërkon të njohë dhe kuptojë historinë e vendit të tij, së bashku me personazhet e tij. Mjetet dhe mekanzimat ligjore që janë sot në dispozicion, nuk janë të mjaftueshëm për realizimin e këtij qëllimi.
Prandaj, ne, një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, forcës politike që lindi më 8 dhjetor 1990, pikërisht si nevojë jetike për t’i dhënë fund regjimit komunist, kanë paraqitur këtë nismë ligjore, me qëllim që cdo qytetari t’i jepet e drejta dhe mundësia për të njohur historinë e regjimit komunist, deri në skutat më të errëta të saj, që mishëron më së miri nga ish-Sigurimi i Shtetit. Ky projektligj është në harmoni të plotë me ligjin nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit”, dhe synon një zgjerim thelbësor të tij, në mënyrë që e drejta për t’u informuar të mos kufizohet vetëm tek të prekurit, por edhe cdo qytetar tjetër i interesuar. Po ashtu, ky projektligj është në harmoni me ligjin nr. 8457, datë 11.02.1999 “Për Informacionin e Klasifikuar “Sekret Shtetëror””, i ndryshuar, vecanërisht nenin 13, paragrafi i kartërt, i cili përcakton se “Në raste të vecanta, informacioni i klasifikuar, mund të deklasifikohet kur publikimi i tij diktohet nga interesa shtetërorë më të rëndësishme se nevoja për ta mbajtur atë të klasifikuar.”
Në këtë rast është e qartë se e drejta, interesi dhe mundësia për të mësuar të vërtetën historike të Shqipërisë së viteve 1944 – 1991, prevalon mbi nevojat që mund të ketë shteti për ta mbajtur këtë informacion të klasifikuar. Megjithatë, hartuesit e projektligjit janë treguar mjaft të kujdesshëm duke përjashtuar nga aplikimi i kësaj dispozite, ato dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit që lidhen me marrëdhëniet ndërmjet shteteve dhe sigurinë kombëtare. Pra, zbardhja e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit nuk do të cënojë në asnjë rast marrëdhëniet që Republika e Shqipërisë ka ndërtuar me shtetet e tjera, si dhe do të sigurojë ruajtjen dhe mbrojtjen e sigurisë kombëtare. Ky përcaktim është dëshmi e përgjegjshmërisë së lartë të ligjvënësve gjatë hartimit të projektligjit, si dhe vjen në harmoni me përcaktimet e bëra në nenin 33 të ligjit nr. 45/2015, sa i përket kufizimeve mbi të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit kur ato lidhen me marrëdhëniet ndërkombëtare dhe sigurinë kombëtare.
III. VLERESIMI I LIGJSHMËRISË, KUSHTETUTSHMËRISË DHE HARMONIZIMI ME LEGJISLACIONIN NË FUQI VENDAS E NDËRKOMBËTAR
Projektligji është propozim i një grupi deputetësh të Kuvendit të Shqipërisë, në përputhje me nenin 81, pika 1 të Kushtetutës së Shqipërisë, dhe nenin 68, pika 1 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë. Projektligji është në harmoni me nenin 3 të Kushtetutës, i cili përcakton se “…identiteti kombëtar dhe trashëgimia kombëtare…janë baza të këtij shteti, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe mbrojë.” Po ashtu, ky projektligj, sic kemi analizuar më lart, është në përputhje me kuadrin ligjor shqiptar sa i përket deklasifikimit të informacionit “sekret shtetëror”, dhe të drejtës së qytetarëve për informim mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Projektligji nuk synon aspak të dëmtojë kuadrin ligjor ekzistues, por ka për qëllim përmirësimin dhe zhvillimin e tij të mëtejshëm.
- PËRMBLEDHJE SHPJEGUESE E PËRMBAJTJES SË PROJEKTAKTIT
Projektligji përbëhet nga dy dispozita.
E para, sjell shtimin e paragrafit të shtatë të nenit 13 të ligjit nr. 8457, datë 11.02.1999 “Për Informacionin e Klasifikuar “Sekret Shtetëror””, duke sanksionuar se dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, për periudhën 29 nëntor 1944 deri në ditën e krijimit të Shërbimit Informativ Kombëtar, 2 korrik 1991, konsiderohen të klasifikuar ex lege, pra për shkak të ligjit. Si të tilla, ato nuk kanë nevojë që t’i nënshtrohen shqyrtimit nga ana e një autoriteti, komisioni apo strukture tjetër shtetërore për të kryer deklasifikimin e tyre. Megjithatë, me qëllim ruajtjen dhe konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërkombëtare, dispozita përjashton nga zbatimi i saj ato dokumente që lidhen me marrëdhëniet ndërkombëtare. Po ashtu, dispozita ka treguar kujdes të vecantë për të përjashtuar nga zbatimi i saj edhe ato dokumente që lidhen me sigurinë kombëtare të vendit. Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit që lidhen me marrëdhëniet ndërmjet shteteve dhe sigurinë kombëtare, do të trajtohen në përputhje me kuadrin ligjor ekzistues.
Ndërsa, neni i dytë parashikon hyrjen në fuqi, në përputhje me përcaktimin e bërë në nenin 84, pika 3 të Kushtetutës së Shqipërisë.
- RAPORTI I VLERËSIMIT TË TË ARDHURAVE DHE SHPENZIMEVE BUXHETORE
Projektligji nuk parashikon efekte financiare për Buxhetin e Shtetit. Cdo person që kërkohet të njihet dhe/ose marrë kopje të dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit mund të paguajë një tarifë të caktuar administrative në përpjestim të drejtë me shërbimin dhe materialet e kërkuara.
DEPUTETËT