Nga Vogue
Nuk mund të gjesh vend për t’u ulur brenda një dhome të mbipopulluar të lokalit të quajtur Radio, në kryeqytetin e Shqipërisë Tiranë. Është mbrëmja e së enjtes dhe në skenë po performon një grup amerikan nga New Orleans. Tarraca shumëngjyrëshe, që ngjan me një serë, është veshur plot me bimë dhe kafaze zogjsh, një bashkim ky i gëzuar mes së resë dhe së vjetrës, ku njerëzit flasin hareshëm të ulur në stola të verdhë duke tymosur cigare Marlboro. Atmosfera këtu është pozitive dhe e shpenguar dhe po e njëjta ndjesi është e përhapur në të gjitha restorantet, baret dhe kafet në lagjet dhe përgjatë rrugëve të Tiranës. Ish-fortesa e komunizmit tashmë është një qytet i gjallë dhe i jetueshëm me banorë të hapur dhe miqësorë.
Interesi për vendet ballkanike është shtuar ndjeshëm vitet e fundit, veçanërisht nga udhëtarë kuriozë që kërkojnë qetësinë që ofron deti Adriatik dhe qytetet e gurta si Dubrovniku në Kroaci, apo Kotorri në Mal të Zi. Tirana nuk përfaqëson një traditë të tillë dhe as pamje piktoreske. Në vend të kësaj ajo le mbresa duke qenë një cep shpirtplotë dhe urban me një personalitet të latuar nga një histori e turbulluar. Po ashtu si edhe Sarajeva ka tejkaluar traumat e viteve 90’ dhe është shndërruar në një kryeqytet të zhvilluar të Europës Lindore. Shqipëria po tejkalon dekadat e horronit dhe izolimit dhe po shkon drejt së ardhmes furishëm.
Radioja ndodhet në një zonë të quajtur “Ish-Blloku” e njohur thjesht si Blloku. Sot Blloku është një vorbull vitale e sipërmarrjes së zbavitjes e mbushur me lokale që kombinohen me veshjet e stiluara mirë të klientëve që i frekuentojnë. Atje ka një aureolë të qetësuar sa të jep një reminishencë të Athinës dhe Palermos. Megjithatë, përgjatë viteve të komunizmit Blloku nuk ka qenë i aksesueshëm nga askush që nuk ishte pjesë e elitës së partisë qeverisëse.
Deri në rënien e komunizmit në vitin 1991, rajoni ishte i gjithi një rajon socialist. Por, Shqipëria nën drejtimin e Stalinisto-Maoist të mësuesit që u bë diktator Enver Hoxha ka qenë një vend shumë i nënshtruar dhe opresiv. Hoxha sundoi Shqipërinë për më shumë se 40 vjet deri në ditën e tij të vdekjes në vitin 1985. Ai burgosi, torturoi dhe vrau më shumë se 100.000 shqiptarë gjatë viteve të tij në pushtet. Duke qenë një paranojak deri në ekstrem ai urdhëroi ndërtimin e 750.000 bunkerëve prej betoni për shkak të frikës së tij nga ndonjë pushtim i huaj. Të endesh në të shkuarën e zymtë të Tiranë që ka pikënisjen e saj në Muzeun Kombëtar, pranë Sheshit “Skënderbej” është esenciale për të kuptuar të tashmen e saj. Atje gjenden artefakte arkeologjike që variojnë në kronologjinë e tyre të lashtë.
Edhe më mbërthyes është “Bunk’Art” një bunker anti-nuklear i konvertuar në një muzeum që ndodhet në periferi të Tiranës. Në brendësi të saj gjenden një serë galerish të arkivuara nga periudha e sundimit hoxhist, figurat e larta të partisë në pushtet dhe një video hipnotizuese nga varrimi i tij. Në qendër të qytetit ndodhet një tjetër bunker muzeal i emërtuar “Bunk’Art 2” një memorial për viktimat e regjimit të Hoxhës ku ndodhen fotografi dhe dokumente të atyre që vuajtën më tepër regjimin e tij opresiv. Ky muze ndodhet shumë afër asaj që njihet si “Shtëpia e Gjetheve” që ka qenë dikur selia e “Sigurimit” që ishte policia sekrete e Hoxhës. Në këtë ekspozitë mund të shihen metodat e survejimit të asaj periudhe.
I armatosur me njohjen për trashëgiminë e Shqipërisë, një trashëgimi e mbushur me vdekje, tirani dhe spiunazh fillon të bëhet më e qartë se përse Tirana tashëm duket kaq e gjallë dhe banorët e saj kaq të gëzueshëm. Ata më në fund po jetojnë në liri dhe gëzojnë kreativitetin që frymëzohet nga shtetet me të cilat e kishin të ndaluar të kishin marrëdhënie për vite me radhë. Tirana nuk është ende nuk parajsë turistike, por edhe kjo padyshim është një pjesë e magjisë së saj dhe shumë pushues po mendojnë të shkojnë me pushime atje. Specialistët e udhëtimeve në Europën Qendrore dhe Juglindore të “JayWay Travel” ka shtuar Shqipërinë në listën e destinacioneve të saj të udhëtimit. Presidenti i kësaj kompanie Jay Ternavan ka kuptuar se përse Tirana rezonon mirë me vizitorët e saj: “Me të gjithë debatin për popullimin e madh të destinacioneve turistike, është rigjeneruese të gjendet një kryeqytet ku mund të gjesh vetëm një person me një kamera rreth qafës së tij. Qyteti ka energji dhe surprizon njerëzit. Është një qytet i ri që ka kaluar kohë të vështira, por mikpritja e ngrohtë jep optimizëm për të ardhmen e tij.”
Një ditë e organizuar nga kompania “JayWay” shoqërohet nga guideri shqiptar Gëzimi i cili me vetëbesim shpjegon jetën në qytetin e tij, teksa turistët shijojnë një kafe brenda një lokali që rrotullohet “Sky Bar” prej së cilit mund të shihet panorama e qytetit. Pasi ai drejton turistët në vende të ndryshme historike, vizitorët konsumojnë drekën në “King House” një restorant ku vetë guideri ka punuar kur ka qenë adoleshent. Atje kamarierët shërbejnë pica të përmasave të mëdha dhe mish të pjekur në sasi po aq të mëdha. Ai sugjeron që të provojmë rakinë që është një pije alkoolike shqiptare, tek lokali i quajtur “Komiteti” ku muri prej tulle është i dekoruar me pjata duke krijuar një atmosferë “old-fashion.”
Ushqimi dhe pijet janë elemente jetësore sociale të kulturës tiranase. Një nga restorantet më të mira të qytetit është “Mullixhiu” që gjendet në Parkun e Madh të Tiranës që është rezidenca e një liqeni të madh artificial. Ky restorant është një shtëpi ferme prej druri e rehatshme dhe moderne ku ka ushqim të përgatitur nga Bledar Kola i cili ka punuar në Londër dhe në restorantin e mirënjohur të Kopenhagenit “Noma”. Tirana është esenca e Shqipërisë thotë Kola, “një qytet plot me energji dhe shpresë. Çdo ditë dhe më shumë ajo po shndërrohet në një destinacion gastronomik”- shprehet ai. Kola shton se klima e ndryshme e vendit dhe varieteti i relievit e lejon atë të eksperimentojë me ingredientë të ndryshëm. “Të pasurit akses në produkte organike dhe të freskëta nuk është luks për ne”- thotë ai- “Ne mund të gjejmë peshk të freskët nga deti dhe të mbledhim kërpudha në mal brenda pak orëve”.
Ushqimi i shëndetshëm po bëhet më i rëndësishëm në një qytet të banuar nga shumë të rinj si Tirana të cilët i kalojnë mëngjeset e tyre tek “Bioteka” duke pirë “smoothies” që kombinojnë shijet e avokados, mollës së gjelbër, ananasit dhe mentes ose shkojnë për të konsumuar një vakt tek “A la Sante” ku menuja e plotë orientohet tek supat e bëra në shtëpi dhe sallatat me spinaq, portokall dhe djathë të bardhë. Në “E7E” që është njëkohësisht librari, galeri dhe kafe me një menu shumë të gjerë të rinjtë kalojnë orë të tëra të relaksuar.
Afër me piramidën e Tiranës, një monument komunist në rrënim rinia shijon verë në oborrin e luksoz dhe teatral të “Padam” . Kur mërzitesh me Radion në Bllok, mund të shkosh të shijosh një margarita në “Colonial Cafe” që është lokal koktejesh i dekoruar me stil aziatik. Mund të gjendet edhe një lokal me stil neuroni që ngjan me videoklipin e këngës “Dance me to the End of Love” të quajtur “Tribeca” ku mund të qëndroni si brenda dhe jashtë. “Popullata e qytetit është trefishuar në 20 vitet e fundit duke tërhequr edhe shqiptarët që kishin emigruar dhe tashmë janë rikthyer në njohje të përkryera për baret, restorantet dhe jetën e natës. Shefat dhe banakierët më të mirë vijnë në Tiranë nga qytetet e mëdha europiane dhe u mësojnë mjeshtërinë e tyre edhe të tjerëve”- shprehet DJ e Tribecë-s Lura Elezi- ka një energji nga të rinjtë që transferohet dhe në mikpritjen e ngrohtë të ballkanasve me shpirtin e tyre mesdhetar. Të gjithë këta të rinj kanë udhëtuar dhe kanë parë botën dhe mendojmë se Tirana ka gjithçka i ka të gjitha ato që duhen për tu konsideruar një destinacion i preferuar”.
Kombinuar me plazhet e rivierës shqiptare dhe bukuritë natyrore në jugperëndim të vendin pranë detit Jon, Tirana është një fillim i bukur dhe kozmopolit për një aventurë ballkanase.
/tiranapost/